Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i bën thirrje diasporës shqiptare të votojnë për Marco Muharrem Salihun

Tiranë, 7 qershor 2024 – Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që në zgjedhjet për Parlamentit Evropian të votojnë për kandidatin shqiptar Muharrem Marco Salihun.

Në një deklaratë për publikun, ky këshill vlerëson se Marco Muharrem Salihu “mishëron vlerat dhe aspiratat evropiane të shqiptarëve, si edhe kontributin e tyre në familjen evropiane”.

“Ne besojmë fort se zëri i tij në Bruksel do t’i shërbejë më tej integrimit të shqiptarëve në Itali dhe në mbarë Evropën”, thekson Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë.

Marco Muharrem Salihu është një zë i fuqishëm i shqiptarëve në Evropë, veçanërisht në Itali, ku jeton e vepron prej vitesh. Ai ka dhënë kontribut shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik e social të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian zhvillohen në 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian.

Deklarata e plotë:

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mbështet plotësisht kandidaturën e Muharrem Marco Salihut për Parlamentin Evropian.

Jemi shumë krenarë që një nga anëtarët tanë të nderuar po kandidon krah për krah me emra të shquar të politikës italiane dhe evropiane si Emma Bonino dhe Matteo Renzi – në Parlamentin Europian.

Marco mishëron vlerat dhe aspiratat evropiane të shqiptarëve, si dhe kontributin e tyre në familjen evropiane. Me përvojën e tij të gjerë si një sipërmarrës shumë i suksesshëm, ai vazhdimisht ka dëshmuar një përkushtim të thellë në mbështetje dhe përparim të kushteve socio-ekonomike të bashkatdhetarëve të tij të dashur në Luginën e Preshevës.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i bën thirrje të gjithëve, veçanërisht shqiptarëve që jetojnë në verilindje të Italisë, të mbështesin kandidaturën e tij për një të ardhme më të mirë për ta dhe fëmijët e tyre.

Ne besojmë fort se zëri i tij në Bruksel do t’i shërbejë më tej integrimit të shqiptarëve në Itali dhe në mbarë Evropën.

(r.m.)