Kadilli e pranon humbjen, ndonëse garën e quan të pabarabartë

Tiranë, 14 qershor 2021 – Fatbardh Kadilli, i cili u rendit i fundit në garën për kreun e Partisë Demokratike, e ka pranuar humbjen përballë Lulzim Bashës.

Në një deklaratë për mediat, Kadilli ka thënë se ai nuk do të heqë dorë nga projekti i tij për ringritjen e PD-së. Ai ka thënë se nuk do të dorëzohet dhe manifestin e tij do ta shpalosë tek të gjitha strukturat e partisë, në mënyrë që, siç është shprehur, ky të bëhet ligj. Madje, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që të thërrasë edhe referendum.

“Unë nuk jam Luli, unë e pranoj rezultatin. Manifesti politik për ringritjen e PD është projekti kryesor që demokratët kanë përpara. Me këtë manifest PD mund të ringrihet. Unë nuk iki, unë nuk dorëzohen, nuk krijoj parti të re, por do shpalos me këmbëngulje këtë projekt të ri. Vetëm kështu shqiptaret do të kenë një parti të tyre dhe politike bëhet frymëzim për qytetarin.

Unë do të vazhdoj komunikimin intensiv me demokratët. Basha do të njihet me këtë platformë. Unë kam arritur ta përcjell si mesazh, si ide dhe projekt të ri. Ky projekt kishte propozime konkrete dhe con në një ndryshim rrënjësor të kësaj partie.

Jam i bindur që të gjithë demokratët do ta mbështesin dhe unë do ti drejtohem çdo instrument që ky të bëhet ligj në partinë tonë”, ka shkruar ai.

Kadilli ka treguar se ai nuk e ka uruar Lulzim Bashën për fitoren, pasi ka vlerësuar se gara ishte e pabarabartë.

“Kjo garë është e pabarabartë, në këto kushte nuk mund ta uroj. Do ta uroja nëse do të dilte fitues nga një garë e barabartë.  Në këtë parti Luli më ka gjetur dhe do më lërë prapa. Në parti vijmë sepse kemi ide, bindje dhe interesa të përafërta”, është shprehur Kadilli.

Në zgjedhjet e së dielës, kryertari aktual i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka fituar mbi 80 për qind të votave ose 26, 682 vota. Kandidati i dytë më i vlerësuar nga demokratët është Agron Shehaj, i cili i ka fituar 5.186  vota ose 15.55 për qind të votave, kurse kandidatja e tretë, Edit Harxhi, i ka fituar 2.4 për qind të votave.

Fatbardh Kadilli i kafituar 1.8 për qind të votave.

(r.m.)