Katedralja historike e Odesës dëmtohet rëndë nga raketat ruse

Kiev, 23 korrik 2023 – Rusia goditi sërish të dielën Odesën, qytetin ukrainas të Detit të Zi. Zyrtarët lokalë njoftuan s një person u vra dhe 22 të tjerë u plagosën në sulmin me raketa që u krye në orët e para të mëngjesit.

Ky sulm u krye në vazhdën e sulmeve që kanë nisur një javë më parë, në shënjestër të të cilave është vënë infrastruktura kritike portuale e Ukrainës jugore.

Guvernatori rajonal Oleh Kiper tha se katër fëmijë janë në mesin e të plagosurve nga shpërthimet e raketave.

Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan se Rusia i kishte lëshuar kundër objektivave në rajonin e Odesës 19 raketa, përfshirë pesë raketa me precizion të lartë ‘Onyx’ dhe katër raketa kruz ‘Kalibr’ det-tokë dhe se mbrojtja ajrore e Ukrainës i ka rrëzuar nëntë prej këtyre raketave.

Rusia ka ndërmarrë sulme të vazhdueshme ndaj Odesës, e cila është qendër kyçe për eksportin e grurit, pasi Moska u tërhoq nga marrëveshja për eksportin e drithit.

Guvernatori Kiper tha se gjashtë ndërtesa banimi u shkatërruan nga sulmet. Disa persona u bllokuan në apartamentet e tyre si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga sulmi, ndërsa rrënojat e ndërtesave e bllokuan pjesërisht rrugën.

Në sulmet raketore ruse u dëmtuan edhe linjat e energjisë.

Në sulmet raketore të së dielës u dëmtuan rëndë edhe katedralja ortodokse në Odesë, e cila është një nga objektet më të rendësishme të trashëgimisë kulturore e historike të Ukrainës.

Pasi u shuan zjarret, vullnetarët filluan punën për spastrimin e rrënojave dhe për të shpëtuar artefaktet e shenjta të katedrales.

Peshkopi Andrii Palcuk tha se katedralja ka pësuar dëme të konsiderueshme nga një goditje e drejtpërdrejtë e raketës ruse që ka depërtuar deri në bodrum. Dy persona që ndodheshin brenda në momentin e goditjes kanë mbetur të plagosur.

Katedralja e Odesës i përket Kishës Ortodokse të Ukrainës, e cila është akuzuar për lidhje me Rusinë. Por, kish ka thënë se ajo është besnike e Ukrainës.  Ajo e ka dënuar agresionin rus ndaj Ukrainës që në fillim dhe e ka shpallur pavarësinë e saj nga Kisha Ortodokse Ruse. Megjithatë, agjencitë ukrainase të sigurisë kanë thënë se disa persona të lidhur me kishën ukrainase kanë mbajtur lidhje të ngushta me Moskën.

Në fillim të këtij viti, UNESCO e ka përfshirë Qendrën historike të Odesës në listen e objekteve të rrezikuara të Trashëgimisë Botërore, pavarësisht kundërshtimit të Rusisë.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të dielën se forcat ruse kishin sulmuar në Odesa objektiva “ku po përgatiteshin akte terroriste kundër Federatës Ruse”. Aj tha se në objektet e vëna në shënjestët kishte “mercenarë të huaj”.

Por, në një deklaratë të mëvonshme, ministria ruse e mbrojtjes mohoi se ishte goditur Katedralja. Ajo u përpoq t’ia hidhte përgjegjësinë forcave ukrainase, duke thënë se shkatërrimi i Katedrales ka gjasa të jetë pasojë e goditjes nga “një raketë kundërajrore ukrainase”.

Por, Kisha Ortodokse e Ukrainës tha se goditja e Katedrales ISHTE e drejtpërdrejtë. Ajo ka shkruar në Facebook se “një raketë ruse goditi altarin qendror”.

(r.m.)