Uashington, 11 tetor 2024 – Politikani opozitar dhe gazetari rus Vladimir Kara-Murza u lirua nga një burg rus më 1 gusht si pjesë e një shkëmbimi të gjerë të të burgosurve ndërmjet Rusisë dhe disa vendeve perëndimore. Ai ishte burgosur në prill 2022 me akuzën e tradhtisë, për shkak të kritikave ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë. Ai u helmua pothuajse për vdekje dy herë, në vitin 2015 dhe 2017.
Që nga lirimi i tij, zoti Kara-Murza është përfshirë në mënyrë aktive në përpjekjet diplomatike të opozitës ruse, duke u takuar me presidentët e Shteteve të Bashkuara dhe Francës, si dhe kancelarin gjerman. Gjatë një vizite të fundit në Uashington, ai u intervistua nga gazetarët e Zërit të Amerikës. Duke folur për Shërbimin ukrainas të Zërit të Amerikës, ai diskutoi axhendën që opozita ruse po mbështet në Perëndim.
Intervista në vazhdim është redaktuar për të qenë më e përmbledhur dhe më e qartë.
Zëri i Amerikës: Pas lirimit, ju u takuat me Presidentin Biden, Presidentin Macron dhe Kancelarin Scholz. Cili ishte mesazhi juaj kryesor për ta, në lidhje me politikën ndaj Rusisë?
Vladimir Kara-Murza: Ka dy mesazhe kryesore. Mesazhi i parë është se Vladimir Putini duhet ta humbasë luftën në Ukrainë, sepse nëse ai fiton, kjo do të thotë se në një vit apo një vit e gjysmë, ne do të flasim për një luftë tjetër ose një pushtim tjetër rus, sepse kjo është çfarë bën ky njeri.
Mesazhi i dytë është se kombet demokratike të botës së lirë duhet të kenë një strategji. Ne e dimë nga dy shekujt e fundit të historisë ruse se luftërat e dështuara të agresionit çojnë gjithmonë në ndryshime politike në vend. Sapo Putini të mposhtet në Ukrainë, duhet të ketë një strategji të përgatitur për ri-integrimin e një Rusie të re, të ndryshuar, demokratike, të periudhës pas-Putinit, sërish në Evropë, në botën e qytetëruar dhe në atë që ne e quajmë rend ndërkombëtar i bazuar në rregulla.
Zëri i Amerikës: Nëse Putini humbet pushtetin, si mund të ndodhë demokratizimi? Dikush nga rrethi i tij i brendshëm ka shumë të ngjarë ta rrëmbejë pushtetin.
Vladimir Kara-Murza: Shpresoj të mos vdesë në detyrë dhe të përfundojë në këtë mënyrë. Unë jam i krishterë dhe e di që të gjithë do të përballen me një gjyq atje lart, dhe po ashtu edhe ai. Por unë vërtet dua që ai njeri të ketë një gjyq edhe në këtë jetë.
Për çështjen e ndryshimit, kjo është një diktaturë personale. Nuk është një diktaturë ideologjike si në kohën sovjetike, me Byronë Politike kolektive, kur mund të zëvendësohej personi në krye pa zëvendësuar regjimin. Ky sistem do të shembet shumë shpejt, siç e pamë në vitin 1953 pas vdekjes së Stalinit.
Zëri i Amerikës: Por Hrushovi, i cili zëvendësoi Stalinin, ishte nga rrethi i tij i ngushtë; ai nuk ishte një i panjohur.
Vladimir Kara-Murza: Edhe nëse udhëheqësi tjetër vjen nga i njëjti rreth, ata gjithmonë e bazojnë sundimin e tyre në një mohim të plotë të gjithçkaje që ka ndodhur më parë. Hrushovi ishte një nga njerëzit më të afërt të Stalinit. Ishte ai që liroi miliona njerëz nga gulagët dhe u angazhua në një proces shumë të paplotë, shumë të papërsosur, por që ishte gjithsesi de-stalinizimi që patëm në fund të viteve 1950 dhe fillimin e viteve 1960 – e ashtuquajtura “Shkrirje”.
Zëri i Amerikës: Çfarë përgatitjesh duhen bërë? Si mund ta merrnin pushtetin forcat demokratike?
