Beograd, 9 tetor 2024 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka biseduar në Beograd për situatën në rajon me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander “Sasha” Kasanof.
“Para së gjithash, kam theksuar situatën jashtëzakonisht të vështirë dhe të ndërlikuar në Kosovë dhe Metohi dhe kam treguar për kushtet pothuajse të pamundura në të cilat jeton populli serb”, ka shkruar Vuçiq më 9 tetor në Instagram.
Ai shtoi se për një dialog konstruktiv nevojiten dy palë dhe se Serbia mbetet e përkushtuar për zgjidhjen paqësore të problemeve, “pavarësisht përshkallëzimeve të panevojshme të tensioneve nga njëra anë”.
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Kasanof, do të vizitojë këtë javë edhe Kosovën ku do të zhvillojë konsultime të rregullta me zyrtarë të Qeverisë, liderë të opozitës, shoqërinë civile dhe bizneset.
Kjo është vizita e parë e Kasanofit në rajon në cilësinë e të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor.
Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.
Por, takim mes udhëheqësve të lartë nuk ka pasur për më shumë se një vit.
Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash.
Tensionet mes tyre i kanë rritur edhe sulmi i vitit të kaluar në Banjskë dhe mbyllja e institucioneve paralele serbe në Kosovë.
Një ditë më herët, Kasanof ka vizituar Bosnjë e Hercegovinën ku pas bisedimeve me Presidencën e BeH-së dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, Kasanof përsëriti se SHBA-ja “mbështet fuqishëm integritetin territorial, sovranitetin dhe karakterin multietnik të Bosnjë dhe Hercegovinës”.
“Sulmet ndaj Marrëveshjes së Dejtonit dhe Bosnje e Hercegovinës, si dhe thirrjet për ndarje paqësore – një tjetër emër për shkëputjen – që vijnë nga z.Dodik janë të papërgjegjshme. Kjo është një rrugë e rrezikshme që nuk çon askund as Bosnjën dhe as qytetarët e saj, dhe vë të ardhmen e Republikës Serbe në rrezik, gjë që e kam theksuar në të gjitha takimet e mia”, tha diplomati amerikan në një deklaratë të shpërndarë nga Ambasada e SHBA-së në Sarajevë.
Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të përdorin të gjitha instrumentet në dispozicion, përfshirë sanksionet, në rast të minimit të shtetit të Bosnjë e Hercegovinës.
Ai akuzoi presidentin e Republikës Serbe (RS), Milorad Dodik, për sulmet ndaj BeH-së dhe u bëri thirrje autoriteteve të këtij entiteti të emërojnë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nga RS-ja dhe t’i zbatojnë vendimet e saj.
Sipas Kasanofit, SHBA-ja nuk dëshirojnë që BeH-ja të mbetet prapa ndërsa vendet e tjera të rajonit përfitojnë nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor i zbatuar nga Bashkimi Evropian (BE), dhe liderët dhe institucionet në Bosnje e Hercegovinë duhet ta ndërpresin bllokimin.
(Radio Evropa e Lirë)