Ka nisur largimi i barrikadave në pjesën veriore të Kosovës

Prishtinë, 29 dhjetor 2022 – Të enjten pasdite ka nisur largimi i barrikadave në pjesën veriore të Kosovës.

Mediet në Kosovë raportojnë se heqja e barrikadave ka nisur pothuajse njëkohësisht në fshatin Rudar të komunës së Zveçanit, në lagjen e Boshnjakëve të Mitrovicës Veriore, si edhe në komunën e Leposaviqit dhe të Zubin Potokut.

Të enjten në mëngjes është hequr edhe barrikada që ishte vendosur në territorin e Serbisë, rreth dy kilometra nga pika kufitare në Merdar, afër Podujevës.

Sipas raportimeve, te barrikada në Rudar dhe tek ajo në Mitrovicën Veriore kanë qenë të pranishëm edhe disa persona me maska.

Sipas raportimeve të paverifikuara të medieve, te barrikadat ka pasur edhe persona të pakënaqur me vendimin për zhbllokimin e rrugëve, të cilët edhe kanë rezistuar të heqin barrikadat.

Dy kamionë me të cilët ishte bllokuar rruga në lokacionin “Shkëmbi i Dudës” në Mitrovicën Veriore janë djegur gjatë natës së kaluar, për shkaqe tash për tash të panjohura.

Rrugët kryesore që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë në Jarinjë dhe Bërnjak ishin të bllokuara prej 10 dhjetorit, pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, i dyshuar për sulme ndaj zyrtarëve të komisioneve komunale të zgjedhjeve në veri.

Autoritetet e Kosovës thanë se barrikadat janë vendosur nga “bandat kriminale” të serbëve, të cilat nxiten dhe mbështeten nga Serbia.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mohuar se ai ka ndikim te grupet që i kanë vendosur barrikadat, por ai pati rol vendimtar në vendimarrjen për heqjen e barrikadave.

Sipas Vuçiqit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë dhënë garanci të forta se do të plotësohen kërkesat që i kishin shtruar serbët e Kosovës për heqjen e barrikadave.

Kërkesë kryesore, e cila është përsëritur dhjetra herë nga vetë Vuçiqi, është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbë në Kosovë.

Beogradi kërkon me ngulm një asociacion me fuqi ekzekutive, gjë që kundërshtohet kategorikisht nga Qeveria e Kosovës dhe nga të gjitha partitë politike shqiptare, si në pushtet ashtu edhe në opozitë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur shumë dispozita kundërkushtetuese në marrëveshjen që parasheh formimin e Asociacionit. Ato cenojnë sovranitetin dhe karakterin unitar të shtetit të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë thanë më 28 dhjetor se janë duke punuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të gjetur një zgjidhje politike që të ulen tensionet në veri të Kosovës.

Në një deklaratë të përbashkët, SHBA-ja dhe BE-ja mirëpritën garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmuan se nuk ka lista për arrestimin e qytetarëve serbë ose përndjekjen e atyre që protestojnë paqësisht apo për vendosjen e barrikadave.

(r.m.)