Prishtinë, 20 qershor 2023 – Në Kosovë, ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha të hënën mbrëma se në territorin e Serbisë, në afërsi të vendkalimeve në Jarinjë dhe në Merdar, nuk është i mundur kalimi i autobusëve dhe kamionëve që hyjnë nga Kosova për shkak të protestave që po mbahen, në afërsi të tyre. Nuk është i sigurt as kalimi i makinave të udhëtarëve, tha në një njoftim kjo ministri duke u bërë thirrje atyre që janë në rrugë të përdorin vendkalimet tjera kufitare.
“Nëse nuk keni hyrë tashmë në Serbi, ju lutemi, mos udhëtoni përmes Serbisë”, thuhet në njoftim.
Mediat serbe thanë se rrugët janë bllokuar nga vozitës të kamionëve me mallra serbe, si shenjë revolte ndaj vendimit të autoriteteve të Kosovës për të mos lejuar hyrjen e kamionëve me targa dhe mallra serbe në territorin e Kosovës, që nga 14 qershori, kur tre pjesëtarë të policisë së Kosovës u arrestuan nga forcat serbe dhe po mbahen në qytetin e Kralevës në Serbi, në një incident që shtoi tensionet edhe ashtu të larta ndërmjet dy vendeve.
Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Gjermania i kanë bërë thirrje Serbisë të lirojë menjëherë policët e Kosovës. Por deri tani Beogradi nuk ka dhënë shenja se është i gatshëm ta bëjë këtë.
Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka ftuar një takim për menaxhimin e krizës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.
Por, ende të dy udhëheqësit nuk e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, ndërsa Bashkimi Evropian tha se takimi duhet të mbahet pa kushte, duke përsëritur thirrjet për uljen e tensioneve.
NATO-ja vendosi trupa shtesë në Kosovë pas tensioneve që shpërthyen që më 26 maj në veri të Kosovës ku grupe protestuesish serbë dolën në rrugë duke kundërshtuar vendosjen në zyra komunale të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga partitë politike serbe.
Komandanti i forcave të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë, Angelo Michele Ristuccia, tha se forcat e tij janë të gatshme të përballen me çdo situatë nëse aktet e dhunës kërcënojnë paqen.
Të paktën 30 paqeruajtës të NATO-s u plagosën në përleshjet me protestuesit serbë në fund të majit.
“Nuk ka një zgjidhje ushtarake në këtë kohë sepse e vetmja mënyrë për të zgjidhur këtë situatë është një vendim politik, i cili bazohet në vullnetin e të dyja palëve për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet tyre. Por së pari duhet ulja e tensioneve”, tha të hënën komandanti Ristuccia në një konferencë me nje grup gazetarësh.
(Zëri i Amerikës)