Joseph: Marrëveshja Kosovë-Serbi, me njohje reciproke, mund të arrihet gjatë këtij viti

Beograd, 13 janar 2023 – Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në Uashington dhe ish-zëvendës i shefit të misionit të OSBE-së në Kosovë, është i bindur se një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet deri në fund të vitit 2023.

“Jam 100 për qind i bindur se deri në fund të vitit është e mundur të arrihet një marrëveshje, e cila do të çojë në njohje reciproke. Kjo marrëveshje është e mundur të arrihet shumë përpara fundit të vitit 2023.  Tani jemi në janar. Mendoj se ka shumë mundësi që të gjitha çështjet e hapura të zgjidhen dhe se është e mundur të arrihet një marrëveshje e kënaqshme që serbëve të Kosovës do t’u garantonte të jenë qytetarë të Republikës së pavarur dhe funksionale të Kosovës. Kjo është shumë e mundur. Por, ka një kusht, një pengesë që qëndron në rrugën e një marrëveshjeje, dhe ai është qëndrimi i katër vendeve të NATO-s: Rumanisë, Sllovakisë, Greqisë dhe Spanjës. Ata janë e vetmja pengesë për arritjen e një marrëveshjeje që jo vetëm do të kontribuonte në zgjidhjen e këtij problemi, por do të ndryshonte tërësisht orientimin strategjik të Serbisë. Politika e ‘dy karrigeve’ do të përfundonte, Serbia do të kthehej drejt Perëndimit dhe kjo e përfshin edhe anëtarësimin në NATO. Unë jam i bindur për këtë”, ka thënë Joseph, në një intervistë për median serbe “Nova”.

I pyetur se si është e mundur të arrihet një marrëveshje me njohje reciproke, derisa autoritetet serbe thonë se Serbia kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, pasi e konsiderojnë si territor të Serbisë, Joseph ka thënë:

“Ne e dimë se pozicioni i Serbisë tani është shumë më i vështirë se më parë. Kjo është arsyeja përse është shumë e rëndësishme për ta bërë atë për çka po flisja, sa më shpejt që të jetë e mundur. Së fundmi, e kam dëgjuar një koment nga ministri i Jashtëm (i Serbisë), Ivica Daçiq, i cili e krahasoi pavarësinë e Kosovës me pavarësinë e Republika Sërpskas. Përfaqësuesit e autoriteteve në Serbi shpesh e krahasojnë situatën në Ukrainë me Kosovën. Ata e mbajnë këtë pozicion për një arsye të thjeshtë. I përmendin katër vendet e NATO-s që e lejojnë Serbinë të mbajë një qëndrim të tillë”, ka thënë ai.

Jozseph ka thënë se qytetarët e Serbisë duhet ta kuptojnë se njohja e Kosovës është e vetmja mënyrë për ta ruajtur komunitetin serb dhe trashëgiminë kulturore serbe në Kosovë.

“Qytetarët e Serbisë duhet të kuptojnë se njohja e Kosovës është e vetmja mënyrë për të ruajtur komunitetin serb dhe trashëgiminë serbe në ato hapësira. Sigurisht që qytetarët e Serbisë e kanë të vështirë ta pranojnë këtë, por besoj se do ta kenë më pak të vështirë kur ta kuptojnë se cili ishte roli i Serbisë në humbjen e Kosovës. NATO-ja nuk ia vodhi Kosovën Serbisë, por Serbia e udhëhequr nga Millosheviqi, në qeverinë e të cilit ishte pjesë edhe presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kontribuoi në masë të madhe në atë humbje. Kjo është shumë e rëndësishme të kuptohet”, ka thënë ai.

Joseph ka thënë se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë mund të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare.

“Asociacioni i komunave me shumicë serbe është obligim i Kosovës. Mund të jetë pjesë shumë e rëndësishme e marrëveshjes përfundimtare dhe mund të harmonizohet plotësisht me Kushtetutën e Kosovës. Por, çështja e Asociacionit është një çështje që lidhet me statusin përfundimtar të Kosovës”, ka thënë ai.

Joseph ka theksuar se formimi i Asociacionit pa një marrëveshje përfundimtare nuk do të prodhonte asgjë të mirë, as për Serbinë dhe as për serbët jashtë Serbisë.

“Nuk mendoj se do të funksionojë, sepse Serbia nuk ka asnjë interes që gjërat në terren të funksionojnë. Serbia do ta bllokojë Kosovën derisa mund ta bëjë këtë. Në të njëjtën kohë, në këtë mënyrë do të bllokohet vetë Serbia, demokracia e saj, por edhe serbët në Kosovë, në Mal të Zi dhe në Bosnjë e Hercegovinë. Gjithçka do të bllokohet derisa Serbia mund ta bllokojë Kosovën”, është shprehur Joseph.

Ai ka thënë se serbët në Kosovë manipulohen nga Beogradi, gjë që duhet të jetë shqetësim për të gjithë, në radhë të pare për Serbinë.

“Kemi pasur situatën ku serbët janë larguar nga institucionet, kanë ngritur barrikada, e kemi rastin e Nenad Gjuriqit që është suspenduar, e kemi rastin e Dejan Pantiqit që është arrestuar. Por, a e dini cili është rasti i tretë për të cilin autoritetet në Beograd nuk flasin fare? Është rasti i (vrasjes së) Oliver Ivanoviqit. Pra, Nenad Gjuriqi u suspendua, Dejan Pantiqi u arrestua, kurse Oliver Ivanoviq u vra. Tani unë ju pyes se cili nga këto tri raste është më i rëndë? Është plotësisht e qartë se rasti i Oliver Ivanoviqit është më i rëndi. Por, çfarë po shohim? Jo vetëm që nuk ka progres për të përmbushur drejtësinë që e meriton familja e Oliver Ivanoviqit, po shohim edhe se dëshmitarët, si Rada Trajkoviq, po flasin për kërcënime për shkak të pjesëmarrjes së tyre në hetimin e vrasjes. A ka nevojë dikush për ndonjë provë të mëtejshme për të kuptuar se për çfarë sharade bëhet fjalë dhe në çfarë mënyre po manipulohen serbët e Kosovës”, është shprehur Joseph.

(r.m.)