Kafaz ke qiellin!

        ELEGJIA E GËZIMEVE E POETIT…

          – Poema “Vaji i Bylbylit” në tryezën e Dom Ndre Mjedës –

Nga Visar Zhiti

(1 gusht 1937 është data kur u shua poeti Dom Ndre Mjeda, filologjist nderkohë,, përkthyes, mbi të gjitha dhe veprimtar i shquar i çështje kombëtare, rilindas i përhershëm.

Me këtë rast po nxjerrim një shkrim të Visar Zhitit nga Vepra 10 e Dom Ndre Mjedës, të përgatitura nga mjedologu i shquar Prof. Mentor Quku. Vepra 10, postume, përmbledh shkrime për Mjedën si përmbyllje e një pune shumëvjeçare e me rëndësi për poetin e madh.)     

Dy poema të një viti…

Është një mrekulli për letërsinë shqipe, për poemën, kur në shekullin e Rilindjes Kombëtare, pikërisht në vitin 1886, ndërkaq Shqipëria ishte copëz e perandorisë otomane, me kështjellat e rrënuara, me gjuhën amë të ndaluar dhe dalin dy poema të mëdha, dy kështjella krejt ndryshe si të padukshme, njëra: “Bagëti e bujqësia” e Naim Frashërit dhe tjetra: “Vaji i Bylbylit” e Dom Ndre Mjedës.

Nga tryeza e poetit Dom Ndre Mjeda marr poemën e tij “Vaji i Bylbylit”, për të cilën m’u kërkua të sjell një përsiatje timen, një mbresë rileximi.

Bilbili, që poeti e nxori nga kafazi i krahërorit si një zemër që vuan, për t’iu gëzuar jetës, lirisë së saj, do të thosha me pasionin e një mësuesi, nga që dhe kam qenë, ndanë dërrasës së zezë… si një copëz nate e atdheut… dhe do të vazhdoja…

Në poemën e parë, “Bagëti e bujqësia” shpalosen toka, balta, flora e tyre, etj, kopetë e kafshëve, të nevojshme për mbijetesën, një peizazh madhështor i atdheut që duhej ribërë, ai entuziazëm krenar vargje-gjatë, kurse në poemën e dytë, “Vaji i Bylbylit” përshfaqen qiell dhe flatra, një zog i vogël në mes, bilbili këngëtar, plot dhimbje e gëzime trishtimesh dhe kumte hyjnore.

A thua kemi bashkë dhe në atë vit pushtimi, të përzierë ekzistencialen me shpirtëroren? Një est-etikë, siç do ta ndante këtë fjalë një shkrimtar ballkanas, të identitetit kombëtar – tek e para, ndërsa tek e dyta – estetikën e njeriut shqiptar. 

Naim Frashëri e shkroi poemën e tij kur ishte 40 vjeç, në Orient, në qendër të perandorisë osmane, në Stambollin ku jetonte, por e botoi në Bukuresht, në Rumani, se ishte e pamundur ta nxirrte në “Shqipërizën e tij” analfabete, pa shkolla, ku as që bëhej fjalë për shtëpi botuese, ndërsa Dom Ndre Mjeda 20 vjeçar ishte student i filozofisë në Oksident, në Spanjë, në Valencia, në Manastirin Kartauzian “Porta Coeli”.

Të dyja poemat, pra, u shkruan jashtë Shqipërisë nga dy rilindas krejt të ndryshëm, e para si një ëndërr, që ngjan me një të shkuar të përmalluar, e dyta si një vegim, që do të ishte një e ardhme e shqetësuar, të dyja janë madhërsishëm shqip, e para në toskërishten puritane dhe tjetra në gegnishten e amël, një realitet i ri i bukur gjuhe,

Është trashëguar një akademi e tërë kritike letrare për to. Është detyrë e studimeve tona shkuarja më tej. Për Mjedën do të veçoja tani si një majë mjedologun e shquar, profesor Mentor Qoku, që i përkushtoi jetën e tij intelektuale Veprës së Mjedës. Ja, po del Libri i Dhjetë si një amanet nën kujdesin e së bijës me emër verior, Valbona. 

