Kancelari Nehammer: Austria mund të ndihmojë në dialogun mes Kosovës e Serbisë

Vjenë, 12 janar 2023 – Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, shprehu gatishmërinë e vendit të tij të bëhet “urë lidhëse” midis Kosovës e Serbisë, por theksoi se dy vendet duhet të gjejnë një zgjidhje dhe të krijojnë një të ardhme prosperuese për veten.

“Austria e sheh vetveten më së pari jo vetëm në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, por në lidhje me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor si urë me Bashkimin Evropian. Pra, dhe në këtë ne e shohim veten si urë lidhëse. E, të dyja shtetet duhet të gjejnë mënyrë që të ballafaqohen me njëri-tjetrin dhe të krijojnë një të ardhme prosperuese, paqësore për aq sa është e mundur. Pra me rëndësi është që partnerët ndërkombëtarë të lënë aq hapësirë që të dyja shtetet të mund të vendosin se sa larg mund të shkojnë në negociatat e tyre”, tha kancelari Nehammer të enjten në Vjenë, në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Kancelari Nehammer tha gjithashtu se Austria do të jetë e gatshme të ofrojë ndihmën e saj në dialogun mes Kosovës e Serbisë.

“Austria do të jetë e gatshme të ofrojë ndihmë për çështjet që për arsye të ndryshme nuk mund të gjendet kompromis mes palëve në një moment të caktuar. Besoj se Austria është partnere e mirë në këtë drejtim dhe kjo për shkak të historisë austriake. Në të kaluarën tonë kanë ndodhur shumë gabime dhe ne kemi nxjerrë mësime nga ato gabime. Me këtë përvojë historike ne ofrojmë ndihmë në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Pasi paqja, prosperiteti mund të fitohet vetëm kur bëhemi bashkë”, ka thënë kancelari austriak.

Kancelari Nehammer ka theksuar gjithashtu se palëve në dialog duhet t’u jepet koha e mjaftueshme që të arrijnë një marrëveshje që do të jetë e suksesshme.

“Varet jo vetëm nga negociatorët që marrëveshja të jetë e suksesshme, por është me rëndësi që të mundësohet koha e mjaftueshme për të gjetur rrugën e përbashkët. Pra, ne jemi aty si urë lidhëse, si ndërtues urash. Sigurisht kemi pasur diskutime dhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe gjithmonë jemi në kërkim të gjetjes së zgjidhjeve të qëndrueshme për në këtë drejtim”, ka thënë ai.

Kancelari austriak ka thënë se e mbështet thirrjen e Kosovës për shtimin e trupave në NATO-s dhe ka shtuar se Austria është e gatshme të dërgojë forca mbështetëse në misionin e Aleancës në Kosovë, KFOR.

“Austria ofron më shumë se 300 ushtarë që kryejnë detyrat për siguri në Kosovë. E mbështesim thirrjen e Kosovës për shtim të numrit të trupave të NATO-s, në Kosovë për siguri më të madhe dhe do të jemi të gatshëm që të ofrojmë trupa mbështetës nëse KFOR na e kërkon këtë gjë. Është më rëndësi të dihet se edhe komunitetet e ndryshme pajtohen me praninë e trupave të KFOR-it, pra jemi plotësisht të bindur dhe të gatshëm që të ofrojmë më shumë trupa nëse kjo kërkohet nga NATO dhe KFOR dhe qëndrojmë në dispozicion që të kontribuojmë në dialog sido që të na kërkohet”.

(r.m.)