JULIA GJIKA: CIKËL POETIK KUSHTUAR KOSOVËS

GEZIMI I FITORES

Mezi e pe ditën,

mezi e ndave nga nata e gjatë,

mezi erdhi fitorja.

S’ ishin pak tragjeditë,

humbjet, dhimbjet s’ ishin pak.

17 Shkurt, Kosovë

I ngjan stinës së pranverës,

gëzimin sjell

me kthimin e dallëndysheve,

me kthimin e yjeve në qiell.

Si një trup i vetëm ke dalë,

nuk te nxënë sheshet.

Nëpër botë

me kohë u shitën biletat

për të ardhur te ty.

Rrugët i gjetën dasmorët.

Eshtë e diel,

fytyra jote shkëlqen.

Pritja ishte e gjatë, përtej durimit.

Me zë të plotë, me zë të fortë shpërthen

me korin e ëngjëjve,

me fuqinë e dallgëve të lumenjve,

të deteve dhe oqeanive.

Rruga e gjatë e mundimeve

mbeti në hartë, për t’u treguar brezave.

Fitorja është ulur

pranë sofrës së madhe

buzëqesh me fytyrën e heronjve

Shpirtrat gëzojnë,

toka dhe qielli ka festë.

Martirët shtrijnë eshtrat

të qetë janë tani.

Asgjë nuk vajti dëm

as gjaku i derdhur.

Ata që e dinë se cfar’ ndodhi dje

ndoshta nuk dinë shumë,

shumë pak dinë.

Por ky qiell I di të gjitha

ndaj sot nuk mbahet

derdh dritë, ngrohtësi

të rritet bari me shpejtësi

të gëzojë fitoren

Kosova e pavarur,

shteti më I ri në botë.

Botë a e degjon?

Bota te njeh KOSOVE!

Shkurt / 2008

NE KOSOVE NE PRAG TE SHPALLJES SE PAVARESISE

Për herë të parë unë dhe im shoq Thanasi, vizituam Kosovën në Tetor 2006. Unë kisha mësuar shumë gjëra për Kosovën në vitet e gjimnazit përmes mësueses sime të letërsisë, të ndjerës Zyma Berisha, e cila ka qënë një nga simbolet më të bukur e më domethënës të Kosovës tek ne.

Dita e parë, u gdhimë në Pejë. Vëllai i mësueses, Zoti Aziz na bëri dhuratën e cmuar, shëtitje nëpër grykën e Rugovës, ,Kur aritëm në një nga majat e Rugovës, sikur prekëm retë,para syve tanë lugina dhe zabele të gjelbëruar me barin e dëndur dhe të pastër. ishte bukuria mahnitëse, e shumë ëndërruar.

Ditën e dytë, shkuam në Prishtinë. Mbrëmjeve këtu nuk kishte drita dhe gjeneratorët që punonin nëpër dyqane të mërzisnin me zhurmën e tyre .Bujtëm në hotel Iliria. i cili e kish humbur shkëlqimin e hershëm si pasojë e luftës.

Ditën e tretë, në hotel Iliria na vizitoi i ndjeri prof Sadri Fetiu, drejtor i Institutit Albanologjik i cili na shpuri për vizitë tek varri i të ndjerit president Ibrahim Rugovës, në vazhdim tek godina e Institutit Albanologjik, pastaj Kompleksi memorial i të rënëve në luftën e fundit.

Në monumentin e gjatë prej mermeri janë skalitur emrat e 2 400 e ca dëshmorëve. U ndalëm në Skenderaj ku pamë shtëpitë monumentale të djegura të Jasharajve, dhe varret ku prehen Jasharajt.

Bota e njohu peticionin të firmosur nga gjaku i pleqve 94 vjecarë dhe fëmijve, ëngjëjve 6-7 vjecarë. Truproja rrinte gatitu gjatë kohës që bëmë vizitën në vorrezat e Jasharajve në Prekaz.

Tani Kosova është e lirë. E pavarur. Në kujtim të atyre ditëve, momenteve prekëse që perjetuam, po sjell për ju të dashur miq e mikesha vargjet më poshtë:

IBRAHIM RUGOVA

Atë, që askush nuk e shihte,

Ti e pe, ende udhën pa e nisë

qiellin e kaltër përtej reve,

Kosovën në krahët e lirisë.

Te shkëmbi i larë qajnë valët,

era shkon e vjen si e marrë,

njerëzit, gurët dhe drurët

kanë ankth, kanë acar.

Zjarrin që të digjte në zemër,

si trim e durove pa ankim,

si mendjendritur vizionar

me dashuri fole, i urti Ibrahim.

Të ftohta ditët e këtij Janari,

të ftohta muret nëpër oda,

luadhet e malet e Kosovës,

mbuluar nga ngrica e bora.

Nata harron të largohet,

shpirti po ikën ca nga ca,

zemra dhe truri i munduar,

në duart e natës dhimbjet i la.

Lot’i fundit I jetës rrëshqet,

Njeriun e Madh paqja mbështjell

21 Janar, 2006

ÇDO MINUTE PER TY KOSOVE

Cdo minutë të dërgoj

dashurinë time, Kosovë,

sadopak të mbështjell plagën tënde.

