Berlin, 15 prill 2022 – Kancelari gjerman Olaf Scholz planifikon të shpenzojë dy miliardë euro shtesë për pajisje të reja ushtarake, kryesisht për të ndihmuar Ukrainën, tha të premten një burim qeveritar, raportoi Reuters.
Një shtesë prej 400 milion eurosh është caktuar për Fondin Evropian të Paqes, i cili blen armë për Ukrainën, ndërsa disa shpenzime të tjera do të jenë për dërgesat bilaterale në Ukrainë dhe gjetkë, tha burimi, të premten, më 15 prill.
Më herët, ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, tha se gjermanët duhet të fillojnë të kursejnë energji për t’u bërë më të pavarur nga karburantet fosile ruse, gjë që do të ishte gjithashtu një nga përgjigjet ndaj Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës, më 24 shkurt.
Ai tha se Gjermania mund të bëhet më pak e varur nëse qytetarët reduktojnë konsumin e energjisë, duke propozuar përdorimin e trenave ose biçikletave, sa herë që është e mundur, në vend të vozitjes me automjete.
“Çdo kilometër që nuk kalohet, kontribuon në ikjen më të lehtë nga furnizimet me energji të Rusisë. Gjithashtu e mbrojmë edhe klimën”, tha Habeck në një intervistë për Funke Media Group.
Habeck tha se një reduktim prej 10 për qind të konsumimit individual të energjisë është i mundur, duke shtuar se punëdhënësit mund të kontribuojnë duke u ofruar punëtorëve mundësinë për të punuar nga shtëpia, kudo që të jetë e mundur.
Në kohën kur numri i rasteve të vdekjeve të civilëve në Ukrainë po rritet ditë për ditë, Gjermania është nën presion për të hequr dorë nga gazi dhe nafta ruse. Kritikët thonë se të ardhurat që siguron nga nafta dhe gazi e ndohmojnë Rusinë të vazhdojë luftën. SHBA dhe BE kanë vendosur një sërë sanksionesh ndaj Rusisë.
(REL)