Kajari: KFOR-i është misioni më i suksesshëm i NATO-s

Prishtinë, 15 tetor 2021 – Gjeneral-majori i ushtrisë hungareze Ferenc Kajari e pranoi të premten detyrën e komandantit të KFOR-it nga gjeneralmajori i ushtrisë italiane, Franco Federici.

Komandanti i ri i KFOR-t, në ceremoninë e pranimit të detyrës, tha se ky është misioni më i gjatë dhe “pa dyshim më i suksesshëm” i Aleancës Veri-Atlantike.

“Që prej ekzistimit të KFOR-it, më 1999, ka fituar respektin dhe njohjen nga të gjitha palët në Kosovë si një mision i paanshëm dhe si mision i aftë ushtarak që është i gatshëm të veprojë kurdo që është e nevojshme, për të ruajtur paqen dhe sigurinë”, tha Kajari.

Ai shtoi se dëshiron që komanda e radhës, pas një viti, ta marrë këtë mision po kaq të aftë për të vazhduar të ofrojë siguri në Kosovë.

Në njoftimin e KFOR-it potencohet se Kajari është oficeri i parë hungarez që merr komandën e këtij misioni.

“Gjeneral Major Ferenc Kajari është oficeri i parë hungarez që merr komandën e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë për një vit si komandanti i 26-të i KFOR-it. Ai pason gjeneral majorin italian Franco Federici”, thuhet në njoftim.

Në kuadër të misionit paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, aktualisht shërbejnë rreth 4,000 ushtarë.

Mandati i KFOR-it është të ofrojë ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet. Ky mandat buron nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999.

(r.m.)