Përsiatja ime për poemën “Vaji i Bylbylit”.

NDËRTIMI I POEMËS

Po shkrihet bora,
Dimni po shkon;
Bylbyl i vorfën,
Pse po gjimon?

Kështu nis… gati si fëminore dhe duket sikur nuk mbaron, jo vetëm prej rrjedhshmërisë aq të kthjellët si të një ujëvare, prej melosit të saj dhe kumteve, të cilat së bashku të gjitha vazhdojnë dhe brenda teje… por dhe nga shkaku i leximeve dhe rileximeve nga gjenerata në gjeneratë në kohë të ndryshme, nga nxënës dhe studentë në banka shkolle dhe auditore, nga poetë dhe kritikë letrarë e studiues, nga populli që lexon,

Maestro Mjeda është virtuoz në prozodi, me figuracion e larmi vargjesh, ai gdhënd me hijeshi siç gdhendet druri…

“Vaji i Bylbylit”, poemë sintetike – do ta quaja, e veçantë në llojin e saj, një kuartet magjepsës, pra, me katër këngë, pjesë, dhe më pas studiues të ndryshëm, që merren me teknikat poetike, numërojnë dhe strofat, dyzet, katërdhjetë, jo, janë më shumë, 57 më dalin mua në botimin e tyre të hershëm, me nga 4 vargje, ndërsa në Këngën e Katërt vargu i fundit i secilës strofë është gjysmë vargu, kështu quhet, nga që ka gjysmën e rrokjeve të vargjeve më sipër. Kumbimi i gjysmë vargut ashtu është më i fuqishëm dhe gjysma që mungon, duket se është jehonë. Te Mjeda kështu.                                                                     Metrika është e ndryshme nga njëra këngë në tjetrën, madje dhe brenda një kënge.

Në Këngën e Parë, nga varg katër rrokësh kalohet në pesë, deri dhe në shtatë rrokësh, në Këngën e Dytë ka vargje nga gjashtë deri në dhjetë rrokësh, por zotëron tetërrokshi tradicional, ndërsa në Këngën e Tretë vargjet shkojnë nga shtatë deri në njëmbëdhjetë rrokje, mbizotërues është nëntë rrokshi aristoktatik. Në Kënga e Katërt, në finalen maestoze, ato që i quajtëm “gjysmëvargje” sipas teknicienëve, janë gjashtë rrokësh, ndërsa vargjet e plotë kanë nga dhjetë rrokje deri në katërmbëdhjetë, sundon njëmbëdhjetë rrokshi superb. 

Po kështu dhe rimat. Në Këngën I rimon vargu 2 me vargun 4 të strofës, pra, skema ABCB dhe aliteracione, kurse në Këngën II skema është ABBC dhe vargu i fundit i çdo strofe rimon me vargun e fundit të strofës pasuese. Në Këngën III rima është e kryqëzuar: ABAB, në Këngën IV rima  është e puthur AABB. Pra, një begati stilistikore dhe brenda një poeme.

Figuracioni letrar gjithashtu. Vërtet më kujtojnë gdhëndjet në dru, ngjashëm me reliefet që gjendet dhe në tryezën muzeale të Mjedës, ai konfiguracion i vaçatë, i zgjedhur dhe i qendrueshëm.

Studiuesit veçojnë inversionin. Unë do të thosha se ai është që në titull: vajtimi dhe bilbili, teksa bilbili zakonisht shihet si zog i gëzimit. Mjeda ndjek kontrastet, ai largohet nga tryeza e tij dhe vështron larg në natyrë dhe gjen në të paralele të botës së brendshme.

Edhe strofa e fundit e poemës duket se është dhe në një kontrast sa të brendshëm edhe të jashtëm me strofën e parë, ku dhe aty është, por shpirtëror, mes mbiemrit i vorfën, që ka pikëllim dhe heshtje dhe foljes shungëlluese gjimon, ndërsa strofa e fundit është po aq dhe vazhdimi përmbyllës, ku nga brenga funddimërore kemi një hov shtegtues, prapë mbi kontraste fushë dhe mal,  magjepsjen dhe pranimin e thirrjes për gëzime:   

Kúr t’shkojsh ndër fusha, kúr t’shkojsh ndër male,
Afër shpiës s’ëme hovin t’änd ndale;
Mahnit’, at zänin tand tui prigiue
                                                  Kam për t’u gëzue
.

