Në ditët tona, konsumimi i kafesë shihet si i lidhur ngushtë (ndoshta duke e tepruar pak) me një shumëllojshmëri efektesh pozitive. Vetëm javën e kaluar, një studim lidhi konsumin në rritje të kafesë me uljen e rrezikut të vetëvrasjes.
Por, pak shekuj më parë, pirja e kafesë lidhej në mënyrë akoma më të dyshimtë, me një tjetër lloj rezultati pozitiv.
Në “The Lost World of the London Coffeehouse”, Matthew Green tregon për fillimet e atmosferës së kafeneve në Londrën moderne. Kafeja bëri bujë të menjëhershme në Angli: një kioskë e vogël kafeje u hap në 1652 dhe dy vjet më vonë aty shiteshin 600 lloje të ndryshme ushqimesh në ditë me përbërës kafenë.
Gazetari Tom Standage ka shkruar gjerësisht për ngjashmëritë mes kulturës së kafeneve të shekullit të 17 dhe rrjeteve sociale të ditëve tona, duke u ndalur tek kritikat gërricëse e të padurueshme që u bëhen sot këtyre dy kulturave.
Po e reja që sjell ky material është Peticioni i Grave Kundër Kafesë! Dikur anglezët merrnin udhët e Europës për të marrë pjesë në kryqëzata, luftëra të ndryshme dhe rrëzime apo riinstalime princërish, në vend që të qendronin pranë vatravce shtëpiake.
Pikërisht kur gratë menduan se ajo kohë kishte ikur përgjithmonë, u shfaqën kafenetë, ku sipas Peticionit historik të vitit 1667 bëhejpërdorimin “me tepri të asaj Pije të Re, të Pështirë, prej Barbarësh të quajtur KAFE e cila, i katandisi burrat që dikur ishin të fuqishëm e punëtorë të zellshëm në çupërlina francezë, që sorrollaten kot duke dërdëllitur papushim”.
Sipas peticioni kafja ishte një “birrë me llum” që po i bënte burrat impotentë. Po burrat nuk ishin të këtij mendimi.
Shumë shpejt u bë publike: Përgjigjia e Burrave vulgarë ndaj Peticionit të Grave kundër Kafesë. Aty argumentohej se përkundrazi, kafja e bënte “eksitimin më të fuqishëm, ejakulimin më të plotë, duke e veshur spermën me pushtet shpirtëror”.
Pra sipas kësaj përgjigje banale, të botuar në shypin anglez të kohës, kafja ishte në mendjen e frekuentuesve të kafeneve, një lloj viagre e shekullit të 17. Kjo nuk është për t’u habitur se në reklamën për hapjen e kafenesë së parë në Londër, kafeja paraqitet si ilaçi më i mirë kundër shumë sëmundjeve madje edhe për të ndaluar vdekjen e foshnjeve gjatë lindjes. Për këtë grave shtatzana u këshillohej nga reklama që të pinin kafe.
Ky reklamues i papërtuar në ekzagjerime ishte në fakt, një shqiptar Pasqua Rosee, njeriu që hapi kafenenë e parë në Londër dhe që i dha start manisë së re urbane londineze. (Ruben Avxhiu)