Uashington, 26 maj 2021 – Tetë persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën të mërkurën në mëngjes, kur një njeri i armatosur hapi zjarr në një kompleks për parkimin e tramvajeve në San Hoze të Kalifornisë, thanë autoritetet.
Personi i dyshuar për ngjarjen ishte punonjës i kompleksit dhe gjeti vdekjen gjatë incidentit, tha një zëdhënës i policisë, por pa përcaktuar se si vdiq ai.
Ngjarja ndodhi në një parkim tramvajesh të administruar nga Autoriteti i Transportit Santa Clara Valley, pranë aeroportit kryesor të qytetit.
Një zyrtar tha se të shtënat ndodhën para orës 7 të mëngjesit në një pjesë të objektit ku punëtorët bëjnë mirëmbajtjen e mjeteve dhe jo në qendrën e operacioneve dhe të kontrollit.
Autoritetet kanë marrë informacione rreth pranisë së lëndëve shpërthyese në ndërtesë dhe po punojnë për të siguruar secilën prej dhomave të saj, sipas mediave.
San Hozeja, një qytet me rreth 1 milion banorë, ndodhet në zemër të Luginës së Silikonit (Silicon Valley), një qendër globale e novacionit teknologjik dhe aty kanë selinë disa prej kompanive më të mëdha të teknologjisë në SHBA.
Një bashkëpunëtor i televizionit ABC News raportoi se ndërtesa nuk ishte e hapur për publikun, prandaj personi që shtiu do të ketë patur nevojë për ndihmë nga brenda për të hyrë. Parkimi është një kompleks ndërtesash industriale, pranë shinave hekurudhore.
(Zëri i Amerikës)