ÇFARË ËSHTË BILBILI I MJEDËS? SIMBOL, ALEGORI APO…

Është shkruar shumë për poemën “Vaji i Bylbylit”, për bukurinë e saj deri në përkryerje, copëzimet moderne dhe thellësitë e mendimit filozofik, për misterin e saj, ndërkaq poema është gjakim i hapësirave, arritje e asaj ndjesie siperane, që nis nga kafazi për në lartësitë qiellore, një flatrim sa elegant, po aq dhe i çlirët, duke mbartur trishtime dhe dëshpërim madhor, shpresë dhe thirrje për gëzim, nga e përditshmja deri te hyjnorja.

Poema do të lexohej dhe rilexohej me kritika dhe interpretime nga më të larmishmet.

Në kohën e parë të tij, që në gjallje, u çmua nga bashkëkohësit. Mjedologu,  Profesor Mentor Quku, na jep një informacion, kur në vitet ’30 të shekullit të kaluar vlerësohej nga emrat letrarë si Reporter e Cirka, ndërsa në vitin 1942 Kolë Ashta, profesor dhe imi më pas, do të shkruante: “Mjeda na njofton një trajtë të re arti e cila ngacmon menden e kritikut, qi të vijësojë në rrathë të madhsuem përfytyrimet e shprehuna”.

Përkthyesi i shquar i Dantes, Pashko Gjeçi, në revistën “Kritika”, në vitin 1944, “Vajin e Bylbylit” e sheh si lidhje këngësh të ndryshme që kane vajin të perbashket.

Shkrimtari themeltar Ernset Koliqi do të shkruante për Mjedën:

“Nji tjetër gjâ e bâni të Madh e të padekëshëm: dashunija e stërfuqishme për gjuhë shqipe… dashunonte me nji dashuní të njomë e luftarake kët gjuhë të palavrueme t’onë. E dashunonte si Dijetar e si Atdhetar, e dashunonte edhe si Poet. …për naltësim të shqipes e të Shqipnís”.

Mendoj se do të ishte një nga udhërrëfimet më të mira, ndër të parat, për të shkuar te Mjeda.

Por do të vinte koha e dytë, ajo e gjëmës më të madhe të Bilbilit,  do ta quaja, kur fitimtarët e pas Luftës II Botërore në atdhe do të vendosnin një diktaturë të egër, do të sundonte gjatë Realizmi Socialist, metoda letrare që do të bënte ideologjizimin dhe politizimin tendencioz të letërsisë dhe e vënien e saj në shërbim të regjimit mes nje entuziazmi shterp dhe grotesk.

Mjeda s’do të ishte më, por Vepra e tij – po.

Ai nuk u mohua siç ndodhi me kolegun e tij 5 vjet më të ri, At’ Gjergj Fishta, “Homerin e fundit në Ballkan”, që jo vetëm i ndaluan veprën, po edhe eshtrat ia nxorën nga varri dhe ia hodhën në lumin Drin. Madje dhe në një foto ku janë bashkë, Dom Ndre Mjeda, At’ Gjergj Fishta në mes dhe patrioti poet Luigj Gurakuqi, në tekstet e letërsisë At’ Gergj Fishta nxihej që të mos dukej më.

Vepra e Mjedës do të cungohej në përmbajtje dhe në kuptimësime, në vlerë dhe në besim, pjesë me rëndësi do të liheshin mënjanë, do të përdoreshin të tjerat duke i mëshuar vetëm patriotizmit, duke nxjerrë kumtet që u duheshin dhe duke harruar më të rëndësishmet, poezinë në vetvete, bukurinë dhe emocionin e saj, estetikën e besimit siperan.

Mbase keqinterpretimi është po aq i dëmshëm për poetin sa dhe ndalimi.

