Kandidati për postin e Sekretarit të Mbrojtjes përballet me pyetje të vështira në Senat

Uashington, 15 janar 2025 – Pete Hegseth, zgjedhja e Presidentit të ardhshëm Donald Trump për postin e Sekretarit të Mbrojtjes, u përball me pyetje të forta gjatë seancës së konfirmimit të tij në Senat.

Ai tha para senatorëve të martën se do të rikthente llogaridhënien dhe “karakterin e luftëtarit” në ushtrinë e vendit.

Zoti Hegseth kishte mbështesit dhe kritikët e tij brenda komisionit të Forcave të Armatosura të Senatit.

Në fjalën e tij në fillim të seancës, zoti Hegeseth nuk e trajtoi çështjen e akuzave ndaj tij për abuzim seksual, përdorim të tepruar të alkoolit, apo mbi pikëpamjet e tij nënçmuese mbi rolin e grave në ushtri si dhe të pakicave. Ai u përqëndrua tek përvoja e tij në ushtri si ish-veteran i luftës.

Është koha për t’i dhënë timonin dikujt që ka qënë në fushëbetejë, një personi që do të ofrojë ndryshim“, tha zoti Hegseth në fjalën e tij hyrëse.

I pyetur drejtpërdrejt në lidhje me akuzat për sulm seksual, zoti Hegseth e hodhi poshtë ato duke i konsideruar si një “fushatë shpifjesh”.

Por i nxitur nga pyetje me karakter personal mes tyre dhe tradhtitë bashkëshortore zoti Hegseth tha se “ai nuk ishte një njeri i përsosur”.

Senatorët shpenzuan disa orë me pyetje drejtuar zotit Hegseth. Kryetari i Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura, senatori republikan Roger Wicker, pranoi se përzgjedhja e zotit Hegseth në krye të Penatgonit është e zgjedhje e “pazakontë” ndërsa demokratët ngritën shqetësimin rreth atyre që i quajtën akuza “jashtëzakonisht alarmante” kundër tij.

Senatori Wicker, e krahasoi zotin Hegseth me vetë zotin Trump. Ai i hodhi poshtë akuzat e ndryshme ndaj tij duke i cilësuar si të pabaza dhe tha se ai “do të sjellë energji dhe ide të reja duke tronditur burokracinë”, në Pentagon.

Por senatori demokrat Jack Reed, tha se zoti Hegseth është “i pakualifikuar për të përmbushur kërkesat e forta që ka pozita”, e sekretarit të mbrotjes.

Zoti Hegseth ishte kryesisht i panjohur në Kongres Capitol Hill kur zoti Trump e caktoi atë për postin më të rëndësishëm në Pentagon.

Ai ka punuar si gazetar i rrjetit televizv “Fox News”, që nga viti 2014 dhe që me sa duket i ra në sy presidentit të zgjedhur, një konsumator i zjarrtë i programeve televizive dhe lajmeve.

Zoti Hegseth, 44 vjeç, është shkolluar në universitetin prestigjioz ‘Princeton’ ai ka shërbyer në Gardën Kombëtare të Ushtrisë nga viti 2002 deri në 2021, duke u vendosur në Irak në vitin 2005 dhe Afganistan në 2011. Ai është nderuar me dy medalje trimërie nga Forcat e Armatosura për merita në shërbimin ushtarak. Por atij i mungon përvoja e drejtimit të një institucion i të madh, siç është Pentagoni dhe ajo në fushën e sigurisë kombëtare.

Zoti Trump i ka dalë atij në mbrotje, duke thënë se zoti Hegseth ka “mbështetjen e plotë të tij” edhe në një postim të martën herët në mëngjes.

Seanca dëgjimore shënoi fillimin e një maratonë njëjavore ndërsa senatorët do të shqyrtojnë me kujdes përzgjedhjet e zotit Trump për më shumë se 12 poste të larta të administratës së tij.

Zoti Hegseth përballet ndoshta me rrugën më të vështirë për tu konfirmuar në Senat, por aleatët e republikanëve janë të vendosur ta shndërojnë çështjen e zotit Hegseth në një kauzë të qasjes qeverisëse të zotit Trump, mes luftërash kulturore në vend.

Grupet e jashtme, përfshirë ato të lidhura me Fondacionin Heritage, një institut që mbështet politikat konservatore, kanë zhvilluar fushata të kushtueshme për të mbështetur emërimin e zotit Hegseth.

“Ai do të goditet, do të përçmohet, por për të do të flitet”, tha senatori republikan Tommy Tuberville, në një takim me ish-përfaqësues të forcave speciale të ushtrisë dhe marinës, që mbështesin emërimin e tij.

Ne do t’ia dalim ta konfirmojmë atë“, shtoi ai.

Në audiencë gjatë seancës dëgjomore ishin të pranishëm persona me veshje që dëshmonin mbështetje për ata që shërbejnë në ushtri, por kishte edhe protestues të cilët ndërprenë në një moment seancën, por u larguan nga salla.

Senatorja demokrate Elizabeth Warren tha se Hegseth kishte bërë “një kthesë të madhe në qëndrimet e tij brenda një afati të shkurtër kohor”, që kur zoti Trump e zgjodhi atë për të shërbyer në postin e Sekretarit të Mbrojtjes.

“Për 12 vjet, ju ishit mjaft të hapur për pikëpamjet tuaja dhe pikëpamjet tuaja ishin vazhdimisht të njëjta: gratë janë ushtare inferiore. Më pas më 9 nëntor 2024, vetëm 32 ditë pas komenteve tuaja të fundit publike duke thënë se gratë absolutisht nuk duhet të angazhohen në luftime, ju deklaruat se ‘disa nga luftëtarët tanë më të mëdhenj janë gra'”, tha senatorja Warren të martën.

Në një shkëmbim të nxehtë, senatorja demokrate Kristen Gillibrand, i tha zoti Hegseth se ai duhet të ndryshonte mënyrën se si e shihte rolin e grave”, në ushtri.

Në përgjigje të komenteve të senatorëve Warren dhe Gillibrand, zoti Hegseth premtoi se gjatë mandatit të tij gratë do të shërbejnë në ushtri dhe në operacionet tokësore, në fushëbetejë. Ai tha se ushtria “ishte pararojë në nismat e guximshme për integrim racor”.

Por ai shtoi se diversiteti modern dhe politikat e gjithëpërfshirjes “përçajnë” trupat dhe nuk i japin përparësi “meritokracisë”.

Kandidatët për anëtarë të kabinetit të Presidentit duhet të marrin shumicën e votave për t’u konfirmuar. Senati amerikan përbëhet nga 53 republikanë, 45 demokratë dhe dy të pavarur.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*