Uashington, 22 korrik 2024 – Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, ka thënë se është e nderuar që gëzon mbështetjen e presidentit aktual, Joe Biden për t’i hyrë garës presidenciale të nëntorit dhe që synon fitoren.
“Do të bëj gjithçka që mundem për të bashkuar Partinë Demokratike – për të bashkuar kombin tonë – për të mposhtur Donald Trumpin dhe agjendën e tij ekstreme Projekti 2025”, ka thënë Harris përmes një deklarate.
“I kemi 107 ditë deri në ditën e zgjedhjeve. Së bashku do të luftojmë. Dhe së bashku do të fitojmë”, citohet ajo nga mediet.
Ajo e ka bërë këtë deklaratë, pak pasi Biden ka shprehur mbështetjen për nënpresidenten Harris si kandidate të partisë demokrate për postin e presidentes.
“Vendimi im i parë si kandidat i partisë në vitin 2020 ishte zgjedhja e Kamala Harrisit si nënpresidente. Dhe ka qenë vendimi më i mirë që kam marrë. Sot dua të ofroj mbështetjen dhe përkrahjen time të plotë që Kamala të jetë e emëruara e partisë sonë këtë vit. Demokratë – është koha të bashkohemi dhe të mundim Trump-in. Le ta bëjmë një gjë të tillë”, ka shkruar Biden në platformën X.
Konventa e partisë demokrate, në të cilën emërohet zyrtarisht kandidati i saj për president, do të mbahet prej 19 deri më 22 gusht në Çikago, Illinois.
Nëse zgjidhet kandidate e demokratëve, Harris, 59-vjeçare, ish-prokurore dhe senatore e Kalifornisë, do të bëhet gruaja e parë me ngjyrë në historinë amerikane, që do të garojë për president të Shteteve të Bashkuara.
(r.m.)