Ka dhënë dorëheqje “ambasadori” i Kosovës në Beograd

Prishtinë, 19 qershor 2013 – Zyrtari ndërlidhës i Kosovës në Beograd, Lulzim Peci, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë dhe nga shërbimi diplomatik i Kosovës, për shkak të mospajtimeve me kryeministrin Hashim Thaçi. Ai ka bërë të ditur se kryeministri Thaçi i kishte telefonuar pas një deklarate që kishte dhënë për mediet në Beograd,  në të cilën kishte thënë se pa njohjen e Kosovës nga Serbia nuk do të ketë normalizim të plotë të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Në letrën drejtuar Presidentes Jahjaga, Peci shkruan:

“E nderuara Shkëlqesia e Juaj, znj. Presidente,

Më lejoni t’ju njoftoj se po jap dorëheqje të parevokueshme nga Shërbimi Diplomatik i Republikës së Kosovës.

Arsye e dorëheqjes sime është mospajtimi dhe kritika që më është bërë nga z.  Hashim Thaçi, Kryeministër i Republikës së Kosovës, në lidhje me deklaratën time në media se normalizimi i plotë i marrëdhënieve në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë do të bëhet atëherë kur kjo e fundit do ta njohë pavarësinë e vendit tonë.

Kam qenë i bindur se politika shtetërore e vendit tone në lidhje me normalizimin  e plotë të marrëdhënieve me Beogradin ka qenë pikërisht njohja nga Republika e  Serbisë, por, si po duket, kjo politikë nuk është e tillë. Prandaj, në rrethana të tilla, nuk pranoj të vazhdoj punën time brenda Shërbimit Diplomatik të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast ju falenderoj Juve, znj. Presidente, dhe ish-Presidentin z. Fatmir Sejdiu, për besimin që ma keni dhënë për udhëqjen e misioneve diplomatike të  shtetit tone në Stockholm dhe në Beograd.

Ju lutem pranoni, Shkëlqesi, konsideratat më të larta për personalitetin Tuaj.

Sinqerisht,

Lulzim Peci”.

Para se të emërohej zyrtar ndërlidhës i Kosovës në Beograd, Lulzim Peci ka qenë ambasador i Kosovës në Suedi.

R.M.