Joseph: Serbia është shkaktare e problemeve në Ballkanin Perëndimor

Uashington, 2 tetor 2021 – Edward Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins, ka thënë se shkaktare e problemeve në Ballkanin Perëndimor është Serbia, e cila nuk e pranon rendin perëndimor.

“Në Ballkanin Perëndimor, vetëm një vend nuk e pranon rendin perëndimor. Bëhet fjalë për Serbinë dhe besnikët e saj në Republikën Sërpska, në Listën Serbe në Kosovë, etj. Nëse rendi perëndimor pranohet  (nga Serbia), atëherë siguria e Ballkanit Perëndimor është nën mbrojtjen e NATO -s. Në atë rast, të gjitha problemet në Ballkanin Perëndimor janë të zgjidhshme”, ka thënë Joseph, në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë në Uashington.

Ai ka kujtuar se Serbia, përveç në Kosovë, ka prodhuar tensione edhe në Mal të Zi dhe në Bosnjë e Hercegovinë, si edhe me Kroacinë.

“Në fillim të shtatorit, grupet pro-malazeze dhe ato serbe janë përplasur në kryeqytetin tradicional të Malit të Zi, Cetinë. Situata po përkeqësohet edhe në Bosnje dhe Hercegovinë, ku përfaqësuesit serbë janë larguar nga institucionet, për shkak të vendimit të ish-përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar për dënimin e mohuesve të gjenocidit. Ka gjithashtu tensione midis Kroacisë dhe Serbisë. Pra, ajo që po ndodh në veri të Kosovës është vetëm një simptomë dhe ne, në fund, duhet të përballemi në thelb me situatën në Ballkan dhe të arrijmë te një zgjidhje”, ka thënë Joseph.

“Situata aktuale është serioze, është pjesë e tendencës pët përkeqësim dhe duhet të qetësohet. Sidoqoftë, problemi është më i gjerë dhe ai duhet të trajtohet seriozisht dhe iluzioni të eliminohet”, ka theksuar ai.

Joseph ka thënë se marrëveshja e arritur në Bruksel për uljen e tensioneve në veri të Kosovës është po ajo e vitit 2016 dhe Serbia e ka pranuar reciprocitetin.

“… me sa kam kuptuar, marrëveshja parashikon reciprocitet midis Serbisë dhe Kosovës. Në vend që vetëm Kosova t’i ndërrojë targat, tani të dyja palët do të vendosin letra ngjitëse. Ky është reciprocitet. Kosova do t’i largojë njësitë speciale të policisë, por ato nuk janë më të nevojshme, tani kur serbët i kanë pranuar aranzhimet e reja”, është shprehur ai.

Por, Joseph ka theksuar se zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës e pasqyruan fytyrën e vërtetë të Serbisë.

“Vuçiq ka bërë një nga gabimet e tij më të mëdha, duke ekzagjeruar përdorimin teatral të tankeve dhe duke e sjellë ambasadorin rus [në bazën e ushtrisë serbe në Rudnicë, në afërsi të kufirit meKosovën]. Në gjithë Evropën njerëzit, edhe nëse nuk dinë shumë për Ballkanin, mund ta shohin fotografinë e një ambasadori rus pranë oficerëve të lartë ushtarakë serbë. Në këtë mënyrë, Vuçiqi tregoi se, nën udhëheqjen e tij, Serbia i ka pranuar dhe ndjek vlerat dhe agjendën e Rusisë dhe Kinës”, ka thënë Joseph.

“Një qasje e tillë nuk i ofron kredibilitet Serbisë dhe tregon sjelljen e papërgjegjshme të Vuçiqit dhe bashkëpunimin e tij të hapur me Rusinë”, ka theksuar ndër të tjera Edward Joseph, në intervistë për Radion Evropa e Lirë.

(r.m.)