Kasanof në vizitë në Kosovë. Osmani e Kurti flasin për forcim të “miqësisë, aleancës dhe partneritetit” me SHBA-të

Prishtinë, 10 tetor 2024 – I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, i filloi të enjten një vizitë dyditëshe në Kosovë, ku zhvilloi takime me Presidenten Vjosa Osmani dhe me kryeministrin Albin Kurti.

Zyra e Presidentes Osdmani tha se në takim “u diskutua për forcimin e mëtejshëm të aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë për t`i përmbushur synimet e përbashkëta strategjike”.

“Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj të thellë për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-ve ndaj Kosovës, duke shtruar nevojën e dialogut strategjik me SHBA-në, si një hap i rëndësishëm në fuqizimin e partneritetit, kërkesë kjo që ka vite që është përcjellë nga Presidentja Osmani. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke potencuar se një Kosovë e integruar në Aleancën Veri-Atlantike forcon sigurinë e vendit, por kontribuon edhe në stabilitetin e rajonit”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet gjithasdhtu se Presidentja Osmani ka diskutuar me z. Kasanof edhe “për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë, siç është fusha e mbrojtjes dhe sigurisë”.

This image has an empty alt attribute; its file name is Alexander-Kasanof-e-Vjosa-Osmani-ne-Prishtine-1.jpg

Zyra e Kryeministrit të Kosovës njoftoi se në takim me z. Kasanof, kryeministri Kurti ka shprehur vlerësimin e lartë për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke i cilësuar dy vendet si “miq, aleatë dhe partnerë”.

“Kryeministri Kurti i uroi mirëseardhje z. Kasanof në këtë vizitë të tij të parë në vend, gjersa shprehu vlerësimin e lartë për marrëdhëniet e fuqishme bilaterale mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe për kontributin e tyre në çlirimin, pavarësimin dhe zhvillimin e shtetit tonë. Shtoi se me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndajmë vlera dhe qëllime të përbashkëta, si miq, aleatë e partnerë, e cila reflektohet edhe nga dëshira e perceptimi edhe i vetë qytetarëve të vendit tone”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kurtit.

“Kryeministri Kurti falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, energjisë, sigurisë e më gjerë. Theksoi edhe progresin demokratik, ekonomik e shoqëror që ka njohur vendi ynë përgjatë këtij mandati qeverisës, me ç’rast veçoi edhe rëndësinë e sigurisë dhe të sundimit të ligjit”, thuhet më tutje në njoftim.

Aty thuhet se Kryeministri Kurti ka theksuar edhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit rajonal në pritje edhe të samitit të Procesit të Berlinit të hënën e ardhshme, ku trajtoi nevojën e zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës, e cila i kontribuon qytetarëve të dy vendeve.

“Kryeministri theksoi edhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit rajonal në pritje edhe të samitit të Procesit të Berlinit të hënën e ardhshme, ku trajtoi nevojën e zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës, e cila i kontribuon qytetarëve të dy vendeve”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Aty thuhet se në takim është diskutuar edhe për dialogun midis Kosovës e Serbisë dhe kryeministri Kurti ka theksuar nevojën e zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit implementues të Ohrit.

“Përgjatë takimit u trajtua dhe dialogu me Serbinë, ku kryeministri shprehu konstruktivitetin e Kosovës në proces dhe nevojën për zbatimin e plotë dhe sa më parë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit”, thuhet në njoftim.

10.10.2024-ZKM-5-2

(r.m.)