Uashington, 6 gusht 2024 – Kandidatja demokrate për presidente e SHBA-së, Kamala Harris, e ka emëruar guvernatorin e Minesotës, Tim Walz, kandidat të saj për nënpresident.
“Tim është lider i dëshmuar, i cili njihet për përmbushje të detyrave për familjet në Minesota. E di që do t’i ketë parimet e njëjta edhe në fushatë dhe në zyrë si nënpresident”, ka thënë Harris përmes një postimi në Instagram.
Tim Walz e ka cilësuar su “nder jetësor” përfshirjen e tij në tiketë presidenciale.
“Jam i tëri i përfshirë”, ka shkruar ai në platformën X.
Ai ka thënë se zonja Harris “është duke treguar politikën e asaj që mund të bëhet” në SHBA.
“Më kujton pak ditën e parë të shkollës”, ka thënë Walz.
“Le ta kryejmë këtë gjë, njerëz”, theksuar ai.
Walz, 60-vjeçar, veteran i Gardës Kombëtare Ushtarake dhe ish-mësues, është zgjedhur nga një zonë me pritje republikane për të qenë përfaqësues në Dhomën e Përfaqësuesve, më 2006, dhe ka shërbyer aty 12 vjet, para se ta fitonte pozitën e guvernatorit të Minestotas, më 2018.
Si guvernator, Walz ka çuar përpara një agjendë progresive që përfshin shujta falas në shkolla, synimet për luftim të ndryshimeve klimatike, ulje taksash për klasën e mesme dhe rritje të numrit të ditëve të pushimit për punëtorët e Minesotas.
Walz e ka ngritur zërin për të mbrojtur edhe të drejtat e grave për riprodhim, mirëpo ka treguar me raste edhe anën e tij konservatore, duke mbrojtur interesat bujqësore dhe të drejtën për armë.
Vendimi i zonjës Harris për kandidatin për nënpresident vjen një ditë pasi ajo e siguroi zyrtarisht emërimin e saj si kandidate e partisë demokrate për presidente, pas votimit pesë-ditor në internet nga delegatët e Kuvendit Kombëtar Demokrat që përfundoi të hënën në mbrëmje.
Ky komitet, përmes një deklarate të lëshuar të hënën pak para mesnatës, tha se 99% e delegatëve kishin votuar në favor të zonjës Harris. Votimi do të certifikohet zyrtarisht në Kuvendin e partisë, në Çikago.
Fushata e zonjës Harris shpreson që karriera e z. Walz dhe imazhi i tij në rrjetet sociale mund të marrin vëmendjen e atyre që nuk kanë vendosur ende për kë të votojnë.
Harris, 59-vjeçare, i ka ringjallur shpresat e Partisë Demokrate për fitore në zgjedhje, prej kur presidenti aktual, Joe Biden, 81-vjeçar, hoqi dorë nga gara.
Në zgjedhjet e 5 nëntorit, Kamala Harris dhe Tim Walz do të përballen me kandidatët e Partisë Republikane për president dhe për nënpresident, Donald Trump dhe James David Vance.
(r.m.)