          Gjithsesi Mjeda nderohej.

          Të shohim disa këndvështrime për poemën “Vaji i Bylbylit”. Janë thënë për të se në Këngën e Parë na jepet gjendja e Shqipërisë mbas Kongresit të Berlinit, që u mbajt në vitin 1877 dhe Lidhjes së Prizrenit një vit më pas, ndërsa poema është shkruar gati një dekadë më vonë se këto dy ngjarje historike dhe poemës i janë mveshur dhe kuptime parashikuese, e drejtë e leximit dhe kjo.

Në Këngën e Dytë është thënë se Bilbili është Shqipëria në robëri dhe këtu poeti bëhet më i ashpër dhe se lumturia vjen me luftë, etj.

Në Këngët e Tretë Bilbili është dhe Shqipëria dhe poeti, i cili nga dhuna është larguar, ka marrë rrugën e mërgimit…

Në Këngë e Katërt ai, poeti është i ngarkuar me meditime filozofike, se pas dimrit vjen pranvera dhe nga e përgjithshmja shkohet te veçanta, etj, etj.

Pra, “Biblili” ëshë figurë polisemike, përveç se symbol i autorit, merr dhe kuptime të tjera. Dhe nxirren mesazhe të tilla në vijim si liria është ndjenjë, që do të fitohet pavarësisht çdo pengese, etj, etj.

Kritika e “Vajit të Bylbylit” do të kishte dhe emra shkrimtarësh si Sandër Gera a Dashnor Kokonozi e të studiuesve të njohur të Realizmit Socialist si Razi Brahimi apo në Kosovë të akademik Rexhep Qoses e Profesor Milazim Krasniqit, teksa, sipas mendimit qortues të Profesor Mentor Qukut, më ndryshe do ta shihte poemën Rinush Idrizi, që, po sipas tij, ka ndikuar te akademik Sabri Hamiti, që e sheh poemën si “krijim personal”, të mallit dhe të dhëmbjes vetanake, të vetmisë, dëshpërimit, vajtimit, të një revolte dhe rebelimi…

Ndërkaq kemi arritur në kohën e tretë, në të cilën jemi, kur nuk do të ketë më Realizëm Socialist, por rikthim te vlerat e harruara dhe të humbura apo të shtrembëruara, pra dhe tek Dom Ndre Mjeda dhe te koha e tij e parë, do të kemi kështu një vështim më të hapur edhe më të lirë, një vizion postmodern, që nuk e ka shmangur dot tradicionalizmin ideologjizues, edhe pse të ri e të vrazhdë.

Thënë çiltazi, kam përshtypjen se Mjeda është lexuar përgjithësisht më mirë në Kosovë.

Gjithsesi ka vepra siç është dhe poema jonë “Vaji i Bylbylit” që të japin mundësi për vështrime dhe interpretime të ndryshme në kohë të ndryshme dhe në lexime të reja, madje lënë dhe mundësi dëshirimesh, ndërkaq mbetet në to diçka e patjetërsueshme, thelbësore në magjinë e tyre, që po mungoi, mungon e duhura dhe domethëniet e tepërta që mund t’i japen, bëhen edhe më të tepërta, tëhuazuese e shpesh efektkundër e përçudnuese…

Ndërkaq Profesor Mentor Quku e përcakton shkëlqyer: “Ai (Mjeda, shën. imi) nuk don të duket, atij i mjafton të jetë.” Siç është dhe vetë poezia…

 “Vaji i Bylbylit”, sipas meje, mbart një trini, ku edhe pse janë veçmas: Poeti, Bilbili dhe Elegjia, shihen qartazi të shkrira në një, së pari Bilbili me Vajin e vet, dhe mbeten të hijezuar dy të tjerët: ai që shkruan me muzën ose bardi dhe shpirti i tij ose njeriu krijues me krijimin, vetja me vetvetja.

