Prishtinë, 26 prill 2022 – Ndihmës-Sekretarja Amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, në një intervistë për T7, ka thënë se në takimet që ka pasur me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me Kryeministrin Albin Kurti, ata nuk vënë asnjë kusht për dialogun me Serbinë.
Donfried ka thënë se Kurti dhe Osmani janë shprehur të gatshëm që të angazhohen “me seriozitet dhe kreativitet” në dialog, dhe nuk kanë shtruar asnjë kusht.
“Kuptimi i qartë që e kam nga ajo që të dy, Presidentja dhe Kryeministri, më thanë është se ka gatishmëri që të angazhohen me seriozitet dhe kreativitet në dialog dhe nuk pati asnjë kusht që u shpreh për këtë”, ka thënë Donfried.
Ajo ka thënë se nuk ka njohuri për afate kohore specifike sa i përket dialogut, por ka theksuar se do të ketë lëvizje pozitive, nëse ka vullnet nga të gjitha palët.
“Së pari, jam shumë e lumtur që jam në Kosovë dhe faleminderit që gjetët kohë për këtë intervistë. Dje pata mundësinë që të flas me presidenten Osmani dhe me kryeministrin Kurti dhe mendoj se ata e ndajnë qëndrimin tonë se sa e rëndësishme është që dialogu i lehtësuar nga BE-ja të ecë përpara. Sipas pikëpamjes sime, është e qartë se e ardhmja e Kosovës është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO. E jetike për të ecur drejt këtyre objektivave është një marrëveshje gjithëpërfshirëse (mes Kosovës e Serbisë) që synon normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, e përqendruar në njohjen e ndërsjellë. Ne e shohim këtë dialog të lehtësuar nga BE-ja si pjesë kyçe të saj dhe për këtë arsye jemi kaq të etur që të shohim përparim. Nuk i di afatet kohore specifike, por mendoj se do të shohim lëvizje pozitive, nëse ka vullnet nga të gjitha anët”, ka thënë Donfried.
(Sipas Express)