Kur udhëtimi jashtë shtetit është urgjent dhe nevojitet të përshpejtohet procesimi i Aplikimit për marrjen e Dokumentit të Udhëtimit (Formulari I-131).
Nga Avokati Kieran Both

Meqenëse kërkesat për procedurë të përshpejtuar i nënshtrohen politikave dhe burimeve njerëzore dhe materiale që ka në dispozicion agjencia që merret me këto kërkesa, është e rëndësishme të kihet parasysh se nën administratën e presidentit Trump, mund të ketë përditësime dhe zhvendosje përparësish në politikat dhe procedurat e përshpejtimit nga ana e USCIS-it. Ky proces mund të jetë i ndërlikuar dhe ka shumë të ngjarë që në të ardhmen, aprovimi i kërkesave të tilla të bëhet më rrallë. Është në diskrecionin e USCIS-it që të përshpejtojë ose jo, pasi ka shqyrtuar rast pas rasti, një aplikim, peticion, kërkesë, apel ose mocion. USCIS-i shqyrton në tërësi rrethanat dhe provat e paraqitura në mbështetje të një kërkese për përshpejtim. Mes kritereve ose rrethanave që konsiderohën të rëndësishme nga USCIS-i për të vendosur nëse do të miratojë ose jo një kërkesë të përshpejtuar përfshihen:
Humbje e madhe financiare për një kompani ose person, me kusht që nevoja për të vepruar në mënyrë urgjente të mos jetë pasojë e dështimit nga ana e peticionerit ose aplikantit për të paraqitur kërkesën në kohë. USCIS-i ofron shembujt e mëposhtëm:
Një kompani mund të tregojë se do të pësonte humbje të madhe financiare nëse rrezikohet të falimentojë, të humbasë një kontratë të një rëndësie kritike ose t’i kërkohet të pushojë nga puna punonjës të tjerë.
Situata ku mossuksesi në përshpejtimin e një proçedurë të caktuar do ta çonte aplikantin në humbjen e përfitimeve ose shërbimeve të caktuara publike të një rëndësie kritike për të.
USCIS-i thekson se nevoja e një qytetari jonënshtetas për të marrë thjesht autorizimin e punësimit, e pashoqëruar kjo me dëshmi bindëse faktorësh të tjerë, nuk garanton trajtim të përshpejtuar të proçedurës.
Emergjencat ose situatat humanitare, të përcaktuara nga USCIS-i si “një rrethanë urgjente ose kritike që lidhet me të mirën njerëzore”. E mira njerëzore përkufizohet nga USCIS-i si “çështje që lidhen me mirëqenien e një personi ose grupi”. Merren si shembuj, sëmundja, paaftësia ose vdekja e një anëtari të familjes ose shoku të ngushtë, ose kushtet tejet të këqija të jetesës, të tilla si ato të shkaktuara nga katastrofa natyrore ose konflikte të armatosura. USCIS-i ofron dy shembuj specifik të emergjencave dhe situatave urgjente humanitare ku mund të justifikohet kërkesa për përshpejtim – kur komprometohet siguria e një personi në rrezik, ose kur gjatë një pandemie, për të lehtësuar mirëqënien e të tjerëve, nevojiten punonjës të fushës së kujdesit shëndetësor. USCIS-i thekson se në vetvete, kërkesat për përfitime të bazuara në nevoja humanitare, por të pashoqëruara nga prova bindëse se bëhet fjalë për rrethana të tjera të ngutshme, nuk garantojnë trajtim të përshpejtuar. Udhëzuesi i USCIS-it ofron një tabelë të detajuar shembujsh ngjarjeje si dhe lloje të provave që mund të përdoren për rrethanat e listuara aty. Shembujt përfshijnë vdekjen ose sëmundjen e një anëtari të familjes ose shokut të ngushtë, trajtim mjekësor urgjent ose të një rëndësie jetike, angazhime profesionale, angazhime dasme ose personale dhe angazhime të lidhura me fushën akademike, shoqëruar me prova që dokumentojnë lidhjen mes personit që ka paraqitur kërkesën dhe nevojës urgjente.
