Berlin, 11 prill 2022 – Gjermania do të ketë një vëmendje të shtuar ndaj Ballkanit Perëndimor, si përsa i përket përforcimit të marrëdhënieve mes rajonit dhe Bashkimit Europian, ashtu dhe, duke rigjallëruar procesin e Berlinit të nisur në vitin 2014. Në konferencën e përbashkët me kryeministrin shqiptar Edi Rama në Berlin, kancelari gjerman Olaf Scholz përsëriti disa herë rëndësinë që BE-ja duhet t’i kushtojë rajonit, edhe nën optikën e zhvillimeve të fundit me agresionin rus në Ukrainë.
“Ballkani Perëndimor dhe integrimi i tij në Bashkimin Europian është shumë i rëndësishëm për mua. Në shumë raste kam tërhequr vëmendjen që është një nga detyrat më të rëndësishme që ka Europa para vetes, pikërisht që të mundësojë këtë integrim. Për Gjermaninë, Ballkani Perëndimor ka rëndësi strategjike, si pjesë e Europës dhe pjesë e familjes europiane”, deklaroi kancelari gjerman, duke shtuar se “agresioni vrastar dhe i pakuptimtë i Rusisë kundër Ukrainës na bën të qartë dhe në mënyrë të dhimbshme, se arritjet europiane të dekadave të fundit nuk janë më diçka e vetëkuptueshme”.
Pikërisht në këtë optikë, kancelari gjerman theksoi se vendi i tij “angazhohet me këmbëngulje për fillimin sa më shpejtë të jetë e mundur të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Kjo është në interesin tonë të përbashkët dhe kjo ka rëndësi vendimtare për stabilitetin në rajon dhe në këtë kuadër për të gjithë Europën”.
Nga ana e tij kryeministri Edi Rama u shpreh i inkurajuar nga gatishmëria e Gjermanisë “për të shtyrë me më shumë vendosmëri përpara procesin e integrimit Europian të Ballkanit Perëndimor, e natyrisht duke filluar nga përmbushja e një faze të procesit për sa i takon Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, që shpresojmë të ndodhë në Këshillin e ardhshëm të muajit qershor”. Zoti Rama kërkoi gjithashtu dhe angazhimin e Gjermanisë në nivel europian dhe për “procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Është një proces i merituar prej shumë vitesh, por i bllokuar dhe shpresojmë që të çlirohet sepse na intereson shumë sepse të gjitha vendet e Ballkanit, të marrin atë që meritojnë, në raport me ecurinë e tyre drejt Bashkimit Europian”.
Kancelari gjerman bëri të ditur se ai synon të rigjallërojë dhe Procesin e Berlinit, një nismë e pararendëses së tij Angela Merkel, që synonte të nxiste bashkëpunimin rajonal si një mjet për përshpejtimin dhe të vetë integrimit të rajonit në BE. “Unë dëshiroj ta rigjallëroj procesin e Berlinit. E rëndësishme tani janë përparimet në ngritjen e një tregu të përbashkët rajonal. Krijimi dhe garantimi i katër lirive bazë: qarkullimi i lirë i personave, mallrave e shërbimeve e kapitaleve ka rëndësi për gjithë rajonin… në mënyrë që prej kësaj të arrihet diçka që të çojë në një anëtarësim në Bashkimin Europian dhe një zhvillim paqësor për Ballkanin Perëndimor dhe të përfudnojë në zhvillim ekonomik për Ballkanin Perëndimor”.
Kryeministri Rama, i cili është një mbështetës i zjarrtë dhe i Nismës Ballkani i Hapur, së bashku me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, u shpreh “i bindur që do të mirëpritet në gjithë Ballkanin Perëndimor qëndrimi i Kancelarit dhe shprehja e dëshirës për t’i dhënë një impuls të ri procesit të Berlinit. Procesi i Berlinit është një vizion jashtëzakonisht i rëndësishëm për rajonin tonë e është një proces që e ka sot më shumë se asnjëherë të nevojshëm një impuls të ri për shkak të një ngadalësimi dhe të një përhumbjeje le të themi në kanalet e burokracisë në Bruksel”. Ndërsa për Ballkanin e Hapur theksoi se kjo nismë, për të cilën tha se kishte biseduar me udhëheqësin gjerman, “nuk është asgjë tjetër, përveçse një përpjekje për ta jetësuar Procesin e Berlinit, duke e zotëruar si proces në mënyrë të përditshme dhe patjetër që rivitalizimi i Procesit të Berlinit është gjëja me ë mirëpritur dhe përfshirja të gjitha vendeve në përpjekjen për të jetësuar në Ballkan të katër liritë e Bashkimit Europian, lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve e shërbimeve, është gjëja e duhur për të garantuar paqen, për të garantuar bashkëpunimin rajonal e për të garantuar të ardhmen”.
Kancelari gjerman përgëzoi Shqipërinë për hapat përpara në realizimin e reformave në vend, si dhe qëndrimet e saj në politikën e jashtme, në një linjë me Bashkimin Europian, apo dhe rolin e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në Nato apo dhe në OSBE, lidhur me agresionin rus në Ukrainë. “Së bashku, ne i kërkojmë presidentit Putin tani të bjerë dakord për një armëpushim, të mundësojë furnizimin humanitar dhe të zhvillojë negociata të vërteta paqeje”, u shpreh kancelari gjerman.
(Zëri i Amerikës)