Doha / Berlin, 21 mars 2022 – Gjermania dhe Katari kanë rënë dakord për një partneritet afatgjatë energjetik për të reduktuar varësinë nga gazi rus pas pushtimit të Ukrainës.
Këtë e ka bërë të ditur ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, në Doha, pas takimit me Emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad al-Thani.
“Ne mund të kemi ende nevojë për gazin rus sivjet, por në të ardhmen nuk do të jetë kështu. Dhe ky është vetëm fillimi”, ka thënë ai.
Një zëdhënës i ministrisë gjermane të Ekonomisë në Berlin konfirmoi se është arritur një marrëveshje.
“Kompanitë që erdhën në Katar tani do të fillojnë negociatat për detajet e kontratës me palën e Katarit”, ka thënë zëdhënësi.
Habeck ka treguar se marrëveshja përfshin edhe zhvillimin e projekteve të energjisë së rinovueshme dhe masat për të promovuar efiçiencën e energjisë.
Berlini planifikon që gazin e lëngshëm ta sjellë në Gjermani me anije, por nuk ka terminale për depozitim. Planifikohet që për këtë qëllim të ndërtohen dy terminale të reja, por ato nuk ka gjasa të ndërtohen para vitit 2026.
Ministri Habeck do të vazhdojë vizitën në Emiratet e Bashkuara Arabe, që po shndërrohet në qendër të gjelbërt hidrogjeni.
Emiratet e Bashkuara Arabe mund të ndihmojnë Gjermaninë që të arrijë qëllimin e saj afatgjatë për kalim në burime të pastra të energjisë.
Gjermania po shqyrton mënyrat për të diversifikuar burimet e saj të gazit natyror për ta bërë vendin më pak të varur nga Rusia.
Berlini e ka pezulluar licencën për funksionalizimin e gazsjellësit të ri “Nord Stream 2”, i cili do ta transportonte gazin natyror nga Rusia në Gjermani nëpërmjet Detit Baltik.
(Sipas DW)