Vladimir Kara-Murza: Aspekti i brendshëm ka të bëjë me reflektimin dhe llogaridhënien, që unë e quaj një proces të së vërtetës dhe pajtimit. Kjo është e nevojshme për çdo shoqëri që ka pësuar traumën e sundimit totalitar. Të gjithë personat që janë përgjegjës për krimet ndaj qytetarëve rusë, si vrasja e Boris Nemtsovit, vrasja e Alexei Navalnit dhe persekutimin e qindra e qindra të burgosurve politikë, duhet të sillen para drejtësisë. Të gjitha arkivat dhe dokumentet e të gjitha krimeve të kryera duhet të bëhen publike.
Zëri i Amerikës: Po përballja me mentalitetin imperialist rus? A duhet që Rusia të përballet gjithashtu me të gjitha krimet që ka bërë ndaj popujve të tjerë gjatë historisë së saj?
Vladimir Kara-Murza: Është pjesë e së kaluarës totalitare, sepse për vite e vite me radhë, për dekada, regjimi në Kremlin ka kryer krime kundër popullit tonë në Rusi dhe kundër vendeve të tjera, popujve të tjerë dhe kombeve të tjera. Shikoni agresionin dhe luftërat që ky regjim ka bërë ndaj çeçenëve, gjeorgjianëve, Ukrainës – të mos e harrojmë, duke filluar nga viti 2014. Pastaj, në Siri, sigurisht, le të mos harrojmë Shoigun, ministrin e Putinit, që u mburr me armatimet e reja që kishin testuar – testuar! – tek njerëzit, tek civilët në zonat e banuara.
Zëri i Amerikës: Dua të trajtoj argumentin tuaj kryesor për integrimin e Rusisë në Perëndim pas demokratizimit dhe liberalizimit. Argumenti kryesor kundër kësaj do të ishte se Perëndimi e pati provuar tashmë këtë në vitet 1990. Rusia ishte pjesë e G-8ës. NATO-ja dhe BE-ja u angazhuan me Rusinë. Ka marrë ndihma. Megjithatë, ndërsa Rusia u bë më e pasur, ajo u bë më agresive. Sa më shumë të integrohej me Perëndimin, aq më efikase bëheshin aktivitetet e saj keqdashëse ndaj Perëndimit.
Vladimir Kara-Murza: Këtu nuk pajtohem në thelb, sepse i gjithë problemi është se Perëndimi nuk e bëri këtë në vitet 1990. Po, pati disa hapa simbolikë, si G-8, që është vetëm një takim i nivelit të lartë. Por, ndryshe nga vendet e tjera të ish-Traktatit të Varshavës, Rusisë në vitet 1990 nuk iu ofrua kurrë një perspektivë e asaj që unë do ta quaja integrim të nivelit të parë evropian, ose atlantik, me përfitime të prekshme, si tregtia e lirë, udhëtimi pa viza dhe garancitë e përbashkëta të sigurisë.
Zëri i Amerikës: Por këto duan kohë. Ukrainës ende nuk i është ofruar anëtarësimi në NATO…
Vladimir Kara-Murza: Por problemi është se këto hapësira që shfaqen janë vetëm të shkurtra. Ato zgjasin disa muaj në rastin më të mirë dhe Perëndimi e humbi atë mundësi në Rusi në fillim të viteve 1990. Nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë përsëri.
Në vitin 1943, ndërsa Lufta e Dytë Botërore po vazhdonte, qeveria e Shteteve të Bashkuara hartoi Planin Morgenthau për Gjermaninë e pasluftës. Bëhej fjalë për copëtimin, de-industrializimin, poshtërimin dhe në thelb shkatërrimin e Gjermanisë si një shtet funksional. Duke patur parasysh tmerret e bëra në kohën e luftës, emocionalisht ishte shumë e kuptueshme. Megjithatë, udhëheqësit e vendeve aleate perëndimore e kuptuan se nuk mund ta bazonin politikën strategjike afatgjatë mbi emocionet. Pra, Plani Morgenthau u braktis në favor të Planit Marshall, i cili ishte pikërisht e kundërta: të rindërtohej dhe vetëm rindërtohej Gjermania e pas luftës, për ta bërë atë një ekonomi tregu të suksesshme dhe një demokraci funksionale liberale.
Zëri i Amerikës: A duhet të ndodhë kjo përpara apo pasi Rusia të paguajë dëmshpërblimet për shkatërrimin e Ukrainës?
Vladimir Kara-Murza: Duhet të ndodhë njëkohësisht. E vetmja mënyrë për të siguruar paqen, stabilitetin, sigurinë dhe demokracinë afatgjatë në kontinentin evropian është me një Rusi demokratike. Nuk do të ndodhë në asnjë mënyrë tjetër.
(Zëri i Amerikës)