Probleme që mund të dalin kur paraqitet peticioni I-751, Petition to Remove Conditions on Residence
Nga Avokati Kieran Both
Nëse USCIS-i ju ka dhënë statusin e rezidentit të përhershëm me kusht, bazuar në martesën me një nënshtetas të SHBA-së ose me një rezident të përhershëm të ligjshëm, për të kërkuar heqjen e kushtit duhet të paraqisni Formularin I-751. Nëse do ta paraqisni Formularin I-751 së bashku me bashkëshortin ose bashkëshorten që është nënshtetas/e amerikan/e ose ka green card, koha për ta bërë këtë gjë është gjatë periudhës 90-ditore që i paraprin skadimit të statusit të rezidentit me kusht.
Ndodh që klientë të mundshëm vijnë në zyrën tonë atëherë kur nuk kanë paraqitur në kohë ose siç duhet peticionin I-751. Shpesh klientët, në vend që të kishin paraqitur një peticion I-751 për të zëvendësuar statusin e rezidentit me kusht, gabimisht, kanë paraqitur formularin I-90. Mosparaqitja e peticionit I-751 çon automatikisht në humbjen e statusit të rezidentit të përhershëm dhe e bën emigrantin person të deportueshëm. Megjithatë, diçka e tillë nuk është domosdoshmërisht një problem i pazgjidhshëm. Nëse dikush paraqet peticionin I-751 të shoqëruar me një waiver përmes të cilës i kërkon leje emigracionit për të mos e paraqitur formularin I-751 bashkarisht (me bashkëshortin/en), atëherë kërkesa për heqje kushti mund të paraqitet në çdo kohë pasi personi të jetë bërë banor i përhershëm me kusht, madje edhe pas skadimit të këtij statusi, deri atëherë kur për të të jepet urdhër për largim nga vendi.
Për peticionet e dorëzuara me vonesë dhe të pashoqëruara me një waiver, në pjesën përkatëse të formularit I-751 ofrohen udhëzimet e mëposhtme: SHËNIM I VEÇANTË: Nëse mosparaqitja e formularit nuk ishte për fajin tuaj, mund ta paraqisni kërkesën tuaj me vonesë, të shoqëruar me një shpjegim me shkrim si dhe me një kërkesë faljeje për vonesën, drejtuar USCIS-it. Mosparaqitja e formularit para datës së skadimit mund të justifikohet nëse arrini të tregoni se vonesa ishte për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme të cilat ishin jashtë kontrollit tuaj dhe se kohëzgjatja e vonesës ishte e arsyeshme.
USCIS nuk tregohet tepër strikt kur bëhet fjalë për vonesat në paraqitjen e peticioneve I-751. Zakonisht, është mirë kur personi e pranon vonesën ose gabimin, sidomos në rastin kur ka paraqitur gabimisht një aplikim I-90. Gjithmonë duhet të jepet një shpjegim se përse paraqitja e aplikimit është bërë me vonesë si dhe të tregohet se çfarë hapash janë ndërmarrë për të korrigjuar problemin. Njerëzit shpesh kanë ndërmend të divorcohen, ose janë divorcuar ose divorcohen gjatë kohës që peticioni I-751 është në pritje për shqyrtim: Shumë herë, njerëzve që duhet të paraqesin një peticion I-751, por kanë ndërmend të divorcohen ose janë divorcuar ndërkohë, u del nga mendja të aplikojnë.
Një divorc, pavarësisht se kur ndodh, nuk është fundi i një peticioni I-751. Aktualisht, USCIS-i e pranon një peticion I-751 të shoqëruar me waiver kur bëhet fjalë për një martesë të vërtetë që ka përfunduar në divorc, edhe atëherë kur divorci nuk është paraqitur ose finalizuar. Disa njerëz e paraqesin formularin I-751 brenda afatit 90-ditor të sipërpërmendur dhe paraqesin kërkesë për waiver edhe pse procedurat për divorc nuk i kanë filluar ende ose nuk i kanë mbyllur ende. Sidoqoftë, koha se kur duhet paraqitur formulari I-751 mund të jetë e ndërlikuar. Nëse bëni kërkesë për waiver, sepse martesa që nisi në mirëbesim përfundoi me divorc, USCIS-i do t’ju dërgojë një RFE (kërkesë për dëshmi shtesë) ku do t’ju kërkojë një kopje të dekretit përfundimtar të divorcit, dhe atëherë do të keni vetëm 87 ditë për të siguruar këtë dëshmi. Nëse nuk mund ta kryeni aktin e divorcit dhe të paraqisni brenda periudhës në fjalë dokumentin që dëshmon që divorci është kryer, USCIS-i ka të ngjarë t’jua refuzojë peticionin dhe atëherë do t’ju duhet të paraqisni një të ri.
Nëse divorci ndodh gjatë kohës që peticioni I-751 është në pritje, atëherë duhet të paraqisni një kërkesë për konvertimin e peticionit të paraqitur bashkarisht me një që shoqërohet me një waiver që ka për bazë faktin që martesa është prishur. Në këtë mënyrë, do të jeni në gjendje të ruani peticionin e paraqitur më parë pa qenë e nevojshme të paraqisni një të ri, dhe nuk do t’ju kërkohet të paguani një tarifë të re depozitimi.
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: [email protected]