“K’cimi i Tropojës” futet në listën e trashëgimisë jomateriale të UNESCO-s

Tiranë, 4 dhjetor 2024 – “K’cimi i Tropojës”, një vallëzim i njohur festiv shqiptar, është futur edhe zyrtarisht në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë, UNESCO, njoftoi të mërkurën ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja.

“Pas vlerësimit pozitiv nga Organizmi i Vlerësimit të UNESCO-s, gjatë sesionit të 19-të të Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, në Asuncion, Paraguai, ‘K’cimi i Tropojës’ është tashmë pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit”, tha Gonxhja.

Ai e ka vlerësuar vendimin e UNESCO-s si hap të radhës drejt “lartësimit të vlerave kombëtare duke na bërë dhe me krenarë për vendin tonë”.

“K’cimi i Tropojës” është një vallëzim festiv që praktikohet gjatë gjithë vitit, dhe veçanërisht gjatë ceremonive festive tradicionale si, dasma, fejesa, ditëlindje, ceremoni inicimi, festa fshati dhe raste të tjera shoqërore, përfshirë ato që janë më pak zyrtare, dhe shpesh mjaft spontane.

Vallja ka lëvizje ritmike dhe shoqërohet me tupan, çifteli dhe fyell, ndërsa valltarët mbajnë veshje tradicionale dhe shami të kuqe ose të verdhë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, thotë se me këtë vendim “rilindi një trashëgimi që po braktisej dhe harrohej”.

Dosja për “K’cimin e Tropojës” u dorëzua në UNESCO tre vjet më parë bashkë me ‘Transhumancën” dhe “Xhubletën”, të cilat gjithashtu janë marrë nën mbrojtje nga UNESCO.

“K’cimi i Tropojës” është shpallur më herët nga Ministria e Kulturës dhe Akademia e Shkencave në Shqipëri, si pjesë e listës së kryeveprave të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale.

Xhubleta shqiptare, veshja katër mijë vjeçare, është marrë nën mbrojtje Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë dy vjet më parë. Ky vendim do të ndihmojë për ta ruajtur mjeshtërinë e krijimit të saj brez pas brezi.

Ndërsa, tradita e shtegtimit të bagëtive apo ‘Transhumanca’ u mor nën mbrojtje nga UNESCO një vit më parë.

Pjesë e listës së pasurive botërore që mbrohen nga UNESCO janë edhe Butrinti, Berati, Gjirokastra si dhe iso-polifonia.

This image has an empty alt attribute; its file name is Kcimi-i-Tropojes-3.jpg

This image has an empty alt attribute; its file name is Kcimi-i-Tropojes-5.jpg

This image has an empty alt attribute; its file name is Kcimi-i-Tropojes-1.jpg

This image has an empty alt attribute; its file name is Kcimi-i-Tropojes-4.jpg

This image has an empty alt attribute; its file name is Kcimi-i-Tropojes-2.jpg

(Radio Evropa e Lirë)