Nensi Bogdani
Në përfundim të Pashkëve Ortodokse, përgjatë rrugicave të fshatit të Nartës dëgjohen tingujt e klarinetës dhe zërat e gëzueshëm të dhjetëra të rinjve, të cilët gjallërojnë sheshin kryesor pranë kishës Shën e Diela, përgjatë tre ditëve të karnavaleve.
Karnavalet e Nartës janë një festë që e karakterizon këtë fshat ortodoks dhe nuk ngjasojnë me asnjë kremtim tjetër në vend.
“Nuk festohen askund si këtu në Nartë. Këto festime tre ditore ndodhin vetëm tek ne. Mendohet të kenë filluar 200-300 vite përpara,” i tha BIRN Andrea, një zotëri rreth të shtatëdhjetave, i cili jeton prej 33 vitesh në Greqi, por rikthehet në vendlindje për çdo Pashkë.
Njerëzit me maska dhe kostume tipike të karnavaleve vallëzojnë në formë rrethi nën tingujt e instrumenteve muzikorë, duke performuar gjithashtu rite të veçanta siç është edhe loja e ariut.
Narta është një fshat i Vlorës i cili njihet per kripën, ullinjtë, dhe peshkimin. Ai sot është pothuajse i boshatisur, pasi një pjesë e mirë e banorëve të cilët zotërojnë dokumenta greke kanë emigruar në Europë. Sipas vendasve, sot në Nartë numërohen jo më shumë se 250 banorë.
“Unë kthehem çdo vit pikërisht për kënaqësinë që marr nga këto Karnavale, si edhe nga ajo trokitja e vezës së Pashkës. Më mungon fshati im”, pranon Andrea me nostalgji. Si Andrea, edhe shumë të tjerë kanë zgjedhur jetën në emigracion, ndaj karnavalet shërbejnë pikërisht edhe për të ribashkuar vendasit e ikur.
Konstantino Zarka, një ish banor i fshatit, i cili gjithashtu jeton në Greqi, tregon se për këtë festë rikthehen rreth 10% e popullsisë së dikurshmë të fshatit, e cila përllogaritej të ketë qenë diku rreth 2500 banorë.
Legjendat mbi kuptimin e tre ditëshit të karnavaleve dhe simbolikës së kostumeve janë të shumta dhe secili banor ka shpjegimin e tij.
“Këto kostume dhe maska simbolizojnë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë të vdekur, të cilët ringjallen për çdo Pashkë dhe enden nëpër fshat për tre ditë, njëlloj siç ndodhi dhe me Krishtin, i cili vdiq të premten dhe u ringjall mesnatën e së shtunës për të dielë,” thotë Konstantino Zarka.
Sipas një tjetër banoreje, e cila kujdeset për mirëmbajtjen e kishës Shën e Diela, festa dhe kostumet e karnavaleve kanë lindur si një mënyrë për t’i ikur trishtimit të sëmundjeve të lashtësisë.
“Këto kostume i kanë pas veshur të parët e fshatit tonë. Në Nartë pllakosi kolera para qindra vitesh. Për t’u larguar sadopak nga realiteti i hidhur i asaj kohe, stërgjyshërit tanë krijuan karnavalet,” i tha BIRN Dhimitrula Franxhi, 88 vjeç dhe banore e Nartës. Sipas Dhimitrulës, kjo festë është përdorur që asokohe për të gëzuar fshatin.
Por të moshuarit tregojnë se megjithë vazhdimësinë e traditës, disa gjëra nuk janë më si dikur. “Këto kostume po prishen me kalimin e kohës. Të rinjtë nuk dinë ta ruajnë traditën, ashtu siç duhet. Në kohën tonë karnavalet kanë patur më shumë rregull. Kishim disiplinë të rreptë për rradhën e kërcimit, për stolitë që përdoreshin dhe për vallëzimet që përzgjidheshin,” përfundoi Zarka.