Organizatat jofitimprurëse – Sponsorët e organizatave jofitimprurëse duhet të demonstrojnë bindshëm nevojën urgjente për përshpejtim, bazuar në rolin specifik që luan personi përfitues në organizatën jofitimprurëse, në promovimin e interesave kulturore ose sociale. Roli personal që ka individi në fjalë nuk duhet ngatërruar me rolin e përgjithshëm të organizatës në promovimin e interesave sociale ose kulturore. Gjatë hartimit të kësaj kërkese, organizata duhet të shpjegojë pse përfituesi është veçanërisht i nevojshëm – nuk mjafton të përmendet se ka mungesë të përgjithshme personeli ose fuqije punëtore. Shembujt e ofruar nga USCIS-i përfshijnë rastin e një profesionisti të angazhuar në një punë kërkimore që ka të bëjë me një interes specifik social të SHBA-së, të një profesori që punon për një program kulturor specifik dhe të rëndësishëm, ose nevojën që ka një organizatë fetare që personi përfitues ta vazhdojë programin me rëndësi jetikë të ndihmës sociale.
Siç u përmend, organizatat jofitimprurëse që janë përcaktuar si të tilla nga IRS-i (agjencia federale amerikane që merret me zbatimin e ligjeve fiskale) dhe që kualifikohen për premium processing (procedure e përshpejtuar kundrejt një pagese), mund të paraqesin gjithsesi kërkesë për procedurë të përshpejtuar pa pagesë. Të dyja rrugët – si kërkesa për përpunim të përshpejtuar, ashtu edhe paraqitja ose kalimi në premium processing – mund të përbëjnë mënyra të vlefshme për të çuar përpara çështjen në raste të tilla.
Procedurat e përshpejtuara kur çështja është në interesin e qeverisë – Bëhet fjalë për raste që identifikohen si urgjente nga një qeveri federale, shtetërore, fisnore, territoriale ose vendore e SHBA-së, sepse është në lojë interesi publik, siguria publike, interesi kombëtar ose interesat e sigurisë kombëtare. Vini re se USCIS-i zakonisht e merr parasysh dhe e respekton vlerësimin nga një agjenci apo departament federal. Kërkesa duhet të bëhet nga një person me autoritet që përfaqëson agjencinë qeveritare, si p.sh. një zyrtar, menaxher, mbikëqyrës ose udhëheqës fisnor, për çështjen për të cilën kërkohet procedurë e përshpejtuar. Kërkesa duhet të vërtetojë nevojën e ngutshme dhe thelbësore të njësisë qeveritare që po paraqet kërkesën. Kur kërkohet autorizim punësimi, kërkesa e paraqitur duhet të tregojë se puna në fjalë është e një rëndësie jetike për qeverinë dhe shkon përtej nevojës së zakonshme për të punësuar ose mbajtur në punë një nënshtetas të huaj të caktuar.
Kur është e qartë se gabimi ka qenë i USCIS-it. Në situata të tilla, personi që paraqet kërkesë duhet të tregojë në mënyrë bindëse që nevoja që USCIS-i të korrigjojë gabimin në mënyrë të përshpejtuar, është nevojë urgjente. Një shembull në këtë rast është kërkesa për një dokument të ri të autorizimit për punësim (EAD) pasi dokumenti i lëshur më parë përmbante informacion të pasaktë, dhe e pengonte jonënshtetasin të punonte në mënyrë të ligjshme.
Kur duhet të paraqesësh kërkesë për proçedurë të përshpejtuar
Zakonisht, kërkesa paraqitet pasi USCIS-i ka dërguar njoftimin që është marrë aplikimi (receipt notice). Ndonëse ka raste ku kërkesa dhe dokumentet mbështetëse mund të dorëzohen me aplikimin fillestar, përvoja ka treguar se këto kërkesa nuk para kalojnë në nivelin tjetër pra në proces përshpejtimi dhe shpesh nuk merren parasysh për shkak të mënyrës se si shqyrtohet kërkesa gjatë fazës së pranimit. Është më efektive të paraqisni kërkesën për përshpejtim pasi të jetë lëshuar një receipt number. USCIS-i thekson se duhet bërë vetëm një kërkesë e përshpejtuar në mënyrë që të reduktohen përpjekjet e dyfishta dhe se kërkesat e shumëfishta mund të sjellin vonesa në aftësinë e agjencisë për të përshpejtuar procesin.
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: [email protected]