Nga takimit e ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi, me shqiptarë të Bostonit
Nga Fuat Memelli
BOSTON
Pas takimeve zyrtare të zhvilluara në Pentagon dhe disa takimeve të tjera të rëndësishme për Ministrinë tonë të Mbrojtjes dhe mardhëniet Shqipëri-Amerikë, ministri Niko Peleshi i shoqëruar nga ambasadorja shqiptare në Amerikë, Floreta Faber, bëri një vizitë në qytetin e Bostonit, në qytetin ku ka patur qendrën “Vatra”, ku ka jetuar Noli, Konica e patriotë të tjerë si dhe shumë emigrant shqiptarë të vjetër e të rinj. Shteti i Massachusetts me qendër Bostonin, është ndër “foletë “ e para të emigrimit të shqiptarëve në Amerikë.
VOGËLUSHËT QË “CICËROJNË ”GJUHËN SHQIPE
Vizita e parë e ministrit Niko Peleshi ishte në shkollën shqipe, ku mësojnë fëmijë të vegjël të lindur në Amerikë. Kjo shkollë ka 28 nxënës dhe zhvillon mësim një herë në javë. Shkolla financohet dhe mbështetet nga Shoqata“Mass.Besa”. Ajo ka dy klasa, atë të fëmijëve parashkollorë të moshës 4 deri 6 vjet dhe klasën e abetares 7 vjet e lart. Minitri bisedoi me mësuest dhe drejtoreshën e shkollës, Blerina Omari. Pastaj i ulur pranë fëmijëve ai i bëri disa pyetje, si të thuash për të “testuar” njohuritë e tyre për gjuhën shqipe me të shkruar dhe të folur. Vogëlushët “cicëronin” në gjuhën shqipe, por ndonjëherë midis fjalisë thoshin edhe ndonjë fjalë anglisht. Rendësi ka që ata ashtu si prindërit e tyre, duan të flasin e të shkruajnë edhe shqip, krahas anglishtes që do ta mësojnë në shkollat amerikane. Ministri i dhuroi shkollës disa abetare si dhe libra të libra të gjuhës shqipe. Ambasadorja Floreta Faber, theksoi se do t’i dërgojmë shkollës edhe programe online të abetares dhe gjuhës shqipe, me qëllim që nxënësit ta kenë edhe këtë mundësi.”Ndjeva një emocion të veçantë nga vizita te shkolla shqipe ku fëmijët e vegjël mësonin a-be-ce në, ku mësonin gjuhën e bukur shqipe, gjuhën e të parëve” theksoi Niko Peleshi. Te kjo godinë nën drejtimin e koreografit të njohur Bashkim Braho, ministri dhe ambasadorja ndoqën për disa minuta ushtrime koreografike të vajzave pjesëmarrëse si dhe të valleve shqiptare që ato luajtën. Edhe vallet, ashtu si dhe gjuha shqipe, janë pjesë e identitetit dhe trashëgimisë sonë, janë pjesë e indntitetit tonë kombëtar, ndaj ato mësohen prej tyre edhe këtu në emigracion, veçanërisht nga brezi i ri.
QENDRA DITORE E TË MOSHUARVE ”VATRA”, NJË “COPËZ” SHQIPËRIE
Një vizitë tjetër e bukur që la gjurmë te dy miqtë e ardhur nga larg, ishte Qendra Ditore e Pensionistëve, e cila ndodhet në qytetin Braintree, pjesë e shtetit të Massachuttses, me qendër Bostonin. Aty mysafirët u pritën nga pronari dhe menaxheri i qendrës, Agron Gjerasi si dhe pjesëmarrësit e kësaj qendre. Minsitri takoi me rradhë, një pjesë e të cilëve i njihte mirë pasi ishin nga Korça, nga vendlindja e tij. Në fillim Agroni bëri një vështrim të shkurtër për rrugën e kësaj qendre. Ajo është krijuar në qershor të vitit 2018 dhe ka 160 pjesëmarrës. Veç kësaj ka edhe një degë tjetër në qytetin Salem, e krijuar në vitin 2021, e cila ku ka 60 pjesëmarrës. “ Disa komunitete të vendeve të tjera, kishin qendra të tilla, ndërsa ne shqiptarët jo. Kjo dhe fakti që fëmijët ikin në punë dhe të moshuarit mbeten vetëm në shtëpi, më nxiti për ta krijuar atë. Këtu pensionistët vijnë 6 ditë në javë. I marim dhe i çojmë në shtëpi me makina. Hanë dy vakte mëngjes dhe drekë. Pinë kafe, kanë programe të ndryshme argëtimi, etj. Të gjitha shërbimet i kanë falas”, tha Agroni. Pastaj u shfaq një videomontazh për veprimtarinë e kësaj qendre. Nga ekrani shihet duke folur gazetari i njohur sportiv si dhe shkrimtari, Skifter Këlliçi. Midis të tjerash ai thotë:’ Po nuk pate ambient, po nuk pate pranë shokë e miq, vetmia të tkur. Për fat të mirë për ne është krijuar kjo qendër. Nuk është qendër vorfnore, është një vatër argëtuese dhe edukuese, një vatër atdhedashurie”. Më pas në ekran u paraqit një këngë e bukur, që e kanë quajtur “Himni i Vatrës”, me titull “Një copëz” Shqipëri”. Tekstin si dhe kompozimin e ka bërë vetë Agroni, i cili është shumë i pasionuar pas muzikës. Kënga këndohet nga kori i pensionistëve. Ja disa vargje të saj:…”Eja bashkoju “Vatrës sonë/ I vetëm ti mos rri/Këtu do gjesh shumë ngrohtësi/Një copëz Shqipëri”, etj.
Pastaj e mori fjalën ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi. Ndër të tjera ai theksoi:” Juve e kini të shkruar në sy dashurinë për Shqipërinë. Ka dy Shqipëri, një fizike dhe një shpirtërore. Këtë të dytën e kini marrë më vete, pasi ajo është në zemrën tuaj, në shpirtin tuaj. Historia kështu e solli, një pjesë e shqiptarëve kanë emigruar për një jetë më të mirë. Rëndësi ka mos e harrojmë vendin nga vijmë dhe të japim nga pak kontribut për Shqipërinë që e kemi në zemër. Ky organizim i bukur, do t’ju largojë vetminë dhe do t’ju zgjatë jetën, pasi siç thuhej në tekstin e këngës tuaj, këtu është një “copëz” Shqipërie.
Gjatë qëndrimit një ditor në Boston, ministri dhe ambasadorja zhvilluan takime edhe me një grup biznesmenësh si dhe të rinj që studjojnë në Boston. Nga këto vizita të përfaqësuesve të shtetit shqiptar, emigrantëve u duket sikur sjellin nga larg një “copëz” Shqipërie, për të cilën ata i djeg malli, pasi siç ka thënë Fan Noli:” Ne mërgimtarët vetëm degët kemi në emigracion , ndërsa rrënjët i kemi në Shqipëri.”