Shoh që në perspektivën vezullim-errët është vetëm Poeti. Poema i ngjan një monologu të brendshëm, të metaforizuar në një bilbil, alter ego e poetit, poeti vetë, që sipas romantizmit modern do të shpalosë credo-n poetike: të shkuarit nga dhëmbja në dhëmbje:

Gjama jote a porsi ankimi
I nji fëmijës që vetun mbet;
Gjama jote a si shungllimi
I nji t’zezës që gja s’ pret.

Porsi dnesë me futë në krye
Nana e shkretë që mbet pa djelm;
Njashtu tine rri tuj shfrye
Njat idhnim që t’u ba helm.

Humbje dhe vdekje. Jetimëri si e fëmijës mbetur vetëm, por dhe e prindit – ende më rëndë. Gjendja e përzishmja zotëron si një natë pa agim. përballë teje dhe e nderkallur brenda teje. T’zinjtë njerëz!

Vetmia e poetit si vetmia e të burgosurit?

Si t’burguemit n’ishull t’detit,
Ku tallazi i thekshëm vrret,
O t’vijë t’ftoftit, o t’vijë t’nxetit,
Vaji zemrën ia pëlset;

Parandjenja këto? Mjeda i mëpastajmë do të arrestohej dy herë nga të huajt pushtues dhe invazorë. Ai do të provonte prangat ashtu si në shpirt, edhe në duar. Por është dhe zgjedhja e tij kjo, që duke e humbur lirinë, të shkosh drejt saj.

Vajtimi kështu nisi para se të ndodhte. Shkretimi do të tallazitej përreth ngjashëm me shkulmet e detit dhe ç’po pëlcet ashtu: zemra apo bilbili?

Njashtu ti rri tuj vajtue
N’njat kafaz që shungullon;
Fisin tand rri tuj mendue
T’zinë atdhe që s’e harron.

Edhe atdheu i zi! Këtu përmblidhen shekuj historie plot vështirësi, natë robërie. Dhe vetmi poeti. E vonë, por ç’mrekulli, ajo erdhi. Vetmia e poetit është e mbushur me këtë botë. Këtu fillon liria, së brendshmi së pari. Në formën magjepse të së bukurës.

Dhe poezia shqipe kështu rinisi.

Naim Frashëri do të shkruante: Do të këndonj bukurinë/ E të lëvdonj Perëndinë, /Perëndin’ e bukurisë/ Q’i dha shije gjithësisë!

Mahnitëse! Po flitet për shijen e botës, ja, ashtu siç flitet sot për pjatat në një tryezë.  

Ndërsa Mjeda tronditshëm kishte sjellë ofshamën bodleriane, të poetëve të mallkuar, kaq marrmendshëm:

Vetë bukuria…/ Kenka për ju nji kob.

Kaq brengë europianë në poezinë shqipe, kaq bukuri të zymtë dhe ku, në vendin që e kishte humbur Europën. Dhe po kthehej sërish përmes dhëmbjes së madhe, edhe pse pa Shekspir, gjithsesi shekspiriane, me poezinë:

Me ditë hyjt me bisedue,
Me pasë sy që me derdhë lot,
Vajin tand ju kishin prue
T’kishin kja për jet’e mot.

          Mjeda bëri që dhimbja jonë të arrinte Qiejt. Dhe prej andej të vinte një tjetër thirrje, që po Mjeda e di. Dhe sipas tij, bota që pëson ndryshime, me rrotullimin e saj metaforik kërkon të na çojë hyjnisht te gëzimi i njeriut,

“Vaji i Bylbylit” është një elegji për gëzimin që vonon, gjithsesi është për gëzimin, që edhe nëse ende nuk ishte kuptuar, pra, pa përgjigjen e shqiptarëve, Poeti prandaj u shfaq… 

Edhe dhimbja nxjerr gëzim, kur edhe gëzimi ka kaq shumë dhimbje, pra, jemi në një udhëtim ndjellës nga terret e brendshme në dritën jashtë nesh, që na hyn përbrenda, sepse është veta jeta dhe ne jemi vetë ajo. Gëzimi është thirrje e Hyut.