Cdo minutë të dërgoj lotin tim të valë,

sadopak të të ngushëlloj.

Cdo minutë lutjet të dërgoj,

cdo minutë shpresën time të dërgoj,

që ti të mos humbësh.

Do shihemi në ditë verore me diell,

më brohoritje gëzimi,

në netët hënore me yje e fishekzjarre,

në netët e gjata të dimrit.

Do këndojmë në odat e burrave

trimëritë e tua që panë shekujt.

1998

PO VIJ TE TY KOSOVE

Po vij te ty dhe humb

në luadhet e gjelbra,

në luginat ku krihen zanat,

fytyrën laj me to,

në ujrat e bardha.

“Janë trembur, thonë,

“Fshehur rrinë në Bjeshkët e Namuna”

Po vij te ty,

të dëgjoj trokitjen e zemrës,

dhe fjalën e burrave të urtë.

Gryk e Rugovës,

të flladit,

dekori I maleve të pushton.

Stuhitë shekullore

trazuan paqen e lumenjve,

por nuk ua ndrruan shtratin-

nga goja tënde dua të dëgjoj-

Dielli, dielli të do e të ka dashur

Fytyra jote , hënë e plotë,

duart mëkojnë pëllumba

Kur yjet buzëqeshin në qiellin tënd , Kosovë,

vezullimet reflektohen te Nëna.

2006

KUFIRI

Eshtë e njejta tokë

tokë e Zotit ku kam lindur,

ku kam jetën time.

Unë i njoh këta gurë shekullorë,

në këto luadhe bari zgjatej nga gëzimi im,

kufiri ndau pjesën time nga ty.

Këtu ka dritë, ka ajër, ka zogj njësoj,

ka tinguj, ka policë,

(Ata më buzëqeshin kur u jap pashaportën)

Kufiri,

ka qiell këtu

dhe une mbrita,

kur dielli ishte në zenith.

E kapërxeva kufirin dhe erdha

në zemrën tënde, Kosovë,

bash ne zemren time.

Do fle te ty, e shkela kufirin,

përtej kufirit jam

nën një qiell që dje ish ndarë me dysh.

Do fle në qytetin, rethuar nga Bjeshkët,

fytyrën do t’ia kthej dritës së natës

dhe do të pres zgjimin me ty.

2006

NE PRIZREN

Roje të bëjnë murret e hirta të kalasë

hëna e zënë në re- dritë kandili,

ndricimi dridhet mbi gjokse malesh,

mbi valë dilemash akoma ti.

Era ngre pluhurin,

aroma e tokës kudo hyn

Bistrica rjedh e heshtur,

e heshtur valët shtyn.

Malli mat rrugët

pëllëmbë për pëllëmbë,

nga xhamia e Sinan Pashës

te Shtëpia Muze më sjell.

Paqeruajtësit me uniforma kaki

mbi kamiona shtrëngojnë armët,

tytat e zeza në një drejtim.

Kryq e tërthor vështrojnë Prizrenin,

vjeshta i vjedh ngjyrat perëndimit.

2006

JAM NJE RE NE QIELLIN TEND

Gjakovë, me cati të kuqe

me oborre, pemë rënduar nga frutat,

gjithcka e pabesushme më duket,

edhe qënia ime te ty, e pabesueshme

Leviz si një re e qiellit,

herë ndricohem,

herë ngysem, herë humbas.

Ti e sapozgjuar

përgjon lëndinën e Mejës.

Ringjalljen takoj te gjakovarët,

te krahët e tyre

shpresa ri mbështetur, në pritje.

2006

NE PRISHTINE

Eshtë muzg,

qyteti zbrazet ngadalë,

pa vajtur gjashtë e mbrëmjes.

Elektromotorët japin energji,

pak dritë, pak ngrohtësi,

zhurma e tyre të kujton luftën, breshëritë,

pikëllimin mund, Prishtinë.

Një fëmijë i vetmuar

numuron me gishtat e dorës

cka humbur!

Në një qoshe të shtëpisë, plaku,

(Oh! I ka ikur drita e syve),

me gishtat zverdhur nga duhani,

me tregon zhdukjen e bijve.

Zërat janë mbledhur e bucasin

lart në qiell.

2006

KODRINA E JASHARAJVE

Kodrina i mban në prehër,

kodrina e blertë,

përkund një fis me emër.

Një harpë dëgjohet,

zgjatim duart, prekim emrat.

Lulet janë pak,

fjalët s’janë mjaft,

trimat flenë në gjirin e Prekazit.

Mosha të ndryshme:

nga pesë mbi shtatëdhjetë,

fëmijë buzëqumësht,

fisnikë pleq.

Zemra ime sa e dobët je,

fillon të lotosh.

2006

NE KRUSHEN E VOGEL

Pranvera atë vit u ngatërua,

stinët e tjera nuk u takuan me të,

për t’a ndjekur me shpërthime,

me ngrohtësi.

Fëmijët nuk rendën luadheve

Nata rëmbeu burrat e Krushs se Vogël.

U thyen trarët e shtëpive.

300 burra i vranë

300 palë krahë u ndenë,

u ndenë sa mbuluan dhenë.

Fëmijët ruajnë fotografitë në korniza.

Ne ikona baballarët janë kthyer!

2006