Kafja njihej si “vera e Islamit” – bekimi nga Papa dhe legjenda të tjera

Nga Ruben Avxhiu

Ka shumë legjenda se si u zbulua kafja. Një artikull që lexova sot ia jep meritën një bariu etiopian me emrin Kaldi, i cili vuri re që dhitë e tij fillonin hidhnin çakërdiseshin kur hanin disa kokrra që ngjanin si manaferra por më ngjyrëhapur.
Kaldiu i provoi vetë dhe papritmas u ndjeh plot me energji. I mori disa kokrra dhe ia çoi xhamisë së fshatit. Po hoxhës apo fshatarëve të tjerë nuk u pëlqyen dhe vendosën t’i djegin. Mirëpo, aty në zjarr duke u pjekur kokrrat lëshuan një erë shumë joshëse. Kafeja u zbulua kështu aksidentalisht, shkruan Candida Moss për Daily Beast.
Duke nisur nga shekulli i 13,kafja filloi të përhapej nëpër botën myslimane kryesisht nga sufistët Arabisë Jugore, të cilët mendonin se kafja ndihmonte përqendrimin shpirtëror.
Fjala “kafe” në fakt, vjen nga arabishtja “kahva”. Por mendohet se në atë kohë, kuptimi i kësaj fjale ishte “verë”. Dhe në Etiopi njihej fillimisht si “vera e Islamit”.
Po të besosh historianin Al-Xhaziri, pirja e kafes u kthye në pjesë të ritualeve fetare edhe në xhamitë e shenjta të Mekës.
Sipas një legjende persiane, ëngjëlli Gabriel ia dha Muhametit kur ai ishte përgjumësh dhe fuqia që mori prej saj ishte aq e fortë sa të sipas legjendës aim und të rrëzonte 40 armiq nga kali apo të bënte dashuri me 40 gra.
Një legjendë tjetër myslimane e përshkruar nga Moss, e cila e pranon se vetë nuk e pëlqen kafenë, tregon se Mbreti Solomon shëroi një qytet të tërë nga një sëmundje misterioze duke u dhënë kokrra kafeje të zjera.
Me kalimin e kohës, simboli i kafes ndryshoi. Nën Perandorinë Otomane, ajo filloi të shihej me dyshim si një drogë e rrezikshme dhe u dënua nga disa sulltanë njëherësh. Madje Sulltan Murati IV (1623-40) kërcënoi kafexhinjtë se do të shpallte dënim me vdekje për ata që e pinin.
Në botën e krishterë kafja erdhi nga myslimanët.

Reklamë e shekullit të 17 për kafenë Pasqua Rosee në shtypin e Londrës.

Mirëpo edhe këtu filloi të shihej me dyshim. Shikoni këtë shkrim për një protestë të grave angleze që dyshonin se kafja po u jepte burrave dëshira të turpshme erotike. E gërmuar si ngjarje në kohën tonë, ajo u rishkrua me titullin: “Kafja, viagra e shekullit të 17”.

Më keq akoma, Mbreti Çars II i Anglisë mendonte në kafenetë gjendeshin rrënjët e revolucionit. Më 1675, ai i denoncoi ato si vende skandaloze dhe mizantropësh.
Disa priftërinj kishin frikë se kafja do t’i bënte njerëzit myslimanë. Jo më kot kishte ardhur që andej. Disa e quajtën “shpikja e hidhur dhe e zezë e Djallit”.
Debati u ndez dhe shkoi deri te Papa Klementi I VIII që e provoi dhe dha bekimin. Sipas legjendës Papa tha: “kaq e shijshme qenka kjo pije e djallit saqë pse të mos ia hedhim djallit duke e bekuar”. Burrë me mend Papa. I bindi kundërshtarët se ia punuan djallit.
Në fakt, jo vetëm që u pranua si pije por Italia, vendi ku ndodhet Vatikani, u bë e famshme për kafenë e saj, ashtu si do të bëhej edhe Kolumbia, pasi katolikët e sollën kafen në kontinentin e ri, ashtu si dikur myslimanët e kishin sjellë në Europë.
Edhe në Kolumbi ka një legjendë më vete për punën e kafesë. Bujqit vendas refuzonin ta mbillnin kafenë sepse nuk e njihnin mirë dhe do të nevojiteshin pesë vjet kohë derisa të jepte frytet e para me vlerë. Pesë vjet ishin shumë kohë e gjatë pritjeje për bujqit nevojtarë. Mirëpo sipas legjendës, një prift At Françisko Romero, në një fshat të quajtur Mesa de los Santos bëri një hile të vogël. Në vend që atyre të cilët i rrëfenin mëkatet t’i urdhëronte të thonin lutjet e njohura si “Aty Ynë” i vuri që të mbillnin nga tre pemë kafeje për çdo mëkat.
Duket se Kolumbia e atëhershme nuk banohej nga shenjtorë se shumë shpjet pemët e kafesë u shtuan si kërpudhat pas shiut. Sidomos kur peshkopët arritën në përfundimin se ideja e At Romeros ihte gjenial.
“Industria e kafesë ka në themel mëkatet e stërgjyshërve tanë”, shkruan me humor Moss.
Komplimenete autores që ka hulumtuar aspektin fetar dhe shpirtëror të udhës që ka bërë kafeja në histori. Sot, disa terjaqi kafeje bëjnë pelegrinazhe në vendet më të famshme të prodhimit, njësoj si fetarët që bëjnë haxhë në Mekë apo të krishterët që vizitojnë Bethelemin. A thua se është një fe më vete.
Mbyllja e shkrimit ishte një lezet më vete: “Me kafenetë Starbucks në mbarë botën, njerëzit e fillojnë ditën e tyre me kafe, nëse nuk e bëjnë me lutje. Qofshin ndëshkime priftërinjsh apo pije të djallit, një përfundim është i pashmangshëm: Mbase është Zoti që e bën diellin të ngrihet, por është kafeja që e çon botën në këmbë”.
Mbase Mbreti Çarls dhe Sulltan Murati s’e kishin edhe aq keq për rrënjët e revolucionit.