Uashington, 25 shtator 2023 – David Kanin, profesor për Studime Evropiane në Universitetin Johns Hopkins, tha se për nga natyra dhe organizimi, sulmi i fundit grupit të armatosur në veri të Kosovës është i ndryshëm nga incidentet tjera të dhunshme në atë zonë.
“Duhet të trajtohet si një akt dhune më vete, i papranueshëm, në të cilin të paktën 30 sulmues të armatosur jo vetëm që vranë një polic të Kosovës, por edhe e sulmuan një manastir serb. Dhe mendoj se ka rëndësi reagimi i kishës ortodokse serbe. Është e qartë se njerëzit në manastir ishin të pakënaqur që ata hynë në manastirin e tyre”, tha ai për Zërin e Amerikës.
Zoti Kanin tha se sulmi i djeshëm në veri ishte një provokim për Kosovën. Ai tha se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, reagoi në mënyrë të përshtatshme, ndërsa Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u përpoq të heqë përgjegjësinë nga vetja.
“Kosova është viktima këtu. Ata janë njerëzit që u sulmuan. Dhe Kurti tha ‘çfarë mund të presësh tjetër, duhet fajësuar Beogradi’. Vuçiq ishte në pozita mbrojtëse, duke u përpjekur ta distancojë Serbinë nga ajo që ndodhi, duke iu referuar sulmuesve si ‘serbë të rebeluar’, duke ua dhënë atyre një lloj konteksti dhe një lloj justifikimi. Por, është e qartë se ai nuk është i kënaqur”, tha ai.
Zoti Kanin tha se sulmi i armatosur i së dielës në veri të Kosovës tregon se të paktën disa serbë ishin të inkurajuar nga qëndrimet e dobëta të SHBA-së dhe BE-së, të cilat ai i cilëson të ashpra ndaj Kosovës dhe të buta ndaj Serbisë. Ai theksoi se tani është e rëndësishme që Perëndimi të jetë i bashkuar në trajtimin e dhunës në veri, veçmas nga procesi diplomatik.
Kanin tha gjithashtu se ky sulm i zvogëlon gjasat për marrëveshje mes Kosovës e Serbisë, gjë që, sipas tij, e dëmton rolin e SHBA-së dhe BE-së në dialogun mes dy vendeve.
“Sulmi i fundit e bën më pak të mundur që të ketë hapa përpara. Dhe kjo shkon në dëm të diplomacinë amerikane dhe evropiane, e cila edhe pa ngjarjen e fundit, ka dështuar. Politika perëndimore ka dështuar në këtë drejtim për një kohë të gjatë, propozimi i tyre ka dështuar”, tha ai.
David Kanin, ish- analist i lartë i CIA-s, nuk pajtohet me mendimin se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë do të shmangte incidentet në pjesën veriore të vendit, siç insiston Presidenti i Serbisë.
“Krijimi i Asociacionit do të ishte shumë në favor të Serbisë. Ajo që do të zhdukej do të ishte një nivel tjetër i sovranitetit të Kosovës në veri. Nëse krijohet Asociacioni, Kosova do ta kishte edhe më të vështirë t’u përgjigjej incidenteve të tilla”, tha ai.
Ai theksoi se sulmi i së dielës në veri të Kosovës i forcon pozitat e Kryeministrit Kurti në kundërshtimin e Asociacionit.
(Citatet janë marrë nga Zëri i Amerikës)