Otava, 24 nëntor 2021 – Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, ka premtuar se vendi i tij do të mbështesë përpjekjet për njohje të reja të shtetit të Kosovës dhe për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
- Trudeau e ka bërë këtë premtim të martën pasdite, në Otava, në takimin me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidenca e Kosovës njofton se Kryeministri Trudeau ka thënë se Kanadaja do të mbështesë zhvillimin e demokracisë, luftimin e korrupsionit dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Presidentjas Osmani ka falënderuar Trudeaun për mbështetjen e Kanadasë ndaj Kosovës në periudha të ndryshme kohore, duke veçuar mbështetjen për intervenimin e NATO-s në Kosovë më 1999.
Presidentja Osmani ka potencuar shumë fusha në të cilat mund të hapen kapituj të rinj të bashkëpunimit me Kanadanë, nga fusha e mbrojtjes dhe diplomacisë e deri tek tregtia e arsimi. Ajo ka theksuar se Kosova mund të përfitojë nga përvoja kanadeze, posaçërisht për përfshirjen e grave në vendimmarrje.
Presidentja Osmani e ka njoftuar nikoqirin edhe për zhvillimet aktuale në Kosovë.
“Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova po zbaton reforma gjithpërfshirëse, të cilat synojnë forcimin e rendit dhe ligjit, por edhe krijimin e një mjedisi të favorshëm për investime të huaja dhe për krijimin e vendeve të reja të punës”, thuhet në njoftim.
Zonja Osmani ka folur edhe për zhvillimet aktuale në rajon. Ajo ka theksuar se diskursi nxitës nga Serbia, i shoqëruar me ndikimin rus, përbëjnë rrezik potencial për destabilizim të rajonit.
(r.m.)