Sërish vjen Marsi
Nga dr. Agim Z. Dobruna
Kali është simbol i fuqisë, shpejtësisë, qëndrueshmërisë, e dominimit. Njeriu fillimisht e (keq)përdori kalin duke i ngrënë mishin e marrë lëkurën. Më vonë ai arriti që ta zbusë atë dhe ta përdorë për kalërim e bartje të barrës. Katërmijë e pesëqind vjet para erës sonë ndodhi një nga shpikjet më të mëdha të njerëzimit. Ishte rrota ajo që ndryshoi shumë gjëra në jetën e njeriut dhe rrjedhimisht kali u përdor edhe për tërheqje.
Kali është luftëtari më jetëgjatë dhe numerikisht më pjesëmarrës, si në ndërtimin, ashtu edhe në shkatërrimin e civilizimeve të shumta gjatë historisë njerëzore. Mjafton të kujtojmë Konkuistadorët e Spanjës dhe pushtimin e aztekëve me vetëm rreth gjashtëdhjetë e dy kuaj dhe të inkasve me jo më shumë se njëqind sosh, duke mashtruar prijësit e tyre Montezuma dhe Atahualpa. Kaq pak kalorës e pushtuan e më vonë e shkatërruan një civilizim të tërë! Përdorimi i kalit në luftë ishte aq esencial sa që edhe në Luftën e Dytë Botërore, deri në shtatëdhjetë për qind e ushtrisë gjermane (Wehrmachtit) ishte e tërhequr jo me makina, por me kuaj. Përgjatë kësaj lufte vetëm Bashkimi Sovjetik dhe Gjermania përdorën më shumë se gjashtë milion kuaj.
Kali është bërë pjesë e pandarë edhe e shkencës. Skocezi Xhejms Uat e futi në shkencën e fizikës njësinë matëse kalë-fuqi për ta krahasuar rendimentin e motorëve me avull me fuqinë e kuajve tërheqës. Një kali, për shembull, mund të zhvendoste një peshë prej 75 kg në metër për një sekondë.
Kuaj të famshëm
Kali më i njohur e më i përmendur këtu e mbi tremijë vjet, i cili për paradoks nuk ishte kali i vërtetë, është ai i Trojës. Troja i bëri qëndresë pushtimit nga grekët duke qëndruar e rrethuar për dhjetë vite. Ndërkohë, grekët erdhën në ide që të ndërtojnë një kali nga druri ku do të fshiheshin disa luftëtarë dhe ua dhanë trojanëve si dhuratë. Luftëtarët e fshehur pastaj gjatë natës dolën nga kali, hapën dyert e kështjellës dhe Troja u pushtua. Në aspektin ushtarak kjo cilësohet si një nga strategjitë më të mira të kohës. Termi “Kali i Trojës”, rrjedhimisht, mori konotacionin alegorik të mashtrimit, tradhtisë, apo kolonës së pestë. U bë e famshme thënia “mos u beso grekëve edhe kur sjellin dhurata”. Në rastin aktual të rrethanave në Kosovë, fqinji ynë verior imponoi një të ashtuquajtur “Asociacion”, që s’është gjë tjetër pos një Kalë Troje (kolonë e pestë)! Sot madje emërtimi “Kalë Troje” ka zënë vend edhe në teknologjinë informative. “Trojan” quhen ato viruse kompjuteri të cilat e infektojnë një sistem kompjuterik, pasi përdoruesi t’i ketë pranuar gabimisht si softuerë apo skedarë legjitim.
Bucefali kishte një shenjë në kofshë në formë të kokës së demit. Ai ishte kali i Aleksandërit të Madh. Filipi II, babai i Aleksandërit nuk ishte i kënaqur me fuqinë, zotësinë, zhdërvjelltësinë e djalit të tij dhe vazhdimisht e bullizonte. Një ditë në tregun e kuajve Filipit iu ofrua një kalë nga tregtarët me një çmim shumë të lartë. Kali ishte aq i padëgjueshëm sa që edhe kalorësit zbutës nuk arritën ta shalojnë. Aty ishte edhe Aleksandëri, fëmijë vetëm trembëdhjetë vjeç. Ai e kishte pikasur se kali po frikësohej nga hija e vet. I mori leje babait që ta provonte ta shalojë. Pasi u lejua, ai butësisht iu ofrua kalit dhe e ktheu në drejtim të diellit që të mos e shihte hijen e vet dhe arriti që ta shalojë me sukses. Ky mund të konsiderohet si një moment i “vrasjes së babait” dhe një katapultim i pakthyeshëm i Aleksandërit drejt strategut, gjeneralit, ushtarakut më të famshëm në historinë e njerëzimit!
Incitatus (i shpejtë) ishte kali i perandorit Kaligula. Ai e emëroi kalin e tij për Senator me qëllim që më vonë ta bënte konsull. Marengo ishte kali i Napoleonit, i emërtuar sipas Betejës së Marengos më Itali. Llamri ishte kali i mbretit Artur, Magnolia i Xhorxh Uashingtonit, kurse Rosinante i Don Kishotit.
Për kalin e Skënderbeut nuk dihet dhe nuk shkruhet, as në veprat e Marin Barletit, Mojkom Zeqos e Aurel Plasarit, mirëpo Barleti vetëm shkruan se pas vdekjes së Gjergjit, kali i tij ishte ende gjallë dhe nuk lejoi ta kalëronte më askush.
Gjithandej janë të zakonshme përmendoret me kuaj të luftëtarëve, pushtuesve, ushtarakëve, e mbretërve të famshëm anekënd botës. Pos nderit dhe respektit për ta, thuhet se ka edhe një simbolikë në ato përmendore: nëse kali i përmendores i ka të dyja këmbët në ajër, kalorësi ka vdekur në betejë; nëse e ka njërën këmbë në tokë e tjetrën në ajër, kalorësi ka vdekur nga plagët e marra në betejë; kurse nëse i ka të dyja këmbët në tokë, ai ka vdekur jashtë betejës. Mikelanxhelo, njëri nga skulptorët më të mirë në historinë e njerëzimit ka thënë se “në çdo gur të mermerit është e burgosur një skulpturë të cilën unë vetëm duhet ta nxjerr nga burgu”.
Kali në traditën shqiptare
Kali është bashkudhëtar në jetën dhe traditën shqiptare. Madje, liria e popullit shqiptar ka kaluar mbi kurrizin e kalit (N. Çoçaj)! Gjatë luftës së fundit, thotë ai, në periudhën 1998-99 rreth 60-70 kuaj bartën armë dhe asnjëri nga ta nuk ra në mina.
Kali i UÇK-s është pjesë e lirisë së Kosovës. Në rrethana të një tereni shumë të vështirë, të motit me shi, borë, stuhi, e acar, ai shërbeu për të bartur pesha të rënda armësh, municionesh, ushqimesh, e barërash. Ai barti të plagosurit, të vrarët, të sëmurët, me pak ose aspak ujë e ushqim. Po bëhen gati tridhjetë vjet që Kali i UÇK -së nuk i mori meritat që i takojnë. Ai mbetet i burgosur në një bllok mermeri duke e pritur dorën e një Mikelanxheloje dhe vullnetin e politikës, që të lirohet dhe të marrë të gjithë vlerësimin e merituar!