Uashington, 7 nëntor 2023 – Profesori i Universitetit “Johns Hopkins” në Uashington, Edward Joseph, ka thënë se me propozimin e ri të draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe është eliminuar modeli i Republikës Serbe në Kosovë.
“Me atë që kam dëgjuar unë, edhe pse nuk është gjë formale, propozimi i SHBA-së dhe BE-së e përmbyll këtë telashin mbi atë se a duhet të jetë Asociacioni në pajtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sigurisht që duhet të jetë në pajtim me atë vendim dhe ky lloj misteri është sqaruar. Propozimi është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe, për aq sa kam kuptuar, modeli i Republikës Serbe është lënë komplet jashtë. Në vend të këtij modeli është bërë një propozim krejt i ri, praktik, i arritshëm dhe që i përmbush standardet kushtetuese dhe është në përputhje me atë kolumnen që është shkruar nga Derek Chollet dhe Gabriel Escobar”, ka thënë Joseph për RTK-në.
Joseph ka thënë se jo detyrimisht duhet të publikohet tani draft-statuti, nëse është qëllim të arrihet një lloj marrëveshje e avancuar përtej asaj që ekziston. Sipas tij, nganjëherë dokumentet duhet të mbahen larg publikut derisa janë në negociim e sipër.
“Nganjëherë dokumentet duhet të mbahen të fshehta, larg publikut derisa është në negocim e sipër. Pra nuk është se detyrimisht duhet të publikohet. Pyetja është se çfarë do të jetë pozicioni përfundimtar i SHBA-ve dhe BE-së në veçanti dhe pastaj shteteve kyçe siç janë Franca, Gjermania, Italia dhe cili do të jetë pozicioni kur bëhet fjalë për Serbinë. Refuzimi i presidentit të Serbisë për ta nënshkruar marrëveshjen dhe pastaj refuzimi për ta zbatuar atë marrëveshje që e ka pranuar në Bruksel dhe Ohër”, ka theksuar Joseph.
Ai ka thënë se, më 6 tetor në Mal të Zi, emisarit Lajçak ia ka parashtruar pyetjen përse nuk e shfrytëzojnë rastin që tani, sidomos pas agresionit mbi Kosovën më 24 shtator në Banjskë, Beogradit t’i kërkohet zbatimi i marrëveshjes.
“Pse të mos përdoret kjo gjë dhe t’i prezantohet Beogradit propozimi merre ose lëre? Këtu Serbia vihet para pozicionit që ta pranojë plotësisht se do ta përmbushë obligimin e saj ndaj Kosovës, i cili ka të bëjë me njohjen de-facto, njohjen e dokumenteve dhe simboleve dhe të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.Pra, pse të mos shfrytëzohet kjo lloj përparësie kur Beogradi dhe presidenti Vuçiq është në situatë të brishtë. Këtë pyetje ia kam bërë Lajçakut kur ai ishte në Mal të Zi, muajin e kaluar. Ai nuk dha përgjigje publike, por pashë disa elemente të asaj që unë kam vërejtur në atë dokument të QUINT-it”, ka shtuar Joseph.
Sipas ti, tani çështja është nëse në SHBA dhe në BE ka vullnet t’u bëjnë presion palëve dhe ta përfundojnë këtë marrëveshje njëherë e përgjithmonë.
“Më 26 tetor pas takimeve në Bruksel, Kosova është deklaruar se ka kërkuar nënshkrimin e dokumenteve nga Serbia. Unë besoj se kjo është kërkesë e arsyeshme në cilindo kontekst. Për mua kjo ishte kërkesë shumë e arsyeshme dhe SHBA dhe BE duhet të insistojnë te Serbia që ta nënshkruajë këtë dokumentet dhe dy dokumentet tjera të dakorduara më parë dhe përfundimisht të ndalet kjo lojë. A është marrëveshja që secila palë, Kosova dhe Serbia, duhet ta formalizojnë atë dhe të thonë ‘po kjo është ajo marrëveshje’. Si mund t’i besoj dikush fjalës së Serbisë se do të implementojë një marrëveshje e cila i ka këto elemente të rëndësishme të njohjes brenda – siç është mos kundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Si mund të besohet kjo kur presidenti Vuçiq nuk e nënshkruan këtë”, ka nënvizuar ai.
Joseph e ka cilësuar me interes takimin e Lajçakut me partitë opozitare në Kosovë.
“Është gjë e mirë që partitë opozitare të jenë pjesë e procesit dhe një hap i rëndësishëm për Republikën e Kosovës”, ka thënë ai për RTK.
(r.m.)