KAS gjobit 15 kryebashkiakë për përdorim të burimeve publike në fushatë

Tiranë, 8 maj 2023 – Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve gjobiti të hënën me 100 000 lekë 15 kryetarë bashkisë njëkohësisht dhe kandidatë të Partisë Socialiste për përdorimin e faqeve zyrtare të bashkive në facebook për fushatë politike.

Sanksionet administrative u morën ndaj kryebashkiakëve Arif Tafani, Belsh; Andis Salla, Cërrik; Armando Subashi, Fier; Gledian Llatja, Elbasan; Redjan Krali,Kavajë; Klement Ndoni, Këlcyrë; Erjon Isai, Kolonjë; Safet Gjici, Kukës; Pjerin Ndreu, Lezhë;  Eriselda Sefa, Lushnje; Qerim Ismailaj, Mallakastër; Nuri Belba, Prrenjas; Pali Kolefski, Pustec; Majlinda Bufi, Rroskovec dhe Elton Arbana, Shijak.

Përdorimi i faqeve zyrtare të bashkive për të reklamuar takimet elektorale u denoncua nga organizata KRIIK, e cila kishte listuar 21 bashki me këtë shkelje.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirian Celibashi i kishte propozuar KAS-it masë administrative në vlerën 30 000 lekë për 21 kryebashkiakë, por në përfundim të shqyrtimit të kërkesës KAS vendosi të gjobisë vetëm 15 prej kryebashkiakëve të denoncuar, të cilët janë njëkohësisht dhe kandidatë në zgjedhjet e 14 Majit.

Kryebashkiaku i Kukësit, Gjici, mori edhe një tjetër gjobë në masën 100 000 lekë për përdorimin e burimeve publike pasi u faktua se kishte zhvilluar takime elektorale në oborrin e dy shkollave 9-vjeçare. Për këto veprimtari politike në ambjente publike u gjobitën dhe drejtorët e shkollave në masën 2500 lekë.

KAS gjithashtu vendosi të marrë masë administrative ndaj Drejtoreshës së Kadastrës Dallëndyshe Bici me gjobë në vlerën 2500 lekë, pasi kishte marrë pjesë në dy takimet e Gjicit dhe kishte bërë thirrje politike për mbështetjen e kandidatit socialist.

Masa ndaj drejtoreshës së Kadastrës u mor pas ankimimit të Qendresës Qytetare për vendimin e Komisionerit Celibashi, i cili kishte pushuar hetimin ndaj saj me argumentin se ajo kishte marrë pjesë rastësisht në takim dhe jo në funksion të detyrës shtetërore.

Sekretari i Përgjithshëm i KQZ-së, Ylli Merkja argumentoi para KAS-it se “nga hetimi rezultoi se zonja Bici ka qenë pranë familjes së saj, ka marrë pjesë rastësisht dhe ka qenë jashtë orarit zyrtar të punës”.

Ai iu referua pretendimeve të Bicit nëpërmjet përfaqësueses së saj ligjore në KQZ.

Por, Dhimitër Zguro përfaqësuesi ligjor i organizatës “Qendresa Qytetare”, që kishte bërë denoncimin e shkeljes, kundërshtoi pretendimet duke paraqitur para anëtarëve të KAS një video nga takimi ku dëgjohej Bici duke thënë se kishte ardhur në takim me “porosi të kryeministrit” dhe i adresohej bashkëpunimit me Gjicin si drejtoreshë e Kadastrës.

“E kemi gjetur absurd qëndrimin e Komisionerit për mosndëshkimin e Bicit me gjobë, me arsyetimin që është bërë gjatë fundjaves”,- tha Zguro, duke shtuar se, – “marrëdhënia e punës nuk përfundon në fundjavë, por me largimin nga detyra”.

Komisioneri ka kërkuar gjithashtu nga KAS masë administrative edhe për sekretarët e përgjithshëm të 5 ministrive për përdorimin e faqeve zyrtare të ministrive në Facebook për shpërndarje të postimeve me përmbajtje politike dhe përdorimin e hashtagëve elektoralë të Partisë Socialiste.

Ndërkohë Komisioneri Ilirjan Celibashi gjobiti në një vendim paralel me 5 mijë lekë policitë bashkiake të 58 bashkive, për mos zbatim të urdhërit të KSHZ-së për heqjen e materialeve propagandistike në shkelje të ligjit për zgjedhjet.

(Reporter.al)