Tiranë, 29 prill 2023 – Në Shqipëri, Policia njoftoi sot se tre prej personave të cilët dyshohet se janë përfshirë në vrasjen e sipërmarrësit Ardian Nikulajt, në mjediset e hotelit të tij në Shëngjin 9 ditë më parë, janë arrestuar në Londër nga autoritetet britanike.
Të mërkurën në mbrëmje policia shpjegoi se vrasja rezulton të ishte kryer nga një grup personash, mes të cilëve një shqiptar me shtetësi dhe britanike, Edmond Haxhia, katër shtetas britanikë Harry Simson, Thomas Mithan, Steven Hunt, Harriet Bridgeman dhe një protugez, Ruben Saraiva. Ky i fundit dyshohet të jetë ekzekutori i Nikulajt.
“Falë shkëmbimit të informacionit në kohë, policia britanike mundi të lokalizojë në Londër, të kapë dhe të vërë në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, 3 prej shtetasve të shpallur në kërkim, konkretisht shtetasit Edmond Haxhia. Thomas Mithan dhe Steven Hunt”, bëri të ditur policia shqiptare përmes një komunikate.
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, e mirëpriti arrestimin e të dyshuarve për vrasjen e Shëngjinit.
“Reagimi i shpejtë i palës britanike është tregues i bashkëpunimit në nivelet më të larta me Policinë e Shtetit dhe një punë e shkëlqyer hetimore e operacionale. Vijon puna intensive edhe për arrestimin e personave të tjerë në atë ekzekutim kriminal dhe vënien e tyre para drejtësisë”, shkruaji zoti Çuçi në Facebook.
Nga hetimet ka rezultuar se vrasja ka lidhje me një hasmëri të vjetër mes familjes së Nikulajt dhe familjes Lekstakaj, me të cilën Haxhia ka lidhje gjaku shumë të afërta. Dyshohet se është pikërisht ai që ka financuar dhe vënë në jetë planin e atentatit. Kqyrja e kamerave të sigurisë, ka zbuluar se njëri prej britanikëve të dyshuar, frekuentonte prej disa ditësh hotelin duke kqyrur lëvizjet e Nikulajt.
Pamjet e momentit të vrasjes, treguan një person me skafandër në kokë dhe me një jelek fosforeshent, i cili hyn në hollin e hotelit dhe godet pak çaste më pas, me disa plumba pistolete dhe nga një distacë e afërt, sipërmarrësin Nikulaj, i cili gjendej i ulur pranë një tavoline.
Ardian Nikulaj, i cili ushtronte veprimtarinë e tij në fushën e hoteleri-turizmit, ishte përfshirë dhe në politikë, si pjesë e Partisë SocialDemokrate dhe aktualisht anëtar i Këshillit Bashkiak të Lezhës.
(Zëri i Amerikës)