Joseph: Deklaratat e Vuçiqit – të papranueshme; Kosova të rishqyrtojë vendimin për zgjedhjet në veri

Prishtinë, 16 prill 2023 – Edëard Joseph, profesor në universitetin “Johns Hopkins”, ekspert i politikës së jashtme dhe njohës shumë i mirë i Ballkanit, i ka cilësuar krejtësisht të papranueshme deklaratat e Presidentit të Serbisë, Alekandar Vuçiq, se Serbia nuk do t’i zbatojë të gjitha pikat e Marrëveshjes së Ohrit.

Joseph ka thënë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të ushtrojnë presion ndaj Serbisë, në mënyrë që përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë të mos shkojnë huq.

“Komentet e tilla janë krejtësisht të papranueshme, sepse sipas BE-së dhe SHBA-së, marrëveshja është ligjërisht e obligueshme. Edhe vetë marrëveshja, në njërën nga dispozitat e saj, thotë se të gjitha dispozitat janë njëlloj të obligueshme. Vetë marrëveshja e thekson këtë, kështu që nuk mund të zgjedhësh se cilat dispozita të marrëveshjes do t’i zbatosh, ta zbatosh këtë obligim e jo atë obligim. Pra, këto janë komente shumë negative, vërejtje shumë negative. Ne kemi nevojë për atmosferë pozitive në Serbi. Ne kemi nevojë për një atmosferë pozitive në Kosovë. SHBA dhe BE duhet t’i marrin gjërat seriozisht. Ata duhet t’i shtyjnë gjërat përpara. Ata nuk duhet ta lënë këtë gjë të shkojë huq”, ka thënë Joseph për Kosovapress.

Joseph ka folur edhe për zgjedhjet lokale në katër komunat veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, të cilat janë caktuar për të dielën e ardhshme, më 23 prill. Ai ka thënë se liderët e Kosovës duhet të kenë parasysh pasojat e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve dheka theksuar se mospjesëmarrja e serbëve në zgjedhje dhe incidentet eventuale i levërdisin vetëm Serbisë dhe presidenti i saj, Vuçiqi.

“Mendoni se çfarë do të përfitonte më shumë Aleksandër Vuçiqi. Ai do të përfitonte më së shumti, nëse mbahen zgjedhjet dhe ka incidente”, ka thënë Joseph.

“Ai do të përfitonte nëse mbahen zgjedhjet dhe nuk voton pothuajse asnjë serb. Pra, ai do të përfitonte. Beogradi do të përfitonte nga kjo. Ata do të thoshin: ‘Shikoni, kjo është një fares. Ata nuk po e dëgjojnë popullin. Populli nuk doli të votojë’. Kështu që liderët e Kosovës duhet të mendojnë për këtë, të mendojnë për pasojat e kësaj. Përfitimi i Beogradit nga një gjë e tillë është gjë shumë e keqe”, është shprehur ai.

Joseph ka thënë se Vuçiqi do t’i përdorë zgjedhjet në veri si instrument për të shmangur obligimet që dalin nga Marrëveshja e Ohrit. Ai ka theksuar se Vuçiqi ka pasur qëndrim negative ndaj marrëveshjes që nga fillimi.

“Fjalët e para të Aleksandër Vuçiqit, pas takimit në Ohër, do të duhej të ishin: ‘I inkurajoj serbët e Kosovës të kthehen në institucione dhe të marrin pjesë në zgjedhje’. Pastaj ai do të mund të thoshte: ‘Nëse Kosova nuk i përmbush obligimet e saj, atëherë unë do t’i rishikoj zotimet tona’. Ai ka mundur ta thoshte këtë dhe do të ishte e drejtë ta thoshte, mirëpo ai ka qenë negativ që nga fillimi”, ka theksuar ai.

(r.m.)