Kandiq: Serbia po përpiqet ta rishkruajë historinë

Beograd, 10 dhjetor 2021 – Aktivistja e njohur serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, e ka akuzuar Qeverinë e Serbisë se po përpiqet ta rishkruajë historinë.

Zonja Kandiq ka thënë se deklarata e ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, që e mohon Masakrën e Reçakut është pjesë e strategjisë së Serbisë për të prodhuar, siç është shprehur ajo, “një histori të re”.

“Ajo çfarë thotë ministri Vulin është detyrë e tij politike. Derisa është në Qeveri, ai e ka për detyrë të interpretojë sipas qeverisë atë që ka ndodhur në të kaluarën. Ne nuk kemi rrugëdalje nga kjo klimë që e ka çimentuar nacionalizmin etnik ekstrem”, ka thënë Kandiq për Radion Evropa e Lirë.

Kandiq, ish-drejtuese e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, që ka grumbulluar të dhëna për viktimat e krimeve të luftës në Kosovë, ka thënë se gjetjet e kësaj organizate dhe të organizatës ndërkombëtare Human Rights Watch hedhin poshtë pretendimet e autoriteteve serbe se viktimat e Reçakur kanë qenë pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Asnjë e dhënë, as nga Human Rights Watch dhe as nga Fondi për të Drejtën Humanitare, se aksioni në Reçak ishte planifikuar, nuk është vënë ndonjëherë në pikëpyetje”, ka thënë Kandiq.

“Human Rights Watch ka biseduar me së paku 15 dëshmitarë dhe të gjeturat janë mjaft të sakta. Policia e dinte se në fshat kishte edhe civilë dhe aksioni u zbatua në mënyrë krejtësisht joselektive. Nuk është i saktë pfretendimi se civilët janë vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit, sepse është shtënë edhe në shtëpitë ku ishin strehuar ata”, ka theksuar Kandiq.

(r.m.)