Kancelari gjerman e pezullon certifikimin e gazjellësit rus “Nord Stream 2”

Berlin, 22 shkurt 2022 – Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se shteti i tij do të pezullojë procesin e certifikimit të gazsjellësit kontrovers “Nord Stream 2”, pas agresionit rus ndaj Ukrainës.

Scholz u ka thënë gazetarëve më 22 shkurt se ai ka kërkuar të pezullohet procesi i certifikimit të projektit nga rregullatori gjerman.

“Kjo tingëllon teknike, mirëpo është hap i nevojshëm administrativ, ashtu që të mos ketë certifikim të gazsjellësit, dhe pa certifikim “Nord Stream 2” nuk mund të funksionalizohet”, citohet Scholz nga Radio Evropa e Lirë.

Ende nuk është bërë e qartë sa do të pezullohet ky proces.

“Nord Stream 2” që kap vlerën e 11 miliardë dollarëve është projektuar të dërgohë gazin rus në Gjermani. Puna për ndërtim të gazsjellësit ka përfunduar, mirëpo ende nuk ka nisur punën, meqë është në pritje të certifikimit.

Pas njoftimit të kancelarit Scholz për gazsjellësin rus, nga Komisioni Evropian thanë se kjo nuk do të ndikojë në furnizimet me energji në Evropë, pasi që ky gazsjellës nuk ishte funksionalizuar.

“’Nord Stream 2’ nuk është ende funksional, nuk furnizon me energji Evropën. Nuk është burim tjetër i energjisë, është një tjetër gazsjellës ekzistues për furnizim…. Nuk ka ndryshim në situatën aktuale”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian.

Ky projekt është kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara dhe disa vende evropiane, të cilat kanë thënë se përmes tij mund të rritet varësia e Evropës në furnizimet ruse të energjisë.

Uashingtoni po ashtu ka thënë se ky projekt do t’i shkaktojë dëme ekonomike Ukrainës, duke ia mundësuar Moskës që të bart gazin përreth Ukrainës dhe në këtë mënyrë ky shtet humb miliarda dollarë në tarifa të transitit.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se nëse Rusia pushton Ukrainën, “atëherë nuk do të ketë Rrjedhë Veriore 2. Ju premtoj, do t’i japim fund”.

Në disa komente të bëra më 22 shkurt, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka kërkuar që të anulohet ky projekt, pasi Rusia ka njohur dy rajone separatiste të Ukrainës të tij si shtete të pavarura dhe ka dërguar trupa ruse atje.

Zelenskyi ka thënë se Rusia duhet të ndëshkohet për këto veprime me “sanksione të menjëhershme” që përfshijnë edhe ndaljen totale të “Nord Stream 2”.

(r.m.)