Kërkesë për falje kur bashkëshorti ka paraqitur informacion të rremë në aplikimin për vizë

Çështje të Emigracionit: Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Pyetje nga lexuesi:

Po plotësoj një aplikim për green card për bashkëshortin tim. Jam nënshtetase amerikane dhe jetoj së bashku me tim shoq në USA. Gjithashtu kemi edhe një djalë që ka lindur këtu. Im shoq më ka treguar se në të kaluarën, nuk ka thënë të vërtetën për disa gjëra, në aplikimin për vizë amerikane. Vura re që në formularin për green card ka një pyetje ku përmenden rastet kur aplikanti jep informacion falco me qëllim për të fituar green card-ën. Nëse asaj pyetje i përgjigjet “Yes”, a do t’ja refuzojnë green card-ën?

Anonim 

E saktë. Aplikimi i tij mund të refuzohet, nëse në të kaluarën ka dhënë informacion të rremë. Nëqoftëse përpiqet ta fshehë këtë fakt, situata mund të shkojë edhe më keq. Për fat të mirë, ka një zgjidhje, por ju dhe bashkëshorti juaj duhet të punoni shumë me qëllim që t’ia dilni me sukses. Mund t’i kërkoni Shërbimit të Emigracionit dhe Nënshtetësisë të SHBA-së ( USCIS-it) falje për informacionin e rremë. Kjo kërkesë për falje quhet “hardship waiver”.

Një person që është futur në SHBA duke paraqitur informacion të rremë (mashtrim apo keqinformim) në aplikimin për vizë, mund të marrë green card në qoftëse i aprovohet kërkesa për “waiver”. Kjo ndodh në rastet kur personi është bashkëshort/e i nënshtetasit/es amerikan/e.

“Falja” miratohet nëqoftëse personi në fjalë mund të tregojë në mënyrë bindëse se refuzimi i statusit të rezidentit të përhershëm do të çonte në vështirësi të mëdha për nënshtetasin/en amerikan/e. Është e kuptueshme që këto lloj “waivers” nuk aprovohen lehtë dhe USCIS-i i përmbahet disa kritereve të caktuara për të vendosur nëse dikujt do t’ia miratojë ose jo kërkesën për falje. Nëpunësi i emigracionit që merret me çështjen është personi që do të marrë vendimin nëse do t’ia aprovojë ose jo faljen dikujt, por ky vendim nuk jepet që në ditën e intervistës, pasi duhet që kërkesa për falje të gjykohet më parë dhe nga një epror aty. 

Kërkesa për falje duhet të jetë bindëse dhe e shkruar mirë. Nuk është thjesht një mbushje formulari dhe firmosje e tij. Waiver-i është një dokument ligjor i komplikuar dhe nuk duhet marrë lehtë. Nëse kërkesa për waiver (falje) hidhet poshtë, atëherë sipas të gjitha gjasave personi do të kalohet në proces deportimi dhe do t’i kërkohet të dalë përpara një gjykatësi emigracioni. Diçka e tillë mund të çojë në deportim. 

Këto kërkesa për falje bazohen në premisën që gjendja e bashkëshortit (nënshtetas amerikan) do të bëhet jashtëzakonisht e vështirë, nëse kërkesa për falje refuzohet. Nuk ka një përkufizim të prerë për termin  “extreme hardship”. Sipas ligjit të emigracionit “extreme hardship” (vështirësi ekstreme) është një shkallë vështirësie më e lartë se normalja, me të cilën do të përballet bashkëshorti nënshtetas nëse kërkesa për green card bie poshtë dhe çifti do të rrijë i ndarë pasi bashkëshortit që i është refuzuar green card-a deportohet nga Shtetet e Bashkuara. 

“Waiver-i” duhet të japë shpjegime të qarta për situatatën ekstreme në të cilin do të vihej bashkëshorti amerikan në rast se do t’i duhej të shkonte të jetonte jashtë SHBA-së me palën e deportuar. Gjithashtu duhet të shpjegojë se pse bashkëshorti amerikan nuk do të mund të jetojë vetëm në SHBA pa personin që është deportuar. Thjesht fakti që bashkëshortin amerikan do ta marrë malli, nuk përbën vështirësi ekstreme; kjo është thjesht vështirësi normale. 

Vështirësitë ekstreme mund të demonstrohen në disa mënyra, por USCIS-i i konsideron disa vështirësi si më bindëse se të tjerat kur vjen fjala për të vendosur nëse do të miratojë ose jo një waiver. Për shembull, nëse e afërmja e kualifikuar ka një gjendje të rëndë mjekësore si kancer ose një sëmundje zemre, largimi jashtë vendit larg mjekëve dhe trajtimeve mjekësore në SHBA mund të përbëjë një vështirësi ekstreme. Ai person gjithashtu mund të përballet me vështirësi ekstreme nëse bashkëshorti i saj duhet të largohet nga SHBA dhe nuk mund të kujdeset më për të.

Një situatë tjetër është kur nënshtetasi amerikan duhet të kujdeset për një prind të moshuar, të sëmurë ose me aftësi të kufizuara, i cili ka nevojë për ndihmën e nënshtetasit amerikan për nevojat e tij themelore. Kjo do ta bënte këtë person të paaftë për të lëvizur jashtë vendit me bashkëshortin e deportuar. Mund të shihet si rast vështirësie ekstreme rasti kur aplikanti duhet të lëvizë jashtë vendit dhe kështu të mos mund të ndihmojë bashkëshortin nënshtetas që të kujdeset për të afërmin e sëmurë apo të moshuar si dhe në menaxhimin e përgjegjësive të tjera që ka.

Nëse vëndi i aplikantit është vend shtypës, ose në një gjendje lufte apo trazirash, USCIS-ido ta gjykonte vajtjen aty të nënshtetasit amerikan si vështirësi extreme.  

Vështirësi extreme do të gjykohej edhe rasti kur nënshtetasi amerikan ka në varësi ekonomike një person tjetër si p.sh. një fëmijë nga një martesë e mëparshme dhe për të cilin duhet të ofrojë mbështetje ekonomike për një kohë të gjatë. Mund të ketë gjithashtu vështirësi ekstreme nëse nënshtetasi amerikan po paguan për një fëmijë që është në shkollë të lartë, dhe jashtë vendit nuk do të ishte në gjendje të fitonte të ardhura të mjaftueshme.

Rast tjetër  mund të jetë kur “kandidati” për  këtë status, ka një gjendje shëndetsore që ia bën të pamundur lëvizjen jashtë shtetit, ose kur nënshtetasi amerikan është i/e diagnostikuar me probleme psiqike, si p.sh. depresion për shkak të problemeve të bashkëshortit që “kërcënohet” me deportim nga Amerika.  Përveç kësaj, nëse nënshtetasi amerikan dhe bashkëshorti/ja kanë fëmijë së bashku, dhe vendi i origjinës së bashkëshortit ka kushte të këqija shëndetësore dhe ofron arsimim të keq; kjo mund të shihet si vështirësi. Argumente të tjera mund të paraqiten nëse vendi i bashkëshortit është i varfër ekonomikisht ose nëse puna e nënshtetasit amerikan që presupozohet të lëvizë, kërkon një licencë që do të ishte e vështirë për t’u marrë në vendin ku do të shkohet.

Çdo rast ka veçoritë e tij, ndaj ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Nëse lexuesit tanë dëshirojnë të dinë më shumë për peticionet dhe kërkesat për green card me bazë martesën, ju lutemi të shkoni në faqen e internetit të USCIS-it në adresën: www.uscis.gov 

Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]