Uashington, 3 nëntor 2024 – Kandidatja demokrate për Presidente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris, ka kërkuar votën e komunitetit shqiptar në Amerikë.
Në një letër të hapur drejtuar shqiptaro-amerikanëve, zonja Harris e vlerëson lidhjet e fuqishme të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara.
“Amerikanët shqiptarë kanë dhënë kontribute të çmuara për kombin tonë për gjenerata të tëra, duke treguar një angazhim të thellë ndaj familjes, komunitetit dhe përpjekjes për liri. Janë qindra mijëra amerikanë shqiptarë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara dhe qëndresa e komunitetit shqiptar amerikan vazhdon të na frymëzojë të gjithëve”, shkruan jo në fillim të letrës.
“Amerikanët shqiptarë kanë kontribuar në mënyrë të thellë në strukturën e kombit tonë, duke pasuruar komunitetet me shpirtin e tyre sipërmarrës, vlerat e forta familjare dhe angazhimin e thellë ndaj edukimit dhe angazhimit qytetar. Nga pronarët e bizneseve të vogla deri te profesionistët në mjekësi, ligj dhe shërbimin publik, amerikanët shqiptarë kanë luajtur një rol kyç në zhvillimin e ekonomive lokale dhe forcimin e strukturës sociale të qyteteve dhe fshatrave në të gjithë vendin”, shkruan ajo.
Zonja Harris i vlerëson lidhjet e fuqishme mbi njëshekullore të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara. Ajo kujton mbështetjen historike të Shteteve të Bashkuara për pavarësinë e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris.
“Që prej më shumë se një shekulli, duke filluar nga Konferenca e Paqes në Paris, pas Luftës së Parë Botërore, amerikanët dhe shqiptarët kanë ndarë një lidhje të veçantë. Edhe sot, amerikanët shqiptarë e kujtojnë se ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato që u qëndruan pranë në atë moment të rëndësishëm për pavarësinë e Shqipërisë”, shkruan ajo.
“Dua të konfirmoj partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Shqipëria është një aleat i qëndrueshëm i NATO-s, dhe jam mirënjohës për Shqipërinë për promovimin e stabilitetit në rajon, si dhe për udhëheqjen e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së gjatë muajve pas invazionit të egër të Rusisë në Ukrainë”, premton zonja Harris.
Kanidatja demokrate për Presidente të Shteteve të Bashkuara kujton edhe mbështetjen amerikane për pavarësinë e Kosovës, prej fundshekullit të kaluar e deri në ditët e sotme. Njëkohësisht premton vazhdimin e mbështetjes për integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
“Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë udhëhequr aleatët dhe partnerët evropianë për të mbështetur Pavarësinë dhe sovranitetin historik të Republikës së Kosovës dhe vazhdojnë të mbështesin një Kosovë multietnike dhe demokratike, të integruar plotësisht në komunitetin ndërkombëtar”, thekson ajo.
Në pjesën pӕmbyllëse të letrës, Zonja Harris e vlerëson votën e shqiptaro-amerikanëve si shumë të rëndësishme për fuqizimin e këtij komuniteti, për prosperitet ekonomik dhe për mbrojtjen e vlerave qytetare e të demokracisë në Shtetet e Bashgkuara të Amerikës.
“I kuptoj sfidat unike në vendin tonë, që shumë nga komuniteti shqiptaro amerikan përballen dhe unë angazhohem për politika që e fuqizojnë këtë komunitet, duke përfshirë luftën për një ekonomi me mundësi dhe mbrojtjen e të drejtave civile për të gjithë. Pjesëmarrja e amerikanëve shqiptarë në demokracinë tonë është më e rëndësishme se kurrë. Së bashku mund të formojmë një të ardhme që pasqyron vlerat dhe aspiratat tona të përbashkëta”, shkruan zonja Harris.
“Faleminderit për gjithçka që kontribuoni në këtë vend të madh”, e përfundon letrën e saj kandidatja demokrtate për Presidente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris.
(r.m.)