Tiranë, 31 mars 2023 – Botuesi i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, Vehbi Bajrami, u takua në Tiranë me drejtues të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë (KASH), pak ditë pas vizitës faktmbledhëse të delegacionit të këtij këshilli në Luginë të Preshevës.
Presidenti i KASH, Besnik Mustafaj, dhe anëtarët Genci Muçaj, Spiro Koçi, Edmond Panariti e Flamur Gashi, e vlerësuan me shumë interes vizitën e delegacionit në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë. Ata shprehën shqetësimin për situatën politike dhe gjendjen e vështirë ekonomike e sociale të shqiptarëve në këtë rajon me shumicë shqiptare.
Ata thanë se gjatë vizitës kanë konstatuar se ligji për pasivizimin e adresave të shqiptarëve, mosnjohja e diplomave të universiteteve të Kosovës, përfaqësimi joproporcional në organet e pushtetit lokal e në administratë, mungesa e investimeve kapitale, mungesa e shërbimeve publike dhe shkalla e lartë e papunësisë po e ngushtojnë gjithnjë e më shumë hapësirën jetësore të shqiptarëve, të cilët detyrohen të migrojnë jashtë vendit.
Drejtuesit e KASH theksuan se Beogradi zyrtar, përmes politikave diskriminuese dhe masave të ndryshme administrative, synon pastrimin e heshtur etnik të Luginës së Preshevës, gjë që po e arrin, nga dita në ditë.
Presidenti dhe drejtuesit tjerë të KASH-it thanë se problematikat e shqiptarëve në Luginë do t’i adresojnë në institucionet shtetërore e politike në Shqipëri dhe në Kosovë, si edhe në organizatat ndërkombëtare dhe në përfaqësitë diplomatike të vendeve demokratike, sidomos të SHBA-së.
Ata thanë se KASH do të angazhohet me të gjitha kapacitetet e veta për të sensibilizuar kancelaritë perëndimore dhe qendrat më të rëndësishme të vendimmarrjes, si edhe qeveritë e Shqipërisë dhe të Kosovës, për aktet diskriminuese ndaj shqiptarëve në Luginë të Preshevës, për të shtuar presionin ndaj Qeverisë së Serbisë që të rrisë shkallën e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore, në administratë dhe në ndërmarrjet publike, si edhe për të shtuar investimet publike për përmirësimin e jetës së qytetarëve, në mënyrë që të minimizohet shkalla e emigrimit të shqiptarëve, që nga Departamenti amerikan i Shtetit është cilësuar si ’’spastrim etnik modern”.
Gjatë takimit u vlerësua si shumë e rëndësishme vizita në Preshevë e Bujanovc e ambasadorit të SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, e cila u realizua vetëm pak ditë pas vizitës së delegacionit të KASH-it, si edhe premtimi i ambasadorit amerikan se shqetësimet e shqiptarëve do t’i përcjellë tek autoritetet serbe, në Beograd.
Drejtuesit e KASH shprehën besimin se ambasadori Hill do t’i adresojë edhe në Departamentin amerikan të Shtetit shqetësimet e shqiptarëve.
Vehbi Bajrami, i cili është anëtar i Bordit Këshillues të KASH, shprehu gatishmërinë e tij të plotë për të ndihmuar adresimin e çështjes së shqiptarëve të Luginës në Kongresin e SHBA-së dhe në organizatat amerikane për të drejtat e njeriut. Ai mori përsipër t’ua përcjellë një material informues gjithëpërfshirës anëtarëve të Kaukusit të Shqiptarëve në Kongresin e SHBA-së dhe anëtarëve të Komitetit për Politikë të Jashtme të Kongresit.
Po ashtu, mori përsipër të ndihmojë në hartimin e agjendës së vizitës së delegacionit të Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë (KAA) në Shqipëri dhe në Kosovë, e cila pritet të realizohet së shpejti.
Gjatë kësaj vizite delegacioni i KAA do të takohet edhe me përfaqësues politikë të shqiptarëve të Luginës dhe me drejtues të pushtetit lokal në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë është organizatë e pavarur, jo partiake dhe sociale, e ndarë nga të gjitha partitë politike.
Antarë të këshillit janë diplomatë të lartë karriere që kanë qenë së paku pesë vjet ministra apo zëvendësministra të Punëve të Jashtme, shefa të misioneve diplomatike ose udhëheqës të drejtorive e shërbimeve të rëndësishme në ministritë e Punëve të Jashtme dhe personat me contribute te rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka mision mbështetjen e institucioneve shtetërore në fushën e politikës së jashtme dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.
(Ramadan Muçolli)