Prishtinë, 11 tetor 2024 – Zëvendësndihmës Sekretarin e SHBA-së, Alexander Kasanof, emisar i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin, është takuar të premten ndarazi me liderët e tri partive opozitare të Kosovës – Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – Memli Krasniqin, Lumir Abdixhikun e Ramush Haradinajn.
Në takimet që janë mbajtur në Ambasadën amerikane në Prishtinë, të tre liderët opozitarë e kanë kritikuar qëndrimin e qeverisë aktuale të Kosovës ndaj partnerëve strategjikë të Kosovës. Ata e kanë cilësuar jetik për Kosovën bashkëpunimin dhe bashkërendimin e veprimeve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në një postim në Facebook, ka bërë të ditur se në takim me z. Kasanof, ku është diskutuar për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe në rajon. ka ritheksuar “nevojën e shtetit të Kosovës për bashkërendim të qëndrimeve me aleatët strategjikë, veçanërisht me SHBA-në:.
“Në takim ritheksova nevojën e shtetit të Kosovës për bashkërendim të qëndrimeve me aleatët tanë strategjikë, e veçanërisht me SHBA-në. Kosova, si një storie suksesi është rezultat i bashkëpunimit të mirë dhe partneritetit të besueshëm me miqtë e saj.
Zëvendësndihmës Sekretarin Kasanof e falënderova për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së në fuqizimin shtetit tonë. Edhe e ardhmja nuk duhet të jetë ndryshe, përveçse një rrugëtim i përbashkët drejt sukseseve të reja”, ka shkruar Krasniqi.
Lidhja Demokratike e Kosovës, në një njoftim për medie, ka bërë të ditur se kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, ka shprehur shqetësimin “për raportin e dëmtuar të Qeverisë së Kosovës me SHBA-të, si edhe me partnerët e tjerë strategjikë politikë dhe të sigurisë”.
“Kryetari Abdixhiku theksoi shqetësimin e LDK-së për raportin e dëmtuar të Qeverisë së Kosovës me SHBA-të, si dhe me partnerët e tjerë strategjikë politikë dhe të sigurisë. Kryetari Abdixhiku e siguroi z. Kasanof se, me formimin e qeverisë së re, të drejtuar nga LDK-ja, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, riparimi i këtyre raporteve do të jetë çështje e prioritetit më të lartë”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, Abdixhiku ka theksuar se “partneriteti strategjik me SHBA-të në fushën e ekonomisë, të energjisë dhe të sigurisë është jetik për LDK-në dhe për Kosovën”.
Edhe Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se në takimin me emisarin amerikan p٥r Ballkanin, Alexander Kasanof, e ka vënë theksin në bashkëpunimin dhe partneritetin e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Mbështetja e fuqishme e ShBA-së ndaj popullit të Kosovës vazhdon përkundër vështirësive të panevojshme që i ka shkaktuar qeveria. E vetmja rrugë për të arritur synimet tona si shtet, është bashkëpunimi dhe partneriteti me SHBA-të, si aleati ynë strategjik dhe i përjetshëm”, ka shkruar Haradinaj.
(r.m.)