Prishtinë, 11 gusht 2023 – Policia e Kosovës njoftoi se pesë persona janë arrestuar dhe një tjetër është vënë në kërkim, pas një sulmi me armë ndaj zyrtarëve policorë në fshatin Çeievë të Zubin Potokut, të premten, në orët e hershme të mëngjesit.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se lidhur me incidentin janë arrestar katër serbë dhe një shqiptar. Ai ka shpjeguar se zyrtarët policorë që kanë qenë në detyrë kanë tentuar të ndalojnë një furgon dhe disa vetura, sepse kanë dyshuar se po transportonin mallra të kontrabanduara, por ata janë sulmuar me armë zjarri. Ai ka pohuar se policët janë kundërpërgjigjur me zjarr, por incidenti ka kaluar pa pasoja në njerëz.
“Gjatë tentimit për ndalim, ka pasur shkëmbim me armë zjarri, por nuk ka të plagosur. Pesë persona janë arrestuar, katër serbë dhe një shqiptar, dhe një është në kërkim, ndërsa janë konfiskuar një furgon dhe tri vetura”, ka thënë Elshani.
Policia ka bwrw tw ditur se në furgonin dhe tri veturat e sekuestruara janë gjetur mallra të ndryshme tw kontrabanduara si edhe lëndë narkotike.
Rasti është duke u iniciuar si sulm ndaj zyrtarëve policorë, kontrabandë me mallra, dhe posedim i narkotikëve.
Kjo nuk është hera e parë që Policia e Kosovës konfiskon mallra të kontrabandaura, lëndë narkotike dhe armë të ndryshme në pjesën veriore të Kosovës.
Herën e fundit ka ndodhur të hënën, më 7 gusht, kur në Mitrovicë të Veriut është zbuluar një laborator droge, ku janë gjetur disa rrënjë kanabisi, pajisje për kultivimin e kanabisit dhe pajisje për prodhimin e kriptovalutave.
(r.m.)