Kandiq: Serbia nuk do t’i hapë arkivat e periudhës së luftës

Beograd, 8 qershor 2021 – Natasha Kandiq nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi, thotë se nuk beson që Serbia do t’i hapë arkivat e saj, për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Kandiq i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Serbia nuk do të japë dokumente, të cilat ajo nuk ia ka dhënë as Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi, që njihet si Tribunali i Hagës për krime të luftës në ish-Jugosllavi.

Komente e Kandiqit vijnë pas deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ka potencuar rëndësinë që të hapen arkivat shtetërore të Serbisë, për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Kandiq: Nuk pritet shumë nga Serbia

Natasha Kandiq nga Fondi për të Drejtën Humanitare, thotë se Serbia i ka dorëzuar dokumente Tribunalit të Hagës për krime të luftës në ish-Jugosllavi, të cilat ky tribunal i ka shfrytëzuar në lëndët në bazë të të cilave ka sjellë aktvendimet dhe i ka konfirmuar faktet që gjendeshin në paditë ndaj të akuzuarve për krime të luftës. Sipas saj, Kosova mund të kërkojë nga Tribunali i Hagës që të ketë qasje në këto dokumente. Ndërkaq, për sa i përket hapjes së arkivave, ajo nuk beson që Serbia do ta bëjë këtë.

“Nuk mund të pritet, të paktën unë nuk besoj, që Serbia të japë ato dokumente, të cilat ajo nuk ia ka dhënë as Tribunalit të Hagës. Ka pasur me të një marrëveshje që, duke u thirrur në sigurinë nacionale, disa dokumente nuk i ka zbardhur dhe nuk ia ka dorëzuar Tribunalit të Hagës. Nuk mund të pritet diçka më shumë nga Serbia”, thotë Kandiq.

 Ajo shtoi se Serbia ka proklamuar se dëshiron që çështja e të pagjeturve të shihet vetëm si çështje humanitare. Autoritetet e saj, thotë Kandiq, kanë thënë se pala e Kosovës mund të sinjalizojë për cilindo vend të dyshuar si varrezë masive në Serbi dhe se kjo e fundit është deklaruar e gatshme të mundësojë që ato lokacione eventuale të hulumtohen dhe gërmohen si varreza të mundshme masive.

Hapja e arkivave dhe pasojat juridike

Megjithatë, siç thotë Kandiq, Serbia nuk do t’i hapë arkivat, sepse kjo do të prodhonte pasoja juridike.

“Sipas mendimit tim, Serbia nuk është e gatshme që përmes çështjes së të pagjeturve, të kthejë çështjen e përgjegjësisë penale, para së gjithash të gjeneralëve të saj”, u shpreh Kandiq.

Ajo shtoi se megjithatë, Kosova ka mjaft fakte për të shtruar pyetjet për personat e zhdukur në lokacione të caktuara, si për shembull në Beleg, në Krelan dhe në vende të tjera.

Siç thotë ajo, një numër i rëndësishëm i mbetjeve mortore të personave të zhdukur në Krelan, janë gjetur në liqenin e Peruqacit, por ka indikacione që jo të gjithë trupat janë nxjerrë nga ky liqen dhe se ka ende trupa të fundosur. Të dhënat për këta të zhdukur, siç thotë ajo, gjenden në duart e institucioneve të Serbisë.

Gjithashtu, sipas saj, ka prova që trupat e disa ushtarëve serbë gjenden ende në Koshare në Kosovë.

Informacionet, “në duart e gjeneralëve”

Deri më tash, siç ka theksuar Kandiq, të dy delegacionet, të Kosovës dhe Serbisë, për çështjen e personave të pagjetur, kanë bërë akuza të përgjithshme në adresë të njëra tjetrës, Por, sipas saj, “nuk ka pasur bisedime të palëve ku të tregohen konkretisht lokacionet dhe më pas të thuhet që nuk ka vrasje masive pa përgjegjësi dhe pa dijeninë që ato vrasje masive janë kryer në zonat e caktuara të përgjegjësisë” të gjeneralëve të caktuar.

“Informacionet dhe të dhënat janë në duart e tyre (gjeneralëve të caktuar serbë)”, theksoi Kandiq.

Ajo shtoi se ngjashëm mund të kenë informacione edhe për të zhdukurit serbë tek ata që kanë udhëhequr ose komanduar në zonat e caktuara operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Në këtë mënyrë, çështja e të pagjeturve mund të zgjidhjet lehtë në aspektin humanitar. Por, unë mendoj që kjo nuk mjafton, sepse prapa vrasjeve dhe bartjeve të trupave (të shqiptarëve) në Serbi qëndrojnë institucionet, ashtu sikurse që pas zhdukjes së serbëve në qershor të vitit 1999 qëndrojnë ish-komandat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, theksoi Kandiq.

“Të hapen arkivat”

Më 7 qershor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar drejtorin rajonal të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për Evropën dhe Azinë Qendrore, Martin Schuepp, me të cilin ka diskutuar çështjen e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur.

Në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e kryeministrit të Kosovës, thuhet se kryeministri Kurti ka thënë që çështja e të pagjeturve është një plagë e hapur dhe ende e pashëruar.

“Është shumë me rëndësi që të hapen arkivat shtetërore të Serbisë, sepse krimet nuk janë kryer nga individë, por nga shteti serb”, ka theksuar Kurti.

Domosdonë e hapjes së arkivave të ushtrisë dhe policisë së Serbisë, autoritetet e Kosovës e kanë theksuar në vazhdimësi. Një gjë të tillë e kishte potencuar edhe Ibrahim Makolli, kryesuesi i delegacionit të Kosovës për bisedime për të pagjeturit, gjatë gërmimeve në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë, më 26 maj të këtij viti.

“Vazhdoj të mendoj që Serbia nuk ka nevojë të kërkojë informata shtesë dhe as dëshmitarë të tjerë. Ajo që do të mjaftonte është që të hapë arkivat e ushtrisë, sepse aty gjendet e vërteta se ku janë këta trupa”, pati theksuar Makolli.

Kosova ka mohuar se ka arkiva të luftës

Autoritetet e Serbisë më parë kanë theksuar që pala e Kosovës duhet të japë informacione për zbardhjen e fatit të të pagjeturve të nacionalitetit serb dhe atij rom, si dhe të tjerëve, të cilat, siç kanë theksuar “eventualisht mund të gjenden në arkivat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Autoritetet e Kosovës patën mohuar se kanë arkiva të tilla.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës me pyetjet se sa është reale të pritet që Serbia të hapë arkivat e saj për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, si dhe në anën tjetër, a janë të gatshme autoritetet e Kosovës të bashkëpunojnë me palën serbe lidhur me kërkesat e saj. Por, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë thënë se nuk duan të përgjigjen ndaj këtyre pyetjeve.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, të zhdukur kanë qenë rreth 6,500 persona.

Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Gërmimet e fundit janë bërë muajin e kaluar në varrezën masive në Kizhevak të Rashkës në Serbi.

Institucionet e Kosovës kanë bërë të ditur se në këtë lokacion janë gjetur mbetjet mortore të nëntë kosovarëve, të vrarë gjatës luftës.

Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe 1,639 persona, kryesisht shqiptarë.

(REL)