KE miraton paketën e zgjerimit, thotë se rruga e Kosovës ndikohet nga dialogu me Serbinë

Bruksel, 8 nëntor 2023 – Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e negociatave të pranimit në Bashkimin Evropian me Ukrainën, ndërsa rekomandoi gjithashtu hapjen e bisedimeve me Moldavinë, pasi t’i përmbushë kushtet përfundimtare.

Për Gjeorgjinë, shtoi KE-ja në një deklaratë më 8 nëntor, iu rekomandua dhënia e statusit zyrtar të kandidatit, nëse i plotëson kushtet e mbetura të përcaktuara nga blloku.

Komisioni Evropian rekomandoi edhe hapjen e negociatave të anëtarësimit të Bosnje e Hercegovinës me BE-në, kur të arrihet shkalla e nevojshme e pajtueshmërisë me kriteret për anëtarësim. Komisioni do t’i raportojë Këshillit deri në mars 2024 për çdo progres.

Në takimin e kolegjit të 27 komisionarëve evropianë të mërkurën, më 8 nëntor, u miratua paketa e zgjerimit, së bashku me raportet individuale të progresit për të gjitha shtetet e përfshira në këtë proces.

Për herë të parë, raportet e progresit u miratuan për dhjetë shtete që janë në këtë proces. Raportet u miratuan për gjashtë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi – dhe për Moldavinë, Gjeorgjinë e Ukrainën. Po ashtu, Raport Progresi ende hartohet edhe për Turqinë, shtet që formalisht ende ka statusin e vendit kandidat.

Në procesin e zgjerimit, Komisioni Evropian bën vlerësime dhe jep rekomandime, ndërkaq vendimet formale miratohen në Këshillin Evropian nga liderët e vendeve anëtare që vendosin me unanimitet.

Çka u tha për Kosovën?

Kosova mbetet i vetmi vend që nuk ka rekomandim për statusin e kandidatit nga këto dhjetë vende.

Zyrtarët evropianë thanë të mërkurën se dialogu me Serbinë është rruga përpara për Kosovën drejt BE-së.

Në konferencën për media në Bruksel, presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, tha se zbatimi i marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mund të jetë një hap i madh përpara për Kosovën.

“Mendoj se është e rëndësishme që Kosova të ketë një qëllim shumë të qartë lidhur me anëtarësimin në BE, që ne të jemi të qartë se çfarë presim nga Kosova. Ne diskutuam, kur isha në rajon, për zbatimin e draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, dhe ky zbatim do të ishte një hap i madh përpara. Është në interes së Kosovës”, tha ajo.

Edhe pse Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE, komisionari për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, tha se Këshilli ende nuk ka kërkuar nga komisioni që të japë opinion për këtë.

“Ne jemi të gatshëm të japim opinionin”, tha ai.

“Ndjenja jonë është se për Kosovën rruga drejt BE-së po vjen përmes një dialogu të suksesshëm. Ata duhet t’i dyfishojnë përpjekjet e tyre për ta bërë dialogun të suksesshëm”, shtoi Varhelyi.

Në Raportin e Progresit për Kosovën, në shumicën e fushave që vlerësohen, Komisioni Evropian ka thënë se Kosova ka shënuar “përparim të kufizuar”.

Në raport gjerësisht përmendet edhe situata e tensionuar e sigurisë në veri të Kosovës – që banohet me shumicë serbe – por edhe për procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë përmes dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Në raportin për Kosovën shprehjet keqardhje që Kosova dhe Serbia nuk kanë nisur t’i kryejnë obligimet e tyre nga dialogu pa parakushte dhe vonesa të tjera. Kosovës i bëhet ftesë veçmas që të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Në raport, tashmë kërkohet që Asociacioni të themelohet duke pasur për bazë propozimin e fundit për draft-statusin për Asociacionin, që u është prezantuar palëve më 21 tetor.

“Nga Kosova pritet që të nisë procesin i cili çon deri te themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe bazuar në propozimin evropian që u është paraqitur palëve më 21 tetor 2023. Nga Serbia kërkon që të mbështesë këtë proces dhe paralelisht të nisë përmbushjen e obligimeve të saja kyçe nga Marrëveshja [drejt normalizimit të raporteve]”, thuhet në tekst, ku shtohet se “formalitetet, përfshirë edhe ato që lidhen me miratimin, nuk duhet të jenë pengesa në rrugën e përparimit në zbatim”.

Marrëveshja drejt normalizimit, që u arrit më herët gjatë vitit, kërkon nga palëve të zhvillojnë marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë, t’ia njohin njëra-tjetrës dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare. Për Kosovën, marrëveshja nënkupton njohje de facto nga Serbia, ndërsa për këtë të fundit aneksi i saj parasheh që Kosova ta formojë një Asociacion të komunave me shumicë serbe.

Ndërkaq, draft-statuti i prezantuar më 21 tetor nga përfaqësuesit e BE-së, Shteteve të Bashkuara, Italia, Gjermania dhe Franca, është thënë se është një model modern evropian. Ky dokument nuk është bërë publik, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se e ka pranuar atë dhe se i njëjti është shkruar me kujdes ndaj Kushtetutës së Kosovës.

Në raportin për Kosovën po ashtu përmendet largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar dhe bojkotin e tyre në zgjedhjet lokale të prillit të këtij viti. Këto veprime cilësohen si “shkelje të obligimeve të Serbisë që dalin nga dialogu dhe paraqesin kthim prapa të Serbisë në përmbushjen e obligimeve të marra nga marrëveshje e parë për parimet për normalizimin e raporteve [e vitit 2013] dhe paraqet shkelje direkte të marrëveshjes për drejtësinë të vitit 2015”.

“Nga Serbia kërkohet që të inkurajojë serbët e Kosovës që menjëherë të kthehen në institucione, ndërkaq nga Kosova që të bëjë këtë të mundur. Që nga nëntori i vitit 2022, asnjëra palë nuk ka bërë asnjë hap në këtë drejtim”, thuhet në raport.

Pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës në fund të majit, për shkak të kundërshtimit të serbëve për kryetarët e rinj shqiptarë të komunave, Kosova ka hartuar një legjislacion që mundëson qytetarëve që përmes një peticioni të ndryshojnë kryetarët e komunave.

Situata në veri të Kosovës u përkeqësua edhe më shumë më 24 shtator, pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i serbëve të armatosur. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kosova fajëson Serbinë për sulmin, por Beogradi mohon çdo përfshirje.

Rekomandimet dhe raportet e miratuara më 8 nëntor në Komisionin Evropian do të jenë në rend dite në takimin e radhës të Këshillit Evropian, që do të mbahet në dhjetor.

(REL)