Dom Ndre Mjedaështë klerik jezuit, meshtar kombëtar, biblik si krijuesit e mëdhenj. Kjo nuk mund të shmanget, kur flasim për Mjedën, është dhe pjesë qenësore në formimin e tij, në kulturën dhe në krijimin. Do të ishin me interes hulumtimet në këtë drejtim, unë thjeshtë sa e përmenda. Në ikonën e Mjedës argjendon brerorja e poetit.

BIBLA DHE POEMA

“Apo nuk e dini se trupi juaj është Tempulli i Shpirtit shenjtë që banon në ju, që e keni prej prej Hyjit  dhe se ju nuk i përkitni më vetvetes. Sepse jemi blerë me çmim të lartë, prandaj jepini lavdi hyjit në trupin tuaj”, lexojmë në Beslidhjen e Re. (Veprat e Apostujve, Letra e Parë Korintasve 6; 19-20.)

Një përvuajtje të tillë deri në lumturi gjejmë te poeti. Ai nuk do t’i përkasë më vetes, me shpirtin që gufohet në muzën e shndërruar tani në zog, bilbil, që këndon. Kafazi apo tempulli janë njënjëshëm trupëzime, kënga do hapësira, prandaj:

Kafaz ke qiellin…

pafundësinë e bukur e plot mister, ndërsa: 

Epshin pengim…

I ndjej si vargje ndër më të bukurit në të gjithë poezinë shqipe, të të gjitha kohërave, një antitezë shpërthyese: kafaz/qiell, kapërcimi më i lartë, hov qiellor me pengesë njerëzoren si një kundërvënie tjetër tokësore apo thjeshtë brenda nesh. Ç’epsh është ky, ç’pathos? Prag që duhet kapërcyer.

E thamë, poeti do që ta çojë poezinë e tij, ku është dhimbja e jetës, por ai e di, kjo nuk mjafton dhe as misoni nuk është i mjaftë, se:

Ankimi e vaji nuk asht i zoti
Përgjithmonë zemrën me na coptue;

Mbas vajit t’tashëm ka me t’ardhë shendi

Mjeda beson dhe frymëzohet dhe frymëzon. 

“Lum ata që qajnë, sepse do të ngushëllohen” – ushton  “Predikimi në mal”, në Ungjillin sipas Mateut, 5:4. Krishti është për gëzimin e jetës, kryqin e ngritën të tjerët.

Bylbyl, ky shekull or e ças ndrrohet:

Bijnë poshtë të naltit, i vogli çohet;

Edhe natyra po don m’u ndrrue:

Fillo me gëzue.

“Kështu të fundit do të jenë të parët dhe të parët të fundit” – thuhet te “Punëtorët në vreshtë”, në Ungjillin sipas Mateut, 20: 16.

Lehtsim por s’mbramit gjen tuj punue;
Fillo me gëzue.

Urdhër?   Punë, punë, nat e ditë, / Që të shohim pakëz dritë… Atë dritën e qiririt naimjan, që e zgavron natën dhe shpik shtegun mjedjan: Fillo me gëzue. Porosi biblike.  Një fillim i të tanishmes pa mbarim…

EPILOG

TRYEZA E MJEDËS

Është dhe tryeza shekullore e poetit Dom Ndre Mjeda në shtëpinë, ku ai banoi, tashmë muze, pjesë e Kishës në Kukël. 

Në atë tryezë ai shkruante, merrte penën aty, e linte pranë letrave dhe librave, hapte sirtarët, diçka kërkonte, që s’ishte aty, mbase n:e të ardhmen, mbështeste bërrylat, mendohej, shikonte kryqin në mur, shkruante prapë netëve, deri sa zbardhte, punonte veprën e vet, hidhte vështrimin tej dritares së hapur, patjetër që do të jetë futur dhe ndonjë zog dhe i ka kujtuar sërish poemën “Vaji i Bylbylit”, duhej ta rishkruante, teksa përgatiste “Juveniljan” e tij, që t’ia linte letërsisë shqipe.

E gjitha në atë tryezë… që, kur erdhën në pushtet fitimtarët, ata të pas Luftës II Botërore, të diktaturës që shembën tempujt e dogjën Biblën e librat e fesë e jo vetëm ato, e morën dhe tryezën e Mjedës për zyrën e kryetarit të këshillit popullor të Kuklit, kishte qenë partizan ai, etj, etj.

