Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both
Pyetje nga lexuesit:
Tani kam green card dhe dëshiroj të kaloj 18 muaj në Europë si turiste si dhe të takohem me miqtë e mi aty. A paraqet problem kjo gjë?
Drita S
Bronx, NY
Nëse jeni banore e përhershme, pra keni green card, mund të udhëtoni jashtë Shteteve të Bashkuara. Zakonisht, udhëtimet e shkurtra apo të përkohshme nuk ndikojnë për keq në statusin e dikujt që ka green card. Megjithatë, nëse Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së SHBA-së (USCIS) mendon që nuk keni patur ndërmend ta bëni Amerikën vendin tuaj të përhershëm të banimit, atëherë mund të konkludojë që keni hequr dorë nga statusi i banorit të përhershëm. Kriteri që përdoret zakonisht si udhëzues për të vendosur mbi një çështje të tillë është nëse keni qëndruar apo jo jashtë SHBA-së për më shumë se një vit.
Statusin e banorit të përhershëm mund ta humbisni nëse qëndroni jashtë SHBA-së për një periudhë të gjatë kohe, përveçse kur bëhet fjalë për mungesë të përkohshme fizike. Faktorët që USCIS-i merr në konsideratë në të tilla raste janë:
- Arsyeja e udhëtimit;
- Sa kohë patët në plan të qëndroni jashtë SHBA-së;
- Rrethana të tjera që lidhen me mungesën në SHBA; dhe
- Çfarëdolloj ngjarjeje që mund të ketë çuar në një mungesë fizike të stërzgjatur.
Nëse përpara se të largoheni, arrini të merrni një leje rihyrjeje nga USCIS-i, ose vizë (SB-1) nga një konsullatë e SHBA-së, gjatë kohës që jeni jashtë vendit, kjo gjë mund t’ju ndihmojë të tregoni se ky udhëtim ishte planifikuar si një qëndrim i përkohshëm jashtë vendit.
Ju rekomandoj të sillni dokumente që shërbejnë si dëshmi.
Në rastin kur green card-ën e keni marrë si azilant politik, emigracioni merr në konsideratë dhe faktorë të tjerë. Egziston mundësia që dikujt t’i hiqet statusi i azilantit politik edhe pse ai ose ajo tashmë është bërë banor i përhershëm i ligjshëm. Rikthimi në vendin ku personi në fjalë ka pretenduar që ka qenë i persekutuar, mund të luaj rol në një sërë arsyesh për heqje të statusit. Rikthimi në vendin ku personi kishte frikë se do të persekutohej mund të konsiderohet si provë që frika e një persekutimi të mundshëm, e pretenduar nga azilanti, nuk është e vërtetë.
Dikush që ka status azilanti apo ka marrë atë të banorit të përhershëm të ligjshëm bazuar në statusin e azilantit, mund të merret në pyetje në aeroport kur të mbërrijë në SHBA. Personit në fjalë mund t’i bëhet pyetja se si arriti të kthehej në vendin ku kishte frikë se mund ta persekutonin dhe në rrethana të caktuara, personi mund t’i nënshtrohet procedurave për heqje të statusit të azilantit politik.
Nëse keni ndërmend të udhëtoni për një periudhë të gjatë kohore, duhet të paraqisni një kërkesë për re-entry permit (leje rihyrjeje) Formulari I-131, Application for Travel Document. Mund t’ju kërkohet të paguani tarifën përkatëse si dhe duhet të siguroni të gjitha dokumentacionin dhe dëshmitë e nevojshme që nevojiten për këtë qëllim. Pasi USCIS-i të marrë Formularin I-131 që keni paraqitur, do t’ju vijë një njoftim që kërkesa është marrë (receipt notice); një njoftim për t’u paraqitur për të dhënat biometrike; në rast se kërkohet diçka e tillë edhe një njoftim për t’u paraqitur për intervistë; si dhe njoftimi që tregon nëse kërkesa ju është miratuar ose jo.
Koha e nevojshme për shqyrtimin e kërkesës llogaritet të jetë afërsisht 14 muaj, kështu që është mirë të aplikoni herët. Shpresojmë se së shpejti, USCIS-i do të fillojë ta zvogëlojë ngarkesën e punës që i është grumbulluar si dhe vonesat e gjata në shqyrtimin e çështjeve.
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju falenderojmë për komentet e vazhdueshme dhe do të përpiqemi t’i përgjigjemi pyetjeve tuaja në rubrikat e ardhshme. Adresa elektronike është [email protected]