KE ia akordon Shqipërisë 90 milion euro, për rimëkëmbjen ekonomike

Bruksel, 31 mars 2021 – Komisioni Evropian ka ndarë këtë të mërkurë 90 milionë euro për Shqipërinë, në kuadër të programit të asistencës makro-financiare lidhur me COVID-19.

Shqipëria është vendi i tetë që përfiton nga paketa emergjente e programit  të Komisionit Evropian prej 3 miliardë eurosh, të cilat u destinuan për dhjetë partnerë të BE-së.

Ky fond synon t’i ndihmojë vendet që të kufizojnë pasojat ekonomike të pandemisë së koronavirusit.

Disbursimi do të kontribuojë në zbutjen e pasojave të rënda ekonomike e sociale të pandemisë së COVID-19 në Shqipëri.

“Ky virus nuk njeh kufij: BE qëndron në krah të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj në këto kohë të vështira. Transaksioni i sotëm pason miratimin e një Memorandumi Mirëkuptimi me Shqipërinë, i cili përcakton kushtet e politikës që duhet të përmbushen për disbursimin e këstit të dytë prej 90 milion euro. Këto kushte të politikave lidhen veçanërisht me përmirësimin e qeverisjes ose rritjen e mbrojtjes sociale. Ky program është një demonstrim i fortë dhe konkret i solidaritetit të BE-së me Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë në një kohë krize të paprecedentë.”,  thuhet në deklaratën e Komisionit Evropian, e cila është shpërndarë nga ambasadori i BE-së në Tiranë, Luiggi Soreca.

(r.m.)