Një nxënës i Mjedës, tashmë mësues në fshat dhe ai, poeti Sandër Gera, e njohu tryezën e mësuesit të tij, u shqetësua, ndërhyri që ta ndërronte, duke u dhënjë një tjetër, mori tryezën e Mjedës në dhomën e tij për ta ruajtur dhe në vitin 1959, kur nisën përçarjet e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, e çoi në Muzeun e Shkodrës.

Aty filloi harrimi i saj dhe i shumëçkaje të vyer. Ai shkujdes ishte dhe qendrim ndaj veprës që u shkrua mbi atë, siç duket dhe objektet, sendet japin dhe marrin nga jetët e njerëzve të tyre, nga fati i përbashkët.

 Tryeza e Mjedës ishte e shekullit XIX, kam lexuar, e kulturës perendimore, e punuar me dorë në dru bredhi dhe rimeso arre, pyll i Veriut, ajo aromë, me gdhendje, me motive floreale, në ballë të cekta dhe të këmbët, i ngjan një dreri, të rënë më gjunjë para Poetit, mbi shpinën e të cilit ai do të shkruante.

  E braktisur në magazinat e shtetit, filluan dëmtimet e saj, deformime dhe çarje, pluhur, sulm insektesh, biologji myku, lagështi dhe  kalbje… ngjashëm me kritikën e socrealizmit.

Ty t’paska ndry mizori,

do të vajtonte Bylbyli i Mjedës mbi tyezë, por:

…bylbyl, ndrron moti…

do të dëgjohej jehona e vargut mjedjan… U shemb Muri i Berlinit, ra perandoria komuniste, po ringriheshin muret e kishave në Shqipëri, u ribënë tempujt…

Dom Nikë Ukgjini, meshtar si Mjeda në Kukël, një ditë prej ditësh do të vinte në Ministrinë e Kulturës në Tiranë, me një kërkesë, ngulmues në të, me mirësinë e meshtarit si Mjeda, pasionant si ai, por dhe i zemëruar, kërkoi ministrin dhe i tregoi se ku po vdiste Tryeza e Poetit, jo, mjaft, duhej restauruar patjetër dhe duhej sjellë aty ku ka qenë, në Kukël, në dhomën muze të Mjedës. Ndryshe nuk ka 100 vjetor të Pavarësisë së atdheut…

Kishte ende Tryezë të Mjedës? Befas m’u kujtua Vaji I Bylbylit…

Dhashë porosinë të zbatohej menjëherë urdhëri, që ajo Tryezë, pikërisht ajo, të nxirrej nga magazinat e Muzeut të Shkodrës dhe të dërgohej në Institututin e Monumenteve në Tiranë… për ringjallje.                                         Dhe ashtu u bë.

Përsëri takohesha me Profesor Mentor Qukun, ai po sillte si dhuratë në Ministri nga kolana e Veprës Monumentale të Mjedës, përgatitës dhe hartues i së cilës ishte, nderkaq kujdesej dhe për mbarëvjatjen e punimeve me Tryezën. S’ishte fjala thjeshtë për të, por për metaforën e mbiTryezës së Poetit.                       Vepra e tij më mirë se në çdo tryezë rri në Historinë e Letërsisë Shqipe, në librarira, te lexuesi. Mjeda, poeti panteonik, ka dishepuj. Poezia qiellore e Lasgush Poradecit është një lartësi tjetër, majë e çelur plot dritë dhe mister.

Vargu i fundit i këngës së fundit të poemës “Vaji i Bylbylit” – simfoni bethovenian e gëzimeve, le të jetë dhe si një korale e atdheut:

kam për t’u gzue.

Chicago, Roselle, Pashkë, 30 mars 2024

Foto Marubi: Dom Ndre Mjeda dhe Luigj Gurakuqi me At’ Gjergj Fishten në mes dhe si botohej kjo foto gjate regjimit të diktatures komuniste.