Kadri Veseli kërkon nga Specialja “gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme”

Hagë, 27 maj 2024 – Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kërkoi sot nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë që procesi gjyqësor ndaj tij, Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit të kryhet në kohë të arsyeshme dhe të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Do të jem i shkurtër dhe i drejtpërdrejtë me juve për faktin se është në interesin publik kjo që do ta them. Janë dy çështje. Çështja e parë ka të bëj me kohëzgjatjen e këtij procesi. Që nga dita e parë kur jemi futur në këtë sallë, Prokuroria ka kërkuar në mënyrë transparente 545 orë. Prej ditës së parë, faktikisht, secili e kemi ditur se 545 orë me procesin që do ta zhvillojmë në këtë sallë, do të kalonin 3 vjet ose 4 vjet, edhe nëse fare asnjë pyetje nuk do të bënte as mbrojtja e as ju si trup gjykues”, tha Veseli në seancën e sotme gjyqësore, ku mori pjesë pas një mungese të gjatë.

“Nuk dua të paragjykoj askënd, por ajo që dua të them është se besoj është në interes të publikut, jo vetëm tonin si të akuzuar, që dikush duhet të marrë përgjegjësinë e vendimmarrjes, që ky proces para popullit të Kosovës të jetë jo vetëm fer, jo vetëm transparent, jo vetëm të respektojë procedurat e Kushtetutën e ligjet e Republikës së Kosovës, por edhe të ruajë dhe garantojë një gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme”, shtoi Veseli.

Ai kërkoi që të mos cenohet besimi i qytetarëve të Kosovës në drejtësinë ndërkombëtare.

“Unë si njëri nga të akuzuarit, i nderuar trup gjyqësor, frikësohem se nëse nuk respektohen këto parime, nuk ka të bëjë me fatin tonë individual, por me një mesazh që do ta dërgojmë te populli i Kosovës, i cili e ka krijuar me vetëdije të plotë, por edhe me besim këtë gjykatë, tek ju si partnerë tanët ndërkombëtarë dhe nuk duhet në asnjë mënyrë të cenohet besimi që ka në shtetin ligjor dhe në drejtësinë ndërkombëtare”, tha ai.

Veseli pati edhe një kërkesë lidhur me avokatin e tij.

“Është edhe një çështje tjetër që ka të bëjë me mua si të akuzuar dhe me avokatin tim. I nderuar trupi gjykues, po e shoh një komunikim që nuk është normal e as profesional. Nuk po paragjykoj, por si i akuzuar kam të drejtë të jap mesazh. Nuk do të doja që në gjëra që janë jashtë realitetit tim të ndikohet e paragjykohet, sepse ka një mos përmbajtje në adresimet e avokatit tim”, deklaroi Kadri Veseli.

(r.m.)