Prishtinë, 31 maj 2024 – Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka bërë të ditur se kadeti Albin Bytyçi e ka përfunduar me sukses të lartë akademinë më prestigjioze të forcave ajrore në botë “US Air Force Academy”.
“Kadeti Albin Bytyçi pas katër vitesh studimi rigoroz dhe sfidues, ka përfunduar me sukses të lartë akademinë më prestigjioze në botë të forcave ajrore, Air Force Academy Point të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftim.
Kadeti i sapodiplomuar Albin Bytyçi do t’i bashkohet Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke sjellë kështu eksperienca të reja, të cilat i fitoi gjatë katër viteve të studimit në këtë akademi prestigjioze.
Në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të këtij brezi, përveç familjarëve dhe mysafirëve të shumtë, ka marrë pjesë edhe zëvendës presidentja e SHBA-së, Kamala Harris, e cila i ka përgëzuar të sapodiplomuarit